Politikë

Progres-raporti i KE, Ministria e Jashtme: Shqipëria meriton të ulet në tryezën e bisedimeve me BE brenda këtij viti! Vonesat, ndikim negativ në besueshmërinë e Unionit

19 Tetor 2021, 18:45| Përditesimi: 19 Tetor 2021, 19:01

  • Share

Për Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, progresi që ka bërë Shqipëria është i pa mohueshëm dhe sipas saj kjo u konfirmua edhe në progres-raportin e KE, që u prezantua ditën e sotme. Për këtë arsye, Xhaçka theksoi në një deklaratë për mediat se vendi ynë meriton të ulet në tryezën e bisedimeve me BE brenda këtij viti. Sipas Xhaçkës, BE duhet të mbajë premtimin për hapjen e negociatave dhe se çdo vonesë, do të ketë ndikim negativ në besueshmërinë e Unionit.

"Ne jemi gati për të hedhur hapin e radhën në procesin e integrimit europian, ndajmë të njëjtin vlerësim me Komisionin Europian se vendet anëtare duhet të përmbyllin diskutimet e tyre pa vonesë dhe se konferencat e para ndërqeveritare me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të zhvillohen sa më shpejt që të jete e mundur duke përmbushur kështu një premtim të qartë që i është bërë vendeve tona nga BE. Çdo vonesë ka ndikim negativ ne besueshmërinë e Unionit. Vullneti ynë për të jetësuar objektivin kombëtar të anëtarësimit në BE është i qëndrueshëm, progresi ynë është i pamohueshëm, angazhimi ynë do të vijojë me Komisionin Europian dhe vendet anëtare për të jetësuar më mënyrë konkrete dhe të prekshme premtimin e rikonfirmuar edhe së fundmi në Samitin e Brdos për perspektivën europiane të rajonit tonë. Që prespektiva të jetë e besueshme duhet të veprohet tani: Shqipëria meriton dhe duhet të ulet në tryezën e bisedimeve me BE brenda këtij viti", tha Xhaçka.

Sipas Xhaçkës, ky rapor reflektoi progresine arritur gjatë viteve të fundit në në plotësimin e të gjithë kushteve për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Po ashtu ajo shtoi se pikat ku progresi nuk ka qenë i kënaqshëm do të trajtohen me seriozitetin maksimal nga qeveria, duke përmendur mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe çështjen e të drejtave të pronës.

"Sigurisht që ka edhe disa pika ku jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë për të bërë dhe ku me të drejtë Komisioni evidenton që progresi nuk ka qenë kaq i konsiderueshëm. Natyrisht ato do të konsiderohen dhe do të adresohen me kujdesin e seriozitetin më të madh. Këtu do të nënvizoja dy momente, për të cilat në fakt jemi duke punuar. Së pari, atë që i përket mbrojtjes së pakicave kombëtare, ku edhe pse Shqipëria është padyshim një vend model përsa i përket mbrojtes dhe respektit për minoritetet, na duhet të finalizojmë aktet e mbetura nen-ligjore për zbatimin e ligjit kuadër “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”. Së dyti, çështja e të drejtave të pronës ku edhe pse është bërë shumë punë për të adresuar një situatë të trashëguar prej dekadash, jemi të vetëdijshëm që nevojitet një përparim i mëtejshëm drejt procesit të regjistrimit, digjitalizimit dhe kompensimit", u shpreh ajo.

Në progres raportin për Shqipërinë, KE rekomandon hajen e  negociatave për Shqipërinë, pasi i ka plotësuar kushtet. Në raport u vlerësua progresi i bërë me Reformën në Drejtësi, por edhe me reformat gjithëpërfshirëse në vend. KE thotë se Shqipëria ka shënuar përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar, duke shënuar rezultate të mira në këtë drejtim.

Pavarësisht vlerësimeve pozitive, sërish Shqipëria nuk ka një datë për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?