Protestat janë të shëndetshme për demokracinë, por ato duhet të jenë të sinqerta. Fakti që protesta që nisi për çmimet e rritura nga lufta në Ukrainë ka përfunduar me një grusht individësh në shesh, tregon se sinqeriteti mungon. Për të ilustruar këtë, flet shembulli i një prej organizatorëve, Adriatik Lapaj. Kur Lapaj del dhe thotë se sa herë ka protestë ulet çmimi i naftës duke injoruar kështu bursat ndërkombëtare, zor se e merr njeri seriozisht, sepse njerëzit nuk janë budallenj dhe marrin vazhdimsht informacion. E vërteta është se çmimi tek ne është ulur sa herë është ulur në bursë dhe njëlloj edhe rritja. Sepse sa herë avancon në pushtim Rusia, rritet çmimi, sa herë reziston Ukrania, ulet çmimi. Një rraketë në Arabinë Saudite rrit çmimin në bursë, një tërheqje ruse ul çmimin. Këto fakte sot i di i madh e i vogël, këto ngjarje diktojnë luhatjet e bursës. Por që Lapaj të ketë ndikim në këto ngjarje përmes protestave, kjo është pak e vështirë të besohet.
Nga ana tjetër këmbët duhen shtrirë sa ke jorganin. Rreziku i madh i politikanëve është që fillojnë dhe i besojnë edhe vetë gënjeshtrat që thonë. Kjo fatkeqësisht ndodh edhe me shoqërinë civile dhe konkretisht me Lapajn. Protesta e madhe e 9 Marsit nuk ishte e Lapajt, por e Shtëpisë së Lirisë. Ata njerëz erdhën me transport të paguar nga Berisha-Meta nga e gjithë Shqipëria. Deputetët e PD-LSI ishin poashtu në shesh si patronazhistë për gjithë ata që kishin sjellë. Kur ikën nga sheshi partitë, mbeti aty Lapaj dhe një duzinë të tjerë.
Por, Lapaj ishte në sinkron me Berishën dhe Metën. Ka zëra që thonë se Lapaj është i punësuar nga Berisha dhe lidhjet me Shkëlzenin e Argitën janë të vjetra e kanë të bëjnë me vjehrrin e tij që shpërndante toka në Sarandë për fëmijët e Berishës. Fatmirësisht vjehrrin e Lapajt e shkelmoi vetingu jashtë sistemit, por une s’dua ta besoj që lidhja e Adriatikut me Berishën është kjo. Po të jetë kështu, do ishte e tmerrshme . Por ama Lapaj i ka pranuar militantët e Berishës e Metës në protestë dhe kjo e zhvesh protestën nga qytetaria.
Tani Adriatik Lapaj ka filluar të besojë se militantët e Shtëpisë së Lirisë, ishin të tijët. E duke besuar që ka shumë njerëz nga pas mendon se protestat organizohen me një fishkëllimë. Dhe pastaj dështon, njësoj si sot, njësoj si para 10 ditëve.
Presioni ndaj qeverisë dhe politikbërësve është gjithmonë pozitiv. Por ai duhet të jetë i çiltër dhe i sinqertë. Sot jemi në luftë. Duam apo s’duam, pasojat e luftës i ndjejmë ne, njësoj siç i ndjen e gjithe Europa. Çmimet e rritura këtu tek ne janë një fenomen që ndodh kudo në Europë. Dhe kudo protestohet, por ama kundër luftës. Të mbarojë lufta që tregjet të kthehen në normalitet. Protestat kundër qeverive nuk janë parë askund. Prandaj, Adriatiku dështoi. Dhe do vazhdojë te deshtojë per sa kohë nuk do të dijë të jetë i sinqertë me veten. Jo vetëm për njerëzit që i shkojnë pas, por mbi të gjitha për arsyet e protestës dhe shënjestrën e saj.