Kultura

Promovohet “Një jetë në fluturim” i poetit Drago Siliqi, Laura Konda rrëfen të atin

29 Prill 2021, 15:52| Përditesimi: 29 Prill 2021, 16:10

  • Share

Ndonëse prania fizike e të atit, gazetares Laura Konda,  i ka munguar që në moshën 2-vjeçe, përmes veprës që Drago Siliqi la pas, nëna e saj Drita Siliqi, ka ditur të mbajë gjallë figurën e prindit të munguar në familje. Prandaj, edhe në këtë 90-vjetor të lindjes së poetit edhe kritikut Drago Siliqi, gazetarja ka zgjedh që të nderojë atin e munguar fizikisht përmes promovimit të librit “Një jetë në fluturim” nga Drago Siliqi te Kalaja e Tiranës.

“Ai ka qenë një prind i munguar fizikisht, por përmes nënës sonë, që ka mbajt të gjallë figurën e tij ka qenë përherë i pranishëm. Në këtë botim sjellim një përzgjedhje nga të gjithë librat, që janë botuar nga mamaja ime, Drita Siliqi. Ndërsa, piktori Buron Kaceli ka bërë një zgjidhje me vend duke dhënë kredon për babanë, përmes vargjeve “ka zogj që gjithë jetën fluturojnë edhe vdesin duke fluturuar”, shprehet Laura Konda.

Në këtë libër lexuesi do të njoh publicistin, poetin dhe kritikun përmes poezive të shkruara prej tij deri në moshën 33-vjeçare, studimeve të tij letrare, por edhe vlerësimeve që kanë shkruar për kontributin e tij në fushën e letrave shqipe dhe atë të përkthimit, intelektualët që patën fatin ta njohin nga afër

“Libri është i ndarë në katër pjesë të veçanta, pjesën kryesore e zë poezia. Prej tyre unë veçoj poezinë “Atdheu”. Kjo është një poezi aktuale apo “Këngë e re për dashurinë e vjetër”, që poeti Bardhyl Londo e cilëson frojdane. Por, im atë mbahet mend si kritiku i guximshëm, i paanshëm, që i’u kundërvu shabllonizmit ku letërsia do të binte nën regjimin e asaj kohe”, shprehet Laura Konda.

Teksa veçon nga vargjet e të atit poezinë “Atdheu”, Laura Konda rrëfen dhe kontributin që ai ka dhënë në përkthimin e letërsisë botërore në shqip, gjatë kohës që ishte drejtor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.   

“Ky vëllim është një përzgjedhje e materialeve të tij, por është pasuruar dhe me kujtimet e Naum Priftit, Nasho Jorgaqit edhe Alda Bardhylit. Si drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” do të kujtohet për mundësinë që u dha përkthyesve për të sjell emra të mëdhenj të letërsisë botërore, si Lasgush Pogradeci, Dhimitër Pasko, Robert Shvarc. “Na qeshi fati kur drejtor i shtëpisë botuese u bë Drago Siliqi”, këto fjalë ka thënë për babanë Lasgush Poradeci”, përfundon rrëfimin Konda.

Poeti dhe kritiku Drago Siliqi u shua në moshën 33-vjeçare, pas një aksidenti ajror. Është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i madh” pas vdekjes.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?