Shkrimtari Preç Zogaj promovoi romanin “Anjeza nuk u zgjua”. Subjekti i romanit trajton një histori dashurie, mes Anjezës dhe Davidit, në një realitet që thyhet, sepse ofron pak shanse. Bëhet fjalë për realitetin e viteve ’80, ku gjatë regjimit komunist ëndrrat e një vajze të bukur siç ishte Anjeza në Lezhë, e cila synonte të bëhej artiste, nuk realizohen. Një histori dashurie edhe përdhunimi, nëpërmjet së cilës autori zgjedh që të rrëfejë edhe tabutë, që ekzistojnë në letërsinë shqipe mbi erotikën.
“Është një roman në të cilin kam dashur të tregoj dramën e shansit të vetëm. Jam përpjekur të thyej disa tabu që ekzistojnë edhe në letërsinë shqipe, lidhje me erotiken dhe marrëdhëniet e dashurisë. Por në të njëjtën kohë kam dashur të tregoj se në kornizën e një sistemi jeta ndjek ligjësitë e saj, nuk është sistemi që përcakton gjithçka”, shprehet shkrimtari edhe poeti Preç Zogaj.
Shkrimtari thekson se fati i një gruaje asokohe diktohej edhe nga rrethanat, prandaj përpjekja e tij është që të thellohet tek marrëdhëniet njerëzore.
“Ishin rrethana të tilla. Tjetër gjë është sot, që para një vajze të bukur hapen disa mundësi. Tjetër gjë ishte para viteve ‘90 ku një vajzë rrethanat e çojnë para një shansi unik. Përpjekja ime është që të thellohem në marrëdhëniet njerëzore, në ato shtresime shoqërore, që japin edhe marrin me njëra-tjetrën. Por që në këtë kontekst të caktuar, siç është subjekti i romanit tim prodhojnë tragjedi”, shprehet Zogaj.
Ndonëse ka zgjedhur që të mos u referohet personazheve realë, ai në rrëfen se nuk mungojnë në këtë roman as elementët autobiografik.
“Autori nuk është i shkëputur nga personazhet e tij, por është gjithmonë një personazh letrar, joreal ”, thotë Zogaj.
Preç Zogaj është autori i disa vëllimeve me poezi edhe në prozë.
Ky Preci i ka shume per zemer keto historite erotike..
Përgjigju