'Profeti' i bashkimit kombëtar, që mallkon ëndrrën e tij

5 Shkurt 2019, 14:26| Përditesimi: 5 Shkurt 2019, 14:37

  • Share

Nuk është problem pse Albin Kurti, një politikan ambicioz në Kosovë, është përfshirë në betejën politike në Shqipëri. E di që kjo është një gjë jo etike, por ai është idhtar i bashkimit kombëtar, dhe nëse do t’ia pranojmë si të vërtetë atë kauzë, duhet dhe ta lejojmë të përfshihet në punët tona. Profili i një politikani nacionalist, që kërkon bashkim kombëtar, të jep hapësirë të ndash mes dy shteteve shqiptare dhe aspiratat e përbashkëta politike, dhe idetë e tua, qofshin këto revolucionare, marksiste apo nacionaliste, edhe pse nuk lidhen me njëra- tjetrën.

Në këtë pikë, nuk më duket kurrëfarë shqetësimi leksioni i tij para një grupi militantësh opozitarë në një fakultet në Tiranë, në ditët kur protesta studentore është në agoni dhe kur në vend të studentëve, në grevë po hyjnë organizatorët realë të saj.

Nuk më interesojnë as sulmet politike ndaj tij. Ai nuk bëhet as më i mire, as më i keq, dhe sikur të bëjë aleancë me Ilir Metën, Sali Berishën, apo Edi Ramën. Si politikan që pretendon se është për bashkim kombëtar, e ka të lejuar çdo gjest që bashkon Shqipërinë me Kosovën.

Por ai ka marrë rrugën nga Prishtina në Tiranë për të kundërtën. Për të mallkuar të vetmin gjest bashkimi mes dy vendeve, përulësinë e shtetit shqiptar, për t’i besuar dy të rinjve nga Kosova, dy poste të rëndësishme shtetërore. Ai ka ardhur në Shqipëri, të sulmojë disa qytetarë të Kosovës, të cilët Shqipëria i ka bërë ministra të rëndësishëm të saj.

I njëjti njeri që ka luksin të vijë në Tiranë, t’i bashkohet një proteste politike kundër qeverisë, të lejohet nga qeveria për këtë pas asnjë kompleks, të bëhet pjesë e një lëvizje opozitare që paralajmëron dhe dhunë, i njëjti njeri nuk pranon dot, biles fjala e duhur është nuk gëlltit dot, faktin që qeveria e Shqipërisë ka bërë dy ministra nga Kosova.

Idhtari i bashkimit kombëtar, i cili përpiqet të na tregojë qiellin e madh të bashkimit, i duken re të zeza në qiell dy dallëndyshet e para të bashkimit, që e kanë kaluar kufirin para tij, duke u bërë zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar nga Kosova.

Edhe sikur Gent Cakaj dhe Besa Shahini të ishin njerëzit më të poshtër të Kosovës dhe më të degraduarit e saj, idhtari i bashkimit kombëtar duhet të përmbante inatet e vogla, dhe duhet të  ishte në krah të tyre, nëse do ishte i sinqertë në atë që pretendon se ka në mendje.

Në fakt unë nuk njoh as Besën dhe as Gentin, por të vetmen akuzë që kam dëgjuar për ta, dhe që e kam dëgjuar nga “Vetëvendosja” e Kurtit, është se ata janë “tradhtarë”, se dikur kanë qenë në “Vetëvendosje”, e nuk janë më. Biles Besa paska dhe një njollë më të madhe në biografi, se qenka bashkëjetuesja e një armiku të Albin Kurtit, po ashtu tradhtar i tij.

Ky është nivel ordiner i të bërit politikë. Është si ata që thoshin se, Albin Kurti është nacionalist fallco, se e ka gruan skandinave.

Të ngrihesh nga Prishtina, të vish në Tiranë për të përmbysur si ministre Arsimi, Besa Shahinin, duke iu bashkuar grevës së pedagogëve dështakë, se të ka tradhtuar bashkë me burrin “Vetëvendosjen” dhe të sulmosh një 28 vjeçar që paska qenë i “Vetëvendosjes”, nën akuzën se e paska mik Baton Haxhiu, do të thotë të jesh jo idhtar i bashkimit, por profet i përçarjes kombëtare, dhe një lider, ose shpirt vogël, ose me mendësi enveriste, ku parimi kryesor është se armiku i brendshëm, është më i rrezikshëm se armiku i jashtëm.

Kjo gjë i nderon shumë herë më shumë se sa ndoshta e meritojnë, armiqtë e Albin Kurtit, dhe e poshtëron atë shumë herë më shumë se sa ndoshta e meriton. Asnjë politikan shqiptar nuk kam parë të jetë kaq i verbër në inatin ndaj armiqve të partisë, sa ky rast, dhe kurrë në botë nuk mund të gjesh një politikan që pretendon që është nacionalist, që do bashkimin kombëtar mes dy shteteve, dhe tërbimin më të madh e ka pse shteti amë emëron dy ministra të shetit bijë, që pretendon t’i bashkohet një ditë.

Unë mendoja se ky do tentonte t’i prishte punë Edi Ramës duke e lavdëruar për këtë gjest, si gjest i bashkimit kombëtar dhe të alarmonte kancelaritë perëndimore me diabolizëm, duke qenë se është identifikuar si përkrahës i bashkimit. Kurse ky se kalon dot ende mllefin ndaj armiqve të brendshëm të partisë së tij, të cilët është gati t’i shpallë dhe armiq të kombit, si një delirant që identifikon kombin me partinë e vet.

Kjo ose e bën këtë njeri hipokrit të madh, ose politikan të vogël, që nuk duhet marrë seriozisht, si një njeri që ka nxjerrë shpatën t’u presë kokën dy vetëve, që bashkojnë sot Shqipërinë me Kosovën.

Dhe mbi të gjitha, si një njeri, që e ndan sot më shumë se kushdo tjetër, Shqipërinë nga Kosova./TEMA

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xhemal: 08/02/2019 00:53

    O skan faj qe te rrafin rregullisht prej 20 vjetesh. Dhe fuga vet ta kishte shkrujt ket artikull sdo kishte kaq shum militantizem qe sdo hyj as ta komwntoj pik per pike sepse kush don e kupton

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?