Ekskluzive/ Procesverbali, ja si Ilir Meta mbronte listat e hapura në 2008. Pse i kundërshton sot?

16 Korrik 2020, 15:49| Përditesimi: 16 Korrik 2020, 16:38

  • Share

Presidenti Ilir Meta është pozicionuar kundër ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave, që pasjellin ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, duke kërcënuar se nuk do të njohë kryeministrin që do të dalë nga zgjedhjet e 2021 nëse miratohen këto ndryshime. Pas qëndrimit të Presidentit fshihen interesa dhe llogari politike të partisë së tij (LSI) dhe jo shqetësimi i pretenduar për shkeljen e Kushtetutës. Në seancën plenare të Parlamentit, të datës 21.04.2008, Ilir Meta ka kundërshtuar me forcë këtë sistem zgjedhor, të cilin po e mbron sot. Nga procesverbali i diskimeve i siguruar nga Shqiptarja.com, Meta, në atë kohë kryetar i LSI, kërkonte lista të hapura, duke argumentuar se listat e mbyllura i bëjë deputetët ushtarë të partive të tyre.

Në fjalën e tij gjatë seancës ku u miratuan ndryshimet kushtetuese të 2008, duke kaluar nga listat e hapura në të mbyllura, Meta ndër të tjera thotë se “Jo vetëm kaq, por me këtë sistem dhe me turpin e madh që keni bërë, që keni vendosur edhe në Kushtetutë sesi do të jenë listat e deputetëve të renditura dhe nuk mund të ndryshohet renditja e përcaktuar nga kryetarët e partive, ju keni treguar moralin e vërtetë që i trembeni ballafaqimit me qytetarët shqiptarë; moralin e vërtetë që deputetët nuk duhet të sjellin më shqetësimet dhe problemet e komunitetit, por duhet të jenë ushtarë të kryetarëve të partive”.

12 vjet më vonë, Ilir Meta, tashmë President, deklaron se nuk do të njohë një kryeministër, i cili propozohet nga një shumicë parlamentare që zgjidhjet përmes listave të hapura pjesërisht apo plotësisht. 12 vjet më parë Ilir Meta e konsideronte një turp të madh mbylljen e listës, ndërsa sot hapjen e listës e konsideron një çmenduri. Kemi të bëjmë me qëndrime qartësisht të kundërta për të njëjtën çështje, por në kohë të ndryshme, dikuar nga interesa politike.

Fjala e plotë e Ilir Metës kundër mbylljes së listave në 21 prill 2008

“Zonja Kryetare, Nuk do t‘ju marr shumë kohë, sepse sot nuk duhen shumë argumente, pasi gjithçka është e paravendosur në mënyrën më antidemokratike dhe më të turpshme, sepse bëhet fjalë për të ndryshuar në thelb Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kushtetutë kjo e votuar me referendum nga populli shqiptar. Pikërisht sot Sali Berisha merr të gjitha ato që kërkoi nga populli shqiptar 14 vjet më parë në referendumin kur ai hodhi projektkushtetutën e tij, pra arrin sot të gjitha pushtetet që donte atëherë, por këtë po e arrin pa referendum; po e arrin këtë këtu në Parlament, i merr të gjitha në një tavolinë ku është diskutuar dhe ne nuk kemi qenë, pikërisht nga Kryetari aktual i Partisë Socialiste, Edi Rama. Janë ndryshime që në thelb dhe në zemër godasin Kushtetutën dhe parlamentarizmin në Shqipëri; janë ndryshime që godasin në zemër pluralizmin politik në vend.

Pas këtyre ndryshimeve kushtetuese, Shqipëria nuk mund të jetë më republikë parlamentare. Ajo mund të quhet një republikë berishiane, sepse ndryshimet që bëhen sot në Kushtetutë, bëhen në funksion të forcimit të jashtëzakonshëm të pozitave të Kryeministrit dhe në kurriz të parlamentarizmit, në kurriz të të gjitha institucioneve kushtetuese që janë garante për të drejtat themelore të qytetarëve të këtij vendi.

Sot, përmes zhvlerësimit që i bëhet institucionit të Presidentit, i cili, tashmë, mund të zgjidhet ose mund të ndërrohet, sikurse ndodh rëndom me anëtarë bordesh, që i përmendi një parafolës apo me një ministër të thjeshtë, në fakt, kemi goditjen më të madhe që u jepet gjithë institucioneve kushtetuese në vend, që janë garante për mbrojtjen e të drejtave themelore të çdo qytetari shqiptar, sepse pozicioni mbipartiak i deritanishëm i Presidentit, për shkak të mënyrës së zgjedhjes së caktuar në Kushtetutën e deritanishme, ka qenë garancia për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve në këtë vend. Ku shkuan premtimet e drejtuesve të dy partive të vjetra përpara se të uleshin në tryezën për zgjedhjen e Presidentit, kur shpreheshin se e mira është që Presidenti të zgjidhet nga populli, por, meqenëse ne nuk kemi kohë, atëherë këtë herë do bëjmë si do bëjmë, e do ta zgjedhim në tavolinë, por herën tjetër do ta zgjedhim në popull? Përse i shmangen këtij premtimi dhe këtij angazhimi?

Përgjigjja është e thjeshtë: ndryshimet kushtetuese, që e kthejnë Republikën e Shqipërisë në republikë berishiane, sepse Berisha është sot Kryeministër dhe nuk është President si në vitin 1994, forcojnë në mënyrë të jashtëzakonshme karakterin partiak të shtetit dhe godasin në zemër karakterin demokratik të shtetit të së drejtës. Mburren me të madhe se do të bëjnë një reformë të hatashme zgjedhore për të eliminuar “Dushkun”. Këtë e thonë pikërisht ata që pollën “Dushkun”, duke shkelur Kushtetutën; ata që po bëjnë këto ndryshime duke blerë 30 deputetët e “Dushkut”, që janë këtu sot në Parlament. Më këta po ndryshohet Kushtetuta dhe po hidhet poshtë vullneti i një populli të tërë i shprehur përpara 9 vjetësh.

Nuk jemi kundër proporcionalit rajonal, meqenëse e kërkoni; nuk kemi qenë as kundër maxhoritarit, meqenëse keni hallin e maxhorancave të fuqishme, sepse edhe maxhoritari i pastër është një sistem i ndershëm, por sistemi që ju propozoni është një sistem hileqar, i pandershëm, sepse ai përsëri do të pjellë deformime të votës së shqiptarëve, do të godasë barazinë e votës, që është një element thelbësor edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ne do të votonim sistemin proporcional rajonal, në rast se Shqipëria do të ndahej në rajone zgjedhore me numër të barabartë zgjedhësish dhe do të kishte, pak a shumë, të njëjtin prag; ose nëse do të kishte një korrektim nacional, përndryshe sistemi që ju sillni është një deformim, është një tjetër mashtrim për opinionin publik.

Jo vetëm kaq, por me këtë sistem dhe me turpin e madh që keni bërë, që keni vendosur edhe në Kushtetutë sesi do të jenë listat e deputetëve të renditura dhe nuk mund të ndryshohet renditja e përcaktuar nga kryetarët e partive, ju keni treguar moralin e vërtetë që i trembeni ballafaqimit me qytetarët shqiptarë; moralin e vërtetë që deputetët nuk duhet të sjellin më shqetësimet dhe problemet e komunitetit, por duhet të jenë ushtarë të kryetarëve të partive. Ju, njëkohësisht, me këtë veprim që po bëni sot, me mënyrën më të pandershme, me një mënyrë jo transparente po tregoni që po bëheni viktima të një afere shumë të madhe dhe të fëlliqur, shumë antishqiptare midis Sali Berishës dhe Edi Ramës; po merrni përgjegjësinë për një Kushtetutë, që, në rast se do të miratohet nga ju, sot do të quhet Kushtetuta e Sali Ramës ose ndryshe Kushtetuta e Gërdecit, ku gjenden peng që të dy, tashmë.

Procesverbali i seancës parlamentare të datës 21.04.2008, qëndrimi i Ilir Metës pro listave të hapura 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?