DURRËS- Prej dy ditësh ka nisur procesi i groposjes së pulave të ngordhura, i cili duket se po ecën me ritëm të ngadaltë pasi deri më tani numërohen afërsisht 100.000 pula të groposura nga 340.000 në total, të cilat mbahen prej tre javësh në ambientet e pularive në qytetin e Durrësit.
Përtej vonesave në këtë proces, urgjente është nevoja për zgjidhjen e situatës me pulat e gjalla të cilat janë prekur nga virusi H5N8, ku sipas zv. ministres ditën e djeshme u tha se ka nisur procesi i asgjësimit të tyre, por fakt është që deri më tani ky proces ka mbetur ende i pazgjidhur.
Deri më tani dy gropat e mbyllura ku janë groposur pulat e ngordhura, nuk janë rrethuar dhe nuk është vendosur asnjë tabelë njoftuese për terrenin.
Skandali i zbuluar dhe denoncuar nga Report Tv pak ditë më parë për ngordhjen e pulave, nxori zbuluar ministritë të cilat jo vetëm që e mohonin ngjarjen, por vazhdojnë ende të lënë konsumatorët dhe qytetarët në një terr informativ.