Profesorja nga Bjellorusia për Report Tv: Nuk kthehemi mbrapa, demokracia rruga e vetme, do të rrëzojmë Lukashenkon

19 Gusht 2020, 13:50| Përditesimi: 19 Gusht 2020, 14:03

  • Share

"Ne nuk mund të kthehemi mbrapa në drejtim të diktaturës. E vetmja rrugë për ne është të ecim përpara drejt demokracisë".  Kështu shprehet Nataliya Grigoryeva, profesore në Universitetin teknik të Bjellorusisë në një intervistë ekskluzive për Report Tv, teksa rrëfen me një emocion që nuk mund ta fshehë, protestat e ditëve të fundit në vend. Për të dhe për të gjithë protestuesit, kjo situatë është e jashtëzakonshme, pasi qytetarët bjellorusë për të parën herë në 26 vite u ngritën kundër regjimit të Lukashenko-s, në betejë për demokracinë.

"Natyrisht ka qene ngjarja më e madhe për vendin gjatë këtij shekulli. Për 26 vite nuk ishte lejuar asnjëherë një grup kaq i madh njerëzish të mblidheshin në një vend. Për ne ky ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Njerëzit ishin tejet të lumtur për të parë se ishim të gjithë bashkë për të parë ndryshime. Pas zgjedhjeve presidenciale të gjithë duan ndryshime" shprehet Nataliya Grigoryeva.

Megjithëse në zërin e saj mund të dalloje ende pasiguri dhe frikë për fatin e atyre që ende rezultojnë të zhdukur. "Situata është ende shumë e turbullt, nuk dihet ende sesa njerëz ishin të burgosur dhe sa njerëz janë akoma pas kangjellave. E gjithë kjo vjen sepse qeveria nuk tregon informacion të qartë. Ata po fshehin shumë njerëz dhe ne nuk e dimë akoma sesa janë të lënduar apo të humbur".

Nataliya, rrëfen se megjithëse për ta ishte e vështirë të bashkoheshin, pasi në vend për tre ditë kishte munguar mbulimi me internet. Teksa rrëfen përjetim et e saj gjatë “Marshimit për Liri” organizuar të dielën, në fjalët e saj mund të shohësh ndjenja të mëdha krenarie dhe lumturi për atë që kishin arritur të bënim.

"Ne shkuam në Minsk dhe në qendër të qytetit. Pamë popullin bjellorus në atë gjendje dhe ishte e jashtëzakonshme, nuk di si ta quaj festë mbase. Sepse këdo takoje rrugëve ishte i buzëqeshur dhe përqafonin njëri tjetrin. Çdo gjë ishte e mrekullueshme! Për të parën herë ne e ndjemë më të vërtetë se qyteti është i yni".

Nataliya njësoj si të gjithë protestuesit bjellorusë, ka vetëm një shpresë, një synim për të cilin ata vazhdojnë të luftojnë dhe nuk pranojnë të dorëzohen pa e arritur atë.

"Shpresoj që dita e sotme, 18 gushti do të jetë dita e fundit të Lukashenkos si president. Shpresa ime më e madhe është se nesër do të zgjohemi në një vend të ndërtuar nga vetë ne, bjellorusët dhe jo nga një person i vetëm, një diktator si Aleksandër Lukashenko".

E së bashku me Nataliya-n dhe me të gjithë të rinjtë bjellorus, janë bashkuar edhe të moshuarit të cilët më shumë se kurrë, e shohin dritën e së ardhmes tek zëri i të rinjve. Njësoj si gjyshi i saj, edhe pse në moshë të thyer, një profesor në pension gjatë gjithë protestës iu dhuroi ushqim protestuesve, si mënyrë për t’i falënderuar ata për përpjekjet e tyre.

"Ai ishte tejet i lumtur tek shikonte njerëzit të cilët dyndeshin në rrugë. Ai po shikonte gjatë gjithë kohës se çfarë po bënin njerëzit dhe se si po bashkoheshin. Për më tepër ai mblodhi shumë mollë, të cilët më pas ua shpërndau protestuesve në rrugë të cilët po protestonin. Ai tha se kjo ishte mënyra e tij për të protestuar. Ai donte të mbështeste të  rinjtë, që duan të ndryshojnë çdo gjë".

Nataliya njësoj si të gjithë qytetarët bjellorus duan që diktatori Lukashenko të bjerë nga pushteti dhe gjithë shpresat e tyre janë drejtuar nga të rinjtë e vendit, njësoj me Shqipërinë në vitin 1991.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Poshte Putini: 19/08/2020 15:09

    Pas Minskut rradhen e ka Moska per te rrezuar carin e Kremlinit Vladimir Putin pastaj Ankaraja per te rrezuar sulltanin Erdogan. Rrofte Amerika shpetimtarja e botes

    Përgjigju
    • Nacionalist: 19/08/2020 22:40

      I thuj amerikes te mori i brisk x putinin xP

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?