Promovimi/ Haxhi Dalipi rikthehet përmes përjetimit të këngës labe

8 Dhjetor 2018, 08:06| Përditesimi: 8 Dhjetor 2018, 08:07

  • Share

Libri “Duke përjetuar këngën labe” i Haxhi H. Dalipit është promovuar dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nga botimet “Toena”. Pjesëmarrësit dhe studiuesit kanë folur për veprimtarinë e madhe të muzikologut Haxhi Dalipi, e cila është bërë tashmë pjesë e këtij libri. Autori e ka shkruar librin gjatë harkut kohor të shumë viteve, si një dëshmi të interesave etnomuzikologjike të tij.

Haxhi Dalipi Artist i Merituar (1941-2006), përmes këtij libri ka sjellë si objekte ndër të tjera muzikën tradicionale labe, pra, një ndër variantet kryesore të muzikës tradicionale shqiptare, e cila gjallon krahas tre varianteve të tjera të saj:  variantit muzikor geg, variantit muzikor tosk, variantit muzikor qytetar; stilin muzikor të Bolenës, stilin muzikor të Smokthinës, stilin muzikor të Lumit të Vlorës, të Vranishtit, Tërbaçit, Lapardhasë, Dukatit, Kaninës, Karbunarës, Himarës, Pilurit, Dhërmiut, Myzeqesë, qytetit të Vlorës e më gjerë. Duke i analizuar edhe këto stile më në brendësi Haxhi Dalipi u përfshi thellë në profesionin e tij si muzikant.

Libri “Duke përjetuar këngën labe” përmbledh pjesën më të madhe të trashëgimisë teorike që na ka lënë Haxhi Dalipi në fushën e etnomuzikologjisë. Duke e bërë këtë lloj trashëgimie të njohur ndër masat e lexuesve, shpresojmë se ajo do të luajë rol në ecurinë e mendimit teorik, etnomuzikologjik dhe muzikologjik, shqiptar.

Një numër studimesh që përfshihen në librin “Duke përjetuar këngën labe” janë fryt i bashkëpunimit midis Haxhi Dalipit dhe studiuesish të tjerë. Të ardhur nga fshatra dhe zona të ndryshme etnografike të Labërisë, më shpesh ata janë edhe vetë këngëtarë, valltarë, instrumentistë, vjershëtorë të shquar popullorë, bartës krenarë të një kulture muzikore, sa të lashtë, aq edhe autentike. Emrat e tyre jepen alfabetikisht në Bibliografinë e Librit.

I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe, më vonë si dirigjent, ai shfaqi gjatë tërë jetës së tij interesa artistike e shkencore dramatikisht të gjera. Haxhi Dalipi arriti  të bëhet dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, etj. Si kompozitor Haxhi Dalipi krijoi vepra të gjinive të ndryshme, si:  këngë, valle simfonike, suita, rapsodi, opereta për fëmijë, etj. Si studiues, Haxhi Dalipi hulumtoi muzikën tradicionale labe e myzeqare (këngët, vallet, pjesët muzikore instrumentore), të shumë fshatrave e zonave etnografike të Labërisë e Myzeqesë.

Ai është konsideruar si arkitekt i festivaleve folklorike, pasi nën drejtimin e tij grupet popullore të rrethit të Vlorës nderoheshin vazhdimisht me çmime në festivale, takime e konkurse:  lokale, kombëtare, ndërkombëtare. Me veprimtarinë e tij aq të madhe interpretuese, krijuese e hulumtuese, veprimtari e cila rrezaton në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, H. Dalipi mbetet pa dyshim një figurë e ndritur në historinë e muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?