'Protesta' e kasapëve

16 Dhjetor 2018, 22:16| Përditesimi: 16 Dhjetor 2018, 22:19

  • Share

Ditën që protesta e studentëve u spostua nga Ministria e Arsimit për tek Kryeministria, pikërisht atë ditë ajo protestë u transformua, hyri në një komë të pakthyeshme. Pikërisht atë ditë, asaj ju vra fryma, morali, edhe në ajër ndjehej që ajo u shndrrua ndryshe, por jo për më mirë. Ditën që politika shpalli se gjoja do i bashkohej protestës të mbetur tek Kryeministria, atë ditë asaj proteste, ju hoq edhe intubimi i fundit që e lidhte me jetën e dlirë që vec ajo e ka.

Protestës, nuk i duhet lëvizur shtrati, vëndi dhe orientimi, ndryshe ajo përdoret dhe qëllimi i saj korruptohet. Intrigantët partiakë të kamufluar në shumë trajta arritën tja lëvizin, shtratin, vëndin dhe orientimin.

Makineria e fëlliqur politike bashkëpunoi për të vrarë protestën më të bukur që është bërë këto dy dekada. Protesta më surprizuese, më energjike, më shpresëdhënëse dhe bashkuese ndër shqiptarë, më e pastra dhe ndër më të drejtat. Kjo makineri e fëlliqur, është e mirëorganizuar, me struktura por jo me moral, është e mirëorganizuar në intriga, që për hir të së vërtetës këtë rradhë i përdori fiks si një rrjetë merimange të zezë, ku morën pjesë shumë merimanga, si nga politika, si nga të rinjtë e skllavëruar, si nga pjesa më e fëlliqur e shoqërisë së paguar civile por dhe nga ëebmasterat partiakë. Kjo makineri e fëlliqur dhe e vjetër politike bashkë me kryeministrin arrogant, u tmerruan nga protesta e studentëve shqiptarë, u tmerruan bashkë dhe vec e vec, pasi ata vetëm për tre ditë arritën të bënin atë që shqiptarët nuk e bënë dot për 28 vjet, i nxorrën jashtë loje !!!

Ligji i Arsimit të Lartë dështoi me turp. Ai u votua në 2015 me 76 vota PS dhe LSI, dhe me heshtjen e PD ai hyri në fuqi, sidomos mbas dekretimit nga Presidenti i PD Nishani. Si shumë ligje me kontekst jo të qartë, ai edhe pse kanë kaluar tre vjet, nuk u implementua, nuk u zbatua, përkundrazi u shndrrua në një tub thithës në duart e mafies së Universiteteve, Ministrisë së Arsimit dhe cdo dallkauku tjetër me pushtet.

Sipas normave të Bashkimit Europian, raporti i Universiteteve është 1 për cdo 500.000 mijë banorë, normalisht dhe bollshëm në Shqipëri duhet të kishte 6 Universitete, ndërkohë ne kemi 14, për mos folur për Universitet private, për mos folur për numrin e profesorve, dekanëve, rektorëve, stafit administrativ, stafit akademik, stafit ndihmës akademik dhe shumë strukturave të tjera parazitare, ku të gjithë në mënyrë të organizuar thithin gjakun dhe mundin e familjeve të ndershme shqiptare. Kosova ka një ligj efikas, të hartuar me ndihmën e ndërkombëtarve, ligj I cili përbëhet nga vetëm 37 nene, ndërsa ligji butaforik shqiptar me 143, në Kosovën e varfër Arsimi I Lartë është falas, ndërsa në Shqipëri jo vetëm që është i shtrenjtë dhe me një pseudo tavan për ciklin e parë 3 vjecar, por për ciklin e dytë, masterin, nuk ka tavan hic, cka i jep dorë bordeve partiake të administrimit ti therrin me kuptimin e vërtetë të fjalës shqiptarët e mirë që vijnë nga familjet e ndershme shqiptare për të ndryshuar rrjedhën e fatit familjar por edhe personal.

Nuk do të doja të zgjatesha në 8 pikat e kërkesës, pasi unë i qëndroj fort mendimit që Ligji duhet të shfuqizohet dhe te rikonceptohet me pjesmarrjen aktive të studentëve, si dhe të ketë masa të egra administrative dhe penale, për abuzuesit e fondeve universitare, ndaj rektorëve që më shumë i ngjajnë Al Kapones se një drejtuesi të përkushtuar universiteti, ndaj dekanëve, sekretareve nervoze bashkëpuntore në krim, deri dhe tek sanitarja partiake që është hallkë “shëmbullore” e grabitjes së strukturuar që ka ndodhur në sistemin e arsimit universitar.

Për nivelin e profesorve është e kotë të flasësh, por jam e bindur që në shumicën e përcaktuar të rasteve, studentët janë më të zhdëvjellët më të azhornuar dhe më të përkushtuar kundrejt arsimit se sa ata, dhe kjo është dramatike. Jo më larg se dje dëgjova rastin e një profesore në Universitetin e Mjekësisë që porosiste pajisje shumë të shtrenjta gjoja për laboratorin e shkollës, ndërkohë i kishte për klinikën e vet private.

Dhe meqë po tregoj raste shumë kuptimplotë, për ta mbyllur me përdorimin partiak që po i bëhet kësaj proteste kaq legjitime, do të tregoj një ndodhi tjetër, përgjatë kampingjeve partiake të përvitshme në Jalë, mbasi një lektor i ardhur nga Tirana me pagesë mbaroi leksionin, organizatorët e kampingut, e ftojnë të zgjedhë dhe ndonjë prej vajzave që i kish pëlqyer dhe që kish qënë dëgjuese në atë “leksion” pasi po të donte do ja conin ne cadër gjatë natës… kjo është politika, ky është përdorimi i fëlliqur i kësaj makinerie kriminale, ky është dhe qasja dhe morali që kanë protestuesit partiakë të nesërm ndaj rinise shqiptare. Korrupsioni është një taksë e fshehur, ngadalëson investimet e huaja, shtrembëron tregjet, poshtëron meritat dhe shtyp shtetasit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?