Kriza e çmimeve dhe problemet sociale duhet të ishin më të përfshira në projektbuxhetin e vitit 2022. Ekspertët e ekonomisë Zef Preçi e Klodian Muço thonë se kriza e paralajmëruar energjetike nuk gjen mbështetje në buxhetin e prezantuar, si dhe shumë sfida nuk marrin përgjigje.
“Kur deklaron që jemi në një krizë energjetike, që është më e rëndë se ajo e pandeminë, dhe shikon se çfarë masash janë marrë dhe çfarë shikon në buxhetin e shtetit për të përballuar këtë krizë është bërë pak ose aspak, sepse 10 miliardë lekë nuk janë absolutisht asgjë për një vend”, thotë eksperti.
“Sfidat themelore që lidhen me reduktimin e varfërisë, që lidhen me nxitjen e prodhimit vendas, që lidhen me rriten me fuqinë konkurruese të ekonomisë tonë, që lidhen me nxitjen e eksporteve, për fat të keq në këtë projektbuxhet mungojnë”, pohon Preçi.
Preçi e shikon të nxituar nismën e qeverisë për të taksuar gazin për familjarët, në kushtet e emergjencës energjetike.
“Do të ishte mirë që qeveria në kushtet kur energjia elektrike po bëhet më e shtrenjtë për tu blerë , të mendonte për lehtësimin e çmimeve për lëndët zëvendësuese është e nxituar si masë, dhe më mirë të forcoheshin kontrollet nga tatim taksat”, shprehet Preçi.
Vlerat e larta të pagesave për koncesionet dhe deficiti buxhetor thonë ekspertët duhet të ishin studiuar më mirë. Ndërkohë që pozitive vlerësojnë rritjen e shpenzimeve për arsimin.
“Tek Ministria e Arsimit ka rritje të buxhetit për arsimin me 12%, që është e konsiderueshme në raport me 2021, por nga ana tjetër nëse shikojmë peshën që ka buxheti i arsimit me buxhetin total, shikojmë që është 5.7%”, tha Muço.
Për vitin 2022, të ardhurat janë parashikuar në vlerën e 536.8 miliardë lekëve dhe shpenzimet do të arrijnë në 637.6 miliardë lekë.