Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha

Protesta e PD, ministri Hoxha: Shfaqje e shëmtuar, si kurrë më parë sulmuan edhe selinë e kundërshtarëve! Dhunuesit do përballen me drejtësinë

8 Tetor, 07:17| Përditesimi: 8 Tetor, 07:43

  • Share

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka reaguar pasi mbrëmjen e djeshme vizitoi në spital tre nga 10 efektivët e lënduar gjatë protestës së thirrur nga PD më 7 tetor. Ndërsa ka ndarë pamjet e takimit me efektivët, ministri Hoxha shkruan se policët u provokuan e u goditën, por ata vepruan konform ligjit dhe me profesionalizëm.

Një turmë të çoroditur nga një motivim politik absurd, i quan ministri Hoxha protestuesit e Partisë Demokratike, ndërsa shkruan se ata kapërcyen vijën e ligjit me akte dhune deri në sulimin si kurrë më parë të selisë së një partie kundërshtare.

Më tej, ministri thotë se çdo protestues që është përfshirë në akte të paligjshme do të përballet me drejtësinë.

"Ata, të cilët e orkestruan shfaqjen e shëmtuar të mbrëmjes së sotme në rrugët e Tiranës, kanë shkuar tanimë pranë familjeve të tyre.  Ndërsa ata, që fatkeqësisht nuk kthehen dot sonte pranë familjes janë tre efektivë policie, të cilët janë plagosur dhe do të qëndrojnë në spital, për të vetmen arsye se ishin në krye të detyrës.

I falënderova të tre efektivët dhe u urova kthim sa më të shpejtë në shtëpi. I falënderoj edhe njëherë të gjithë punonjësit e Policisë që u provokuan, goditën dhe madje u lënduan, por treguan profesionalizmin dhe maturinë e një trupe që reagon vetëm proporcionalisht, si një trupë evropiane e një shteti evropian.

Sot ata kishin përballë një turme të çoroditur nga një motivim politik absurd, ku një pjesë individësh kapërcyen vijën e ligjit me akte të dënueshme. U bllokua deri edhe rruga e autoambulancës, apo u sulmua si kurrë në ndonjë vend demokratik selia e një partie politike kundërshtare (përveç përsëritjeve klasike të sulmeve qorre mbi muret e institucioneve qendrore apo zjarrvënies së pemëve të “qeverisë” që nuk munguan edhe sonte).

Por pavarësisht absurditetit të shfaqjes së sotme të një “mosbindjeje civile”, që fyen inteligjencën e çdo qytetari të këtij vendi, Policia e Shtetit e kreu detyrën konform praktikave më të mira demokratike. Orkestruesit e kësaj shfaqjeje jocivile sonte do të flenë në shtëpitë e tyre dhe nuk do ta prishin gjumin, as për të çoroditurit nga blofi i “mosbindjes civile” që natën do ta kalojnë si persona në kërkim për aktet e tyre të paligjshme.

Çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh antiligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese. I garantoj qytetarët e këtij vendi se blofi i mosbindjes civile nuk do të prodhojë asgjë tjetër, përveç përgjigjes proporcionale dhe shteruese të ruajtësve të ligjit ndaj shkelësve të ligjit", shkruan ministri. 

10 policë mbetën të plagosur nga hedhja e molotovëve në protestë, ndërsa militantët e Berishë sulmuan edhe institucionet, nga Kryeministria, Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës, Bashkia e Tiranës, ndërsa nuk kursyen edhe selinë e Partisë Socialiste.  

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?