Vendet e preferuar kinematografikë të Oscar Iarussi-t janë Bari dhe Venecia. Bari-n, sepse e cilëson vendin më të zhvilluar, përsa i përket kontributit që ka dhënë në zhvillimin e historisë së Italisë nëpërmjet kinematografisë. Ndërsa, qytetin tjetër, Venecia-n, e ka përzemër jo vetëm sepse bashkëpunon si anëtar i Komitetit të ekspertëve të Ekspozitës së Venecia-s, por edhe sepse sa herë që e prek këtë vend prej tij “rrëmben” magji.
Libri “Të shkosh për vende filmike” e autorit italian Oscar Iarussi-t u promovua në Qendrën për Hapje edhe Dialog në Tiranë. Autori për kamerën e “Report Tv” rrëfen emrat e dhjetë qyteteve të kinemasë, por edhe arsyet, se këto vende kanë frymëzuar breza të tërë kineastësh. Kritiku i kinematografisë tregon edhe se si Shqipëria mund të kthehet në një vend prodhimi kinematografik .
A mund t’i tregoni dhe për publikun se cilat janë këto qytete?
Qytetet janë këto: Fillon nga Venecia, pastaj në veri janë edhe Torino, Milano, pastaj zbresim në Bolonja dhe Firence, mandej është Bari, Matera, Palermo, Napoli dhe në fund është Roma.
Cili është vendi që ju keni më për zemër?
A mund të them të paktën dy?
Po, sigurisht...
Një normalisht që është Bari, sepse është qyteti në të cilin jetoj, edhe sepse, është qyteti ku unë kam zhvilluar refleksione rreth historisë që janë të rëndësishme, përsa i përket kinemasë,dhe flas këtu për lidhjet mes Barit-Puljas (Puglia-s) dhe Shqipërisë, për të cilën flas shumë në libër. Pra çdo gjë që ndodh në Pulja pas mbërritjes së anijes “Vlora” në ’91-shin. Dhe qyteti tjetër që pa dyshim është në zemrën time është Venecia, sepse unë bashkëpunoj me ekspozitën e Venecias dhe ndoshta do të duket banale kur e dëgjoni por është një magji e pastër...
Cilat janë arsyet që zgjodhët Puljan, si vend për të bërë xhirimet atje?
Përveç bukurisë së peizazhit që gjendet gjithashtu në shumë vende të Evropës, gjithashtu edhe në Shqipëri mendoj se është vendimtar roli që mund të ketë një “film comission” (komision filmi). Në punën që kemi bërë në Pulja kam qenë president gjatë viteve të kaluara, dhe është një punë që është bërë edhe në vitet pasardhës me presidentët e tjerë. Është vendimtare ajo që bën një komision filmi. Një komision filmi prodhon produksione, pra nuk është një festival nuk është një Ministri e Kulturës, dikush që merret në mënyrë specifike për të tërhequr produksionet në territor, t’i ndihmojë dhe të bëjnë që të rritet puna e kineastëve vendas, të përmirësohen çështjet tekniko-artistike të produksionit, si skenografia apo kostumografia, por edhe lidhur me njerëzit që punojnë në sheshxhirim. Pra, ajo që ka funksionuar në modelin e Puljas ishte pikërisht kjo, ky krijim i këtij organizmi që bëri të mundur që të vinin trupa dhe produksione, edhe ndërkombëtare që vijnë sot nga e gjithë bota.
Ka rezultuar e suksesshme në Pulja, por a mendoni se mund të ndodhë kjo edhe në Shqipëri? Si duhet të veprohet që diçka e tillë të realizohet?
Unë mendoj se mund të ndodhë, dhe duhet të ndodhë, pasi unë vërej këtu një vitalitet të madh artistik. Shqipëria është tanimë prezentë në shumë festivale ndërkombëtarë me filmat e vet, me artistë shqiptarë. Është një rast shumë i mirë si “Balkan Film Market” që po mbahet këto ditë këtu në Tiranë që të jep mundësinë për të takuar operatorë, shpërndarës, përfaqësues të Festivaleve të të gjithë Ballkanit dhe Evropës, shumë prej të cilëve janë edhe nga Italia. Pra është një panoramë shumë interesante, ndoshta bëhet fjalë për të nxitur dhe kërkuar më shumë, diçka që mund të bëhet e mundur edhe nëpërmjet “film comission” (komisioneve të filmave). Kjo mund të jetë një nismë shtetërore, ose e qytetit të Tiranës, këtë nuk mund ta them me siguri, por sipas meje do të ishte me rëndësi të madhe të punohej në këtë drejtim. Sepse, i shikoj të gjitha mundësitë që Shqipëria të punojë në kinema të rëndësishme, pasi ka një peizazh shumë variabël, sepse ka det, ka mal etj., është gjithashtu një vend i ri. Kështu nuk gjej asnjë motiv përse të mos ngjall interes për kinemanë e huaj.
Cilat janë impresionet tuaja personale rreth Shqipërisë?
Unë kam sensacionin se Shqipëria është një vend që ka një dëshirë të madhe për të ardhme... Dhe ndryshe nga shumë vende të tjerë evropiane edhe Shqipëria, nuk vuan nga lodhja. Sepse, në shumë vende të tjera vihet re një lodhje, një rënie e përgjithshme që vjen ndoshta si ndjesi për diçka që nuk arrihet të ndryshohet. Nga ajo që unë kam parë dhe dëgjuar, mua më duket se këtu ka një dëshirë të madhe për një të ardhme shumë të fortë. Dhe kjo është një pikë që krijon një avantazh të madh që sipas meje duhet shfrytëzuar.
Shkruani dhe jeni gjithashtu kineast, cili është raporti që ju mbani me secilën prej këtyre dy profesioneve?
Në realitet është një jetë profesionale që shoqërohet nga dëshira për të mësuar gjithnjë e më shumë rreth letërsisë, artit, kinemasë. Ka gjithashtu pasione personale për filma, apo për libra që mund t’i duam më shumë se të tjerë. Por gazetaria është pikërisht kjo, të transformosh pasionin, interesin në diçka për t’ua rrëfyer të tjerëve. Pra nga ky këndvështrim është një jetë profesionale interesante.
Si është kinemaja e parë nga afër?
Kinemaja e parë nga afër?! Ndonjëherë do të ishte mirë të mos e shikosh shumë nga afër. Sepse, ndonjëherë t’i shikon personazhe që i konsideron legjenda dhe që pastaj kupton se si të gjithë burrat dhe gratë e tjera kanë pikë të dobëta, apo anë të shëmtuara. Unë e them gjithmonë se nëse ke një mit, atëherë përpiqu të mos e njohësh nga afër, sepse ndoshta do të të zhgënjejë. Por ndoshta është edhe një mënyrë për të kuptuar edhe se ndryshe nga sa flitet nuk është një botë e korruptuar, përkundrazi është një botë mjaft normale sepse nuk jemi më në Holliëoodin e viteve ‘40. Kinemaja është një mikrobotë, e vogël sepse janë të paktë njerëzit që bëjnë kinema të paktën në Itali, por edhe në vendet e tjera. Njihen të gjithë me njëri-tjetrin, janë pak a shumë si një familje ku ka dashuri dhe urrejtje që ndryshojnë me kalimin e kohës edhe, sepse duhet të bëhen bashkë për të bërë filma. Edhe pse ka njerëz shumë simpatikë në kinemanë italiane, shumë të disponueshëm, madje edhe në kinemanë shqiptare. Sepse, një njeri si Ilir Butka që prej vitesh merret me promovimin e kinemasë shqiptare, ai ka bërë kineastin, organizatorin, drejton Qendrën Kinematografike, ndërmerr iniciativa, si Balkan Film Market, pra janë njerëz që i vënë në shërbim të gjitha mjetet në shërbim të kolektivit, vendit dhe kineastëve të tjerë. Pra do të thosha që më mirë të mos e njohësh nga afër një mit, por në qoftë se ke mundësi të hysh në një ambient, të kesh të bësh me kineastë si këta do të ishte diçka e mirë.
A mund të më thoni emrin e një miti, të cilin e keni njohur nga afër?
Janë disa që kam njohur, për shembull kam shkruar dy libra për Federico Fellini-n. E kam njohur rastësisht, sepse unë asokohe kam qenë shumë i ri, e kam njohur në një restorant. Ai kishte vizatuar diçka në një pecetë siç bënte shpesh. Por kjo ishte diçka magjike, sepse unë një ditë më vonë duhet të merrja pjesë në konkursin që mund të më lejonte të bëhesha pjesë e një shkolle kinemaje dhe ai më tha: “Sipas meje ti do t’ia dalësh”. Dhe unë në fakt ia dola. Është diçka që më ka goditur shumë, por nuk e kam njohur mirë për fat të keq. Unë isha ende shumë i ri dhe ai u nda nga jeta shumë shpejt. Dhe ai është një mit të cilin unë e kam studiuar shumë dhe kam mësuar rreth tij edhe nëpërmjet miqve të tij. Nuk e kam njohur, sepse është ndarë nga jeta kur unë isha ende i ri, por do të më kishte pëlqyer të njihja Pier Paolo Pasolinin. Është një autor që e kam dashur dhe vazhdoj ta dua shumë.
Jeni gjithashtu pjesë e komisionit të Venecias. Ç’mund të na thoni rreth cilësisë së filmave, kemi më shumë filma komercialë apo?
Veçanërisht në Venecia mbërrijnë mijëra filma çdo vit. Janë realisht 3 ose 4 mijë filma, shumica e të cilëve janë filma autor. Ndaj edhe puna është shumë e vështirë sepse nuk janë filma komercialë të cilët mund “t’i hedhësh poshtë” me lehtësi. Kryetari i komisionit Alberto Barbera bën pikërisht këtë, vëren me kujdes dhe seleksionon. Në fund mbeten vetëm 70-80 ndaj është shumë e vështirë të zgjedhësh pikërisht, sepse janë filma autorë. Ka edhe filma komercialë që provojnë të vijnë por më të shumtët janë filma autori. Ndërkohë që ne kemi mundësi të vërejmë edhe ndryshimet që pëson kinemaja në të gjithë botën nga viti në vit . Nga ky këndvështrim është një punë shumë interesante sepse ti shikon atë që po ndodh, tendencat.
Dhe cilat janë tendencat për këtë periudhë?
Nga një këndvështrim vërehet një tendencë prodhuese që është ajo e platformës Netflix, që ofron mundësi për të prodhuar një film. Dhe pastaj shikohet në televizion në vend të kinemasë, është një tendencë që në Venecia po përhapet. Jo rastësisht filmi që këtë vit fitoi “Luanin e artë”, “Roma” nga Alfonso Cuaron është një film i prodhuar nga Netflix. Pra ka një tendencë prodhuese, pastaj ka edhe tendenca tematike që nga viti në vit ndryshojnë, por që arrijnë të mirëpriten.
A keni një film të preferuar, që e shihni herë pas here?
Ka më shumë se një, për shembull është filmi “C'era unavolta in America” i Sergio Leones që sa herë mundem e shikoj. Por ka edhe filma komercialë, përshembull unë shikoj “Flashdance” me Jennifer Beals, por më pëlqen gjithashtu i “Pretty ëoman” që e shikoj shpesh pasi janë filma më inteligjentë nga sa mendohen. Shikoj gjithashtu filma si “ Toto' Peppino e la malafemmina”, apo “Il segreto di Santa Vittoria”, një film që flet për pushtimin italian gjatë nazizmit. Kështu që janë disa filma që sa herë më rastisin i shikoj deri në orët e vona.
Në ditët e stome kur shoqëria ka probleme ekonomike dhe jo vetëm, arti në çfarë vendi gjendet?
Arti gjendet në vullnetin dhe dëshirën për të interpretuar ato probleme, jo me syzet e ideologjisë apo të sigurive por me shikimin e qartë e atij që nuk ka siguri, pra që shkon shikon diçka dhe e tregon. Në fund nuk është ndryshe nga gazetaria, gazetaria rrëfen atë që shikon, arti merr atë që shikon dhe e transformon ndonjëherë në fantazi.
Po roli i institucioneve, apo Ministrisë së Kulturës si ka ndryshuar në Itali gjatë kësaj kohe?
Nuk është se ka ndryshime të mëdha në këtë drejtim, por vitet e fundit mendoj se janë bërë përmirësime në këtë drejtim.
A ke një mesazh për ata që duan kinemanë?
Të shkojnë sa më shumë në kinema, dhe nëse duan të bëjnë kinema le të shkruajnë sa më shumë rreth saj. Të shkruajnë tekste, të provoni edhe sikur t’i mbani për vite të tëra. E rëndësishme është që të njihni dhe njerëz të tjerë, sepse kinemaja nuk është diçka që bëhet vetëm, bëhet vetëm nëse njeh kineastë të tjerë të brezit tënd. Ndaj u këshilloj të rinjve që të bëhen bashkë, të fillojnë të bashkëpunojnë dhe të ndajnë bashkë kompetencat dhe pasionet
Kush është Oscar Iarussi?
Oscar Iarussi, gazetar dhe eseist, përgjegjës për Kulturën dhe Spektaklet në «Gazzetta del Mezzogiorno». Kritik kinematografie, është anëtar i Komitetit të ekspertëve të Ekspozitës së Venezia-s; ka kryesuar Apulia Film Commission dhe ideuar përmbledhjen «Frontiere. La prima volta» (katalogu Laterza, 2011). Ndër librat e tij: «L’infanzia e il sogno. Il cinema di Fellini» (Ente dello Spettacolo, 2009), «Ciak si Puglia. Cinema di frontiera 1989-2012» (Laterza – Edizioni della Libreria, 2012), «Visioni americane. Il cinema “on the road” da John Ford a Spike Lee» (Adda, 2012); për il Mulino «C’era una volta il futuro. L’Italia della Dolce Vita» (2011).