Politikë

Propozimet e PD-së për ndryshimet kushtetuese, Rama: Jam i hapur për diskutime drejtpërdrejt, duam t'i japim një shans të plotë dialogut

20 Tetor 2021, 09:47| Përditesimi: 20 Tetor 2021, 10:12

  • Share

Kryeministri Edi Rama thotë se është i hapur për të diskutuar me opozitën për tre amendamentet që synojnë ndryshimet e kushtetuese. të cilat i ka propozuar një ditë më parë Partia Demokratike, ku është fokusuar për vettingun e politikanëve, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore.

‘Nuk është etikë të komentoj këtu këto propozime, duke pasur parasysh se kemi dhënë disponim total për t’i diskutuar në mënyrë serioze në procesin e dialogu që duhet të ushqehet me vullnet të mirë mes palëve. Nuk dua të jap opinione para se ti jap këtij dialogu një shans real dhe të kemi fuqi që t’i ballafaqojmë . Cilësia e një bashkëjetese, në çdo instancë nuk përcaktohet nga sa shpesh biem dakord por nga mënyra se si nuk biem dakord. Tjetër është të mos biesh dakord duke u ushqyer me frymë konstruktive ndërveprimin dhe tjetër duke u kapur për flokësh. Dëshiroj që t’i japim një shans të plotë dialogut. Opozita ka bërë 3 propozime, ne kemi detyrën që t’u japim mundësinë këtyre diskutimeve pa dëmtuar këtë proces diskutimi duke dhënë paraprakisht opinione përfundimtare. Jemi gati, por t’i diskutojmë drejtpërdrejt, jo me pasqyra.’- tha Rama.

Partia Demokratike do të depozitojë sot në Kuvend, tre amendamentet që synojnë ndryshimet në kushtetutë që përfshijnë një reformë të re zgjedhore dhe territoriale, si edhe vettingun e politikanëve. PD e nis fillimisht me propozimin për ndryshim të pikës 3 të nenit 45 që në thelb e vë theksin te vettingu i politikanëve. PD propozon që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i propozuar nga PD është ai që zhbën ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut 2020. Lulzim Basha me propozimet për ndryshime në pikën 1 të nenit 68 ka vendosur koalicionet në Kushtetutë duke 'marrë mësim' nga ajo që i ndodhi në zgjedhjet e kaluara; "Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”, thuhet në propozim.

Partia Demokratike gjithashtu rikthen hartën e vjetër territoriale pasi në ndryshimet në nenin 108 të Kushtetutës thotë se "Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore”.


Lajmi kryesor:

Progres-raporti i KE/ Rama: I vetmi udhërrëfyes për ne, gjykuesi më i drejtë dhe i paanshëm! Bllokimet nga vendet e BE, për politikë! Soreca: Duhet përparim në çështjen e vettingut dhe lirinë e fjalës


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?