Java e Gjuhës Italiane/ Në librin 'Italianë të Lindjes', edhe Shqipëria vendi i ëndrrave që bëhen realitet (VIDEO)

24 Tetor 2019, 12:12| Përditesimi: 24 Tetor 2019, 13:30

  • Share

Lorenzo Colantoni dhe  Riccardo Venturi, një gazetar dhe një fotoreporter, te dy  italianë, 5 vite më parë u bashkuan për një diskutim për emigrimin në botë. Mirëpo, duke hulumtuar të dhënat kuptuan se fenomeni i popujve emigratorë nuk përjashtonte as vendin e tyre. Vetëm në 2014-ën numri i italianëve që janë larguar prej vendit, ka qenë më i madh se personat që kanë hyrë.  Qe ky shkaku që i shtyu në vitin 2015 drejt “Italianëve të lindjes”, librit që u promovua dje në kuadër të edicionit 19 të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, Ambasada e Italisë, në Universitetin “Zoja Jonë e Këshillit të Mirë”. “Italianët e lindjes” është një botim ku ndërthuren në mënyrë harmonike  imazhet me historitë, ato të së kaluarës e së tashmes. Një libër që në fakt është pjesë e një projekti shumë më të madh që quhet  “Italianë të Evropës” . Një projekt që konsiston në 4 libra, 4 web dokumentare dhe 2 reportazhe të gjatë në revistën “National Geographic”. Per te treguar italianet ne Shqiperi, dy gazetaret kane perzgjedhur te tregojne historine e gazetarit Carlo Bollino, themelues i medias se lire ne Shqiperi dhe botues i ReportTV dhe Shqiptarja.com, sipermarresen e riciklimit te mbetjeve te parrezikshme dhe pronare te Green Recycling, Silvia Minotti, si dhe politikanin dhe sipermarresin e nje rrjeti te rendesishem call-center Agron Shehaj.

“Që të punojnë krahë për krahë një gazetar dhe një fotograf nuk është gjithmonë e lehtë, sepse ka interesa dhe këndvështrime të ndryshme. Ky projekt përbëhet nga disa fragmente të ndryshme: Është një rrëfim për emigrimin, rrëfim i një komuniteti, rrëfim i Evropës të asaj të kaluarës dhe të tashmes”, shprehet gazetari, i cili është edhe një nga autorët e librit Lorenzo Colantoni.

Edhe për Riccardo Venturi-n, fotoreporter dhe autorin e librit ky projekt për mua paraqet një sfidë të shumëfishtë.

“Unë jam një fotoreporter që jam marrë edhe me tema sociale shumë të forta e dramatike në vende të ndryshme të botës, kështu që prej vitesh jam marrë dhe me emigracionin. Këto lëvizje të popujve unë i kam parë si italian. Kështu që sfida e parë ishte të pyesja veten rreth identitetit tonë. Kam përfshirë foto të së kaluarës që italianët mbajnë në sirtarë i kam rifotografuar duke u dhënë jetë, një këndvështrim të ri”.

Zv. ministrja për Punët e Jashtme edhe për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Marina Sereni, e pranishme ne promovimin e librit, por edhe ne Konferencen Mesdhetare te OSBE-se qe po mbahet keto dite ne Tirane,  e konsideroi këtë projekt interesant, sepse trajton historitë e italianëve nëpër botë, por edhe sepse është një mënyrë e mirë për të reflektuar mbi emigracionin, si eksperiencë.

“Emigracion kanë bërë brezat e parë të italianëve,por edhe brezat e sotëm. Kemi qenë një vend me një histori emigracioni, qoftë në Europë ashtu edhe në botë, dhe kemi pasur edhe histori integrimi. Pra jo vetëm kemi emigruar, por jemi integruar. E njëjta gjë ndodh edhe me kombet e tjera, përshembull me shqiptarët në vendin tonë, kjo do të thotë që lëvizja është një aspekt dallues i qenieve njerëzore. Një e drejtë njerëzore! Të mund të lëvizësh është një e drejtë e njerëzve, kjo do të thotë që ndoshta edhe politika, politikat, shtetet duhet të interesohen më shumë për njerëzit. Ashtu siç në librin tuaj shpjegohet, para vendeve integrohen fillimisht popujt. Kështu përsa i përket Shqipërisë kemi diskutuar shumë të zhgënjyer përsa i përket integrimit të vendit tuaj, për hapjen e negociatave. Edhe në BE flitet për integrim, për zgjerim të integrimit. Epo ja që vendet e kanë pak të vështirë të integrohen, por njerëzit jo! Njerëzit e kanë më të lehtë, e më të domosdoshme!”, shprehet zonja Sereni.

Në librin “Italianët e Lindjes” rrëfejnë historitë e tyre italianë që kanë ardhur të jetojnë në Shqipëri siç është rasti i gazetarit Carlo Bollino e sipermarreses Silvia Minotti, apo të tjerë që janë kthyer pas emigrimit në shtetin fqinjë si sipërmarrësi e eksponenti i PD Agron Shehaj. 

“Unë Shqipërinë e kam zgjedhur dy herë në jetën time. E kam zgjedhur për herë të parë në vitet e largëta 1991-‘92 kur unë punoja si gazetar në Pulja, e për mua asokohe Shqipëria ishte vetëm një profil malesh që dalloheshin mes malesh, siç dallohen ende. Një tokë krejtësisht e panjohur. Zgjodha fillimisht të vija në Shqipëri si i dërguar i gazetës “Mezzogiorno” dhe pastaj zgjodha të qëndroja,  sepse ishte një vend që kishte shumë pak gazeta sepse vendi sapo kishte dalë nga diktatura. Dhe mua më dukej e habitshme që në 6 të mëngjesit të mos gjendej një gazetë në shitje, ndërkohë që në Itali kishte me stoqe deri në mbrëmje edhe propozova botuesit tim që të hapej këtu një gazetë, siç kishte qenë dhe vite më parë, deri në 1939. Kështu që e zgjodha Shqipërinë për aventurë  dhe rigjeta Shqipërinë që ju përshkruani: “Një pasqyrë përballë së cilës qëndrojmë, por ku në realitet shikojmë të kaluarën tonë”. Edhe pas 28 vitesh unë vazhdoj të besoj se Shqipëria të ofron një mundësi unike në raport me Italinë apo vendet e tjera evropiane: Të provosh të realizosh ëndrrat”, shprehet gazetari Bollino.

Silvia Minotti, administratore dhe pronare e Green Recycling,  rrëfen teksa kujton mungesat në Shqipëri thekson, se përse zgjodhi që të jetojë në Tiranë me familjen e saj.

“Mendova që pse gjithë këto që kemi mësuar të mos i investojmë në një vend më pak të zhvilluar kështu që 6 vite më parë erdhëm në Tiranë. Unë investova, është e vështirë shumë e vështirë, por unë ndihem “Tironse” siç thuhet këtu, aq sa im bir 9-vjeç merr leksione italishte. Më të integruar se kaq vështirë se mund të bëhet!”.

 Sipërmarrësi Agron Shehaj u lind në Shqipëri edhe u arsimua në Itali. Megjithatë, ai tregon se cilat janë arsyet, që vendosi të rikthehet sërisht në Shqipëri.

“Unë këtu jam edhe italian, po siç më ka thënë dikur dikush: Po ti je italian, por jo një italian i vërtetë! 13 vjeç kam emigruar në Itali dhe shkuam në Bolzano, ajo eksperiencë më ka shënjuar në çdo gjë që bëj. Dhe çdo gjë që bëj është e kushtëzuar nga eksperienca formimi që kam marrë atje. Një nga motivet që më ka bërë të kthehem janë mundësitë e mëdha që Shqipëria ofron, pikërisht sepse mungon thuajse gjithçka, e këtu delli im si sipërmarrës bën që ta shikoj problemin si mundësi”.

Rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Bruno Giardina, ndalet tek emocionet që i ka përcjell libri, sapo i ra në duar, por edhe tek aktualiteti që përcjell në ditët e sotme. 

“Është një histori që mbetet gjithmonë aktuale, sepse e tashmja jonë përbëhet nga ngjarjet që kanë ndodhur, ose së paku ngjarjet që kanë ndodhur.  Kjo histori është aktuale, sepse flet për emigracionin, dhe italianët kanë qenë gjithmonë protagonist të mëdhenj të flukseve të  emigracionit. Po ashtu flet për integrimin, rolin e madh që kanë pasur si komunitet. Kur lexova titullin “Italianët e lindjes”, ajo që më erdhi menjëherë në mendje ishte: A nuk janë këta shqiptarët?”, shprehet rektori.

Presidenti i fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë” Daniele Bertoldi e konsideron Shqipërinë në vend shumë mikpritës. 

“Shqipëria është një vend që mirëpret, ashtu siç dinë të mirëpresin shqiptarët, me pasurinë e tyre shpirtërore dhe të brendshme, por edhe për bukurinë e këtij vendi”, thotë Bertoldi.

Këto eksperienca personale e histori suksesi bëhen një udhërrëfyes për brezat e tjerë që emigrojnë, duke i ndihmuar në procesin e integrimit, e duke i nxitur të jetojnë në mënyrën më të mirë të mundshme në vendet ku zgjedhin të jetojnë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?