Do të ishte viti 1984 kur Markelian Kapidanit do t’i binit në duar partiturat e ndaluara të jazz-it. Asokohe ai ishte vetëm 14 vjeç, por i rritur në një familje artistësh, me ndihmën e të atit, djali i kompozitorit Gjon Kapidanit do të mësonte se si të kuptojë thellësisht notat. Kësaj here, artisti nëpërmjet një libri rrëfen eksperiencën e tij muzikore për artistët e rinj, të cilët dita-ditës punojnë që të jenë pranë jazzi-t. “Shënime për muzikantin” është titulli, që kompozitori Markelian Kapidanit ka zgjedh t’i vendos librit të tij të parë të botuar në gjuhën shqipe për muzikën jazz.
“Titulli jo më kot është i tillë, sepse sjell tek muzikantët e rinj sekretet e muzikës së improvizuar. Por ky libër e ruan muzikën e improvizuar edhe jazz-in nga akademizmi i tepruar. Muzika jazz nuk lind në ambiente konservatore, por nëpër klube, edhe më tej zhvillohet e bëhet muzikë e sofistikuar. Nuk ka rregulla, por ka principe. Ka disa mekanizma, që unë i shpjegoj, por nuk i lejoj vetes që ta akademizoj. Mund të ishte manual, por për këtë arsye unë kam zgjedh, që të jetë vetëm shënime”.
Për herë të parë siglat e akordeve të muzikës jazz, që për të janë vet jeta, i ka mësuar në mënyrë klandestine nga babai i tij.
“Në atë kohë muzika e jazz-it ishte muzikë e ndaluar. Im atë ka pas gjithmonë dëshirën për të luajtur jazz. Me kalimin e kohës ka mbledhur partitura. Për herë të parë unë në jetën time kam mësuar siglat e akordeve të muzikës jazz përmes këtyre partiturave kur kam qenë 14 vjeç”.
Pas viteve ’90 kompozitori Markelian Kapidani largohet nga vendi, drejt Italisë fillimisht, ndërsa sot jeton dhe punon në Zvicër. Megjithatë, nga muzika jazz kompozitori nuk hoqi dorë për asnjë ditë, sepse kjo muzikë është pjesë e vet ekzistencës së tij.
“Lira, demokracia e vërtetë, e cila ekziston në vendet perëndimore hap rrugë lirimit të mendjes nga mbeturinat, që e pengojnë njeriun të ecë përpara. Kjo ka qenë ndihmesa kryesore që më ka dhënë një shtysë të fortë për të aplikuar në këtë lloj muzike, që ka principe, por nuk ka rregulla strikte. Me ikjen time jashtë më është dashur që ta filloj nga zero, por jazz-i më ka ndihmuar gjithmonë. Është pjesë e jetës sime, e ekzistencës sime”, vijon artisti.
Dëshira e Markelianit është që politikat e vendit tonë ndaj artit të jenë më të hapura edhe të krijohen më shumë mundësi për muzikën jazz në mbarë vendin.
“Jashtë vendit festivalet bëhen gjithmonë. Nuk ka probleme, sikundër ndodh në vendin tonë. Arti është i lirë, është për të gjithë, nuk ka ngjyra politike. Prandaj duhet një politikë e hapur kundrejt artit. Muzika fisnikëron njeriun e bën më të butë edhe më të sjellshëm, kjo gjë reflektohet direkt tek shoqëria”, shprehet më tek kompozitori.
Gjatë promovimit të librit “Shënime për muzikantin” në Akademinë e Shkencave referuan edhe studiuesja e antropologjisë Mikaela Minga dhe Florian Jakaj, kryetar i Shoqatës “Rrok Jakaj”.