Arkeologu Neritan Ceka

Kultura

Promovohet në Akademinë e Shkencave libri “Fillimet e qytetit ilir” i prof. dr. Neritan Cekës 

17 Nëntor 2021, 22:10| Përditesimi: 17 Nëntor 2021, 22:20

  • Share

Libri  “Fillimet e qytetit ilir” i prof. Neritan Cekës  u promovua sot në kuadër të Panairit të librit 2021 në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 

Ky botim i Akademisë së Shkencave është një studim monografik që vjen pas një përvoje të gjatë të arkeologut Neritan Ceka, i cili mbështetet mbi të dhënat e autorëve antikë, pasi ka gërmuar në qytete ilire dhe pasi ka gjurmuar për dekada me radhë një terren të gjerë të Ilirisë së Jugut.  

Arkelologu i njohur akad.asoc. Gëzim Goxha përgëzoi autorin për librin dhe e vlerësoi faktin që prof. Ceka ka zhvilluar në një mënyrë të veçantë tezën protourbane të qytetërimit ilir që shtjellon tiparet formuese të qyteteve ilire.

'Ky këndvështrim shumëplanësh, ka mundësuar  në ndriçimin e fillesave të krijimit  dhe në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit ilir, si fenomen urban, por edhe  si dukuri shoqërore, politike dhe kulturore.  Tema e qytetit ilir na çon drejt  njohjes në detaje të fizionomisë së jetës në Ilirinë e Jugut gjatë shek. IV-I para Kr.  Kjo temë, tanimë e trajtuar, nuk mund të ketë kufij të njohjes shkencore, duke mbetur objekt i shqyrtimit gjithnje e më të detajuar për arkeologjinë në përgjithësi dhe për atë shqiptare në veçanti. -tha Gëzim Hoxha. 

Hoxha theksoi se duke e vështruar në këndvështrime të ndryshme formimin e qyteteve ilire disa e kanë parë të lidhur ngushtë  me ndikimin e kolonive helene të bregdetit, ndërsa të tjerë e kanë trajtuar si  një fenomen autokton, i lidhur me zhvillimin vendas,  që nga vendbanimet e periudhës së parë të hekurit.   

'Problemi i karakterit të qyteteve ilire ka qenë trajtuar gjerësisht në literaturën arkeologjike. Botimet e veçanta,  apo edhe sintezat për qytetin ilir,  e marrin në shqyrtim atë kryesisht duke filluar nga shek. IV p.e.sonë, d.m.th., në kohën kur ai ishte plotësisht i formuar, ndërkohë që  çështja e origjinës dhe e rrugës së formimit të këtij qyteti ka mbetur pak e thelluar. Pikërisht këtë boshllek plotëson ky punim i autorit, -tha akad. asoc. Gëzim Hoxha.  

Libri përbëhet nga një vëllim prej 168 faqesh tekst, 128 figurash  dhe 16 tabelash me ilustrime ku paraqitet një sintezë e kërkimeve shumëvjeçare. Autori Neritan Ceka ka bërë prezantimin në formën e një leksioni të hapur rreth detajeve dhe fakteve të prezantuara në këtë libër në hulumtim të origjinës së qyteteve ilire.  

'Është i pabazuar opinioni se  argumentet e studiuesve dhe arkeologëve të vjetër janë folklorike, ku shpesh qytete me origjinë ilire shpallen si themelime helene. Nga studimet  e arkeologëve të shquar është sqaruar qartë shtrirja e kulturës qytetare ilire në pjesën më të madhe të territorit që banohej në antikitet nga popullsia ilire.'- tha Ceka.

Prof. Ceka kujtoi se libri i tij ka qenë depozituar si disertacion i shkallës së dytë për kërkimin e gradës "Doktor i shkencave"  që në vitin 1992 dhe këshilloi që doktorantët  e rinj duhet t’i publikojnë përmes botimit të një libri punimet dhe tezat e tyre shkencore.  

Ai bëri një prezantim të librit “Fillimet e qytetit ilir” me skica dhe fotografi nga terreni, duke parashtruar  problematikat e lindjes së qytetit ilir. 

Prof.dr. Ceka kujtoi se, që në gjurmimet e para,  gjeneza e qyteteve ilire është vështruar  në këndvështrime të ndryshme. Disa e kanë parë të lidhur ngushtë  me ndikimin e kolonive helene të bregdetit. Ndërsa të tjerë e kanë trajtuar si  një fenomen autokton,  i lidhur me zhvillimin vendas,  që nga vendbanimet e periudhës së parë të hekurit.   

Në kontekstin e këtyre argumenteve, duke iu përgjigjur pyetjeve që iu drejtuan gjatë promovimit, prof.dr. Ceka tha ndër të tjera  se është i pabazuar opinioni se  argumentet e studiuesve dhe arkeologëve të vjetër janë folklorike, që bëhet në emër të një shkence më moderne, ku shpesh qytete me origjinë ilire shpallen si themelime helene, ndërsa solli në vëmendjen e të pranishmëve dëshmi të qarta të periudhave të lulëzimit të qytetërimit antik ilir, kur qytetet luajtën një rol kryesor si qendra prodhimi të mallrave dhe si formuese të tipareve të kulturës ilire.  

Prof.dr. Ceka tha se edhe nga studimet  e arkeologëve të shquar si Selim Ismaili, Hasan Ceka e të tjerë është sqaruar qartë shtrirja e kulturës qytetare ilire në pjesën më të madhe të territorit që banohej në antikitet nga popullsia ilire, duke e lidhur ngushtë me shpjegimin e fillimit të tyre, me problemin e gjenezës së jetës qytetare tek ilirët. 

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?