E teksa liderët e Bashkimit Evropianë do të jenë në Tiranë, në zemër të shqiptarisë më 6 dhjetor, për të bekuar linjën pro perëndimore të vendit tonë, në një kohë kur Ballkani po tronditet nga i “ftohti Siberian”, opozita, ajo pjesë e cila përfaqësohet nga Sali Berisha, ish Kryeministër, insiston për protestë. Një manifestim, i cili do të ishte e mirëpritur në një moment të tjetër, pasi vendi ynë ka shumë plagë për të cilat duhet ngritur zëri, por që më 6-dhjetor, kur Europa do të jetë në Tiranë nuk i qëndron kontekstit gjeopolitik.
Dhe këtu, mjafton të kujtosh se stabiliteti i Malit të Zi është nën trysninë e dallgëve të protestave, që pas kanë Kishën Ortodokse me degëzime Ruse. Mjafton të shohësh se Bosnja Hercegovina vuan trysninë e Dodik (Non Grata, nga SHBA për shkak të linjës pro ruso-serbe) dhe po ashtu, që Kosova e Serbia janë larg një marrëveshje dhe me tensione të shumta në mes, ku Beogradi mbetet ishulli i Kremlinit në Europë e Ballkan, kupton mjaft mirë se Shqipëria mbetet oazi i paqes dhe me bindjet më pro perëndimore në Ballkanin e zhurmshëm e shumë dimensional, ku rryma e Euroatlantike dhe i ftohti “Siberian” përplasen dhe rrezikojnë stabilitetin rajonit tonë dhe jo vetëm. Ky fakt dhe ky kontekst, e sjellin protestën e opozitës në një dritë jo të favorshme e cila më shumë se sa do të forcojë portretin e asaj opozite, që mbështet Berishën, rrezikon ta përkeqësojë pozitën e doktorit.
Thënë këtë, duke parë në sy dhe realitetin ekonomik, social e politik të vendit tonë, shesh qartë që nga njëra anë protesta e thirrur nga Berisha po demonizohet dhe nga krahu tjetër po shenjtërohet, si një mundësi e komunikimit të opozitës së përfaqësuar nga Berisha me Bashkimin Europianë, për ti treguar kësaj të fundit se doktori ka mbështetjen e qytetarëve dhe se “Non Grata” i shpallur nga SHBA dhe BE, ka në dorë fatet e opozitës në vendin tonë dhe më së miri këtë Sali Berisha, ish Kryeministër e theksoi këtë të enjten datë 1 dhjetor: “Madhështore, madhështore! Jo, liderët europianë nuk do keqkuptohen, ata nuk janë si Edi Rama. Liderët europianë janë liderë të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të tyre, dhe ata e dinë se nga vota e lirë buron shteti ligjor burojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Tani gjithçka është në dorë të protestuesve dhe të organizatorëve. Ata do të vendosin, por ne bulevardin nuk e lëshojmë”.
Ligjërata është e qartë, në kushtet kur mazhoranca lëshon sinjale se Berisha mund të shpallet “non grata” edhe në hapësirën e BE, liderët europianë duhet të kuptojnë se votuesit e duan doktorin dhe kjo duhet të respektohet prej tyre, në të kundërt, “gjithçka është në dorë të protestuesve dhe të organizatorëve”.
Këtij reagimi të ashpër dhe paralajmërues, për të mos e quajtur shantazhuesh, Kryeministri Edi Rama i’u përgjigj fare qartë, pas mbledhjes së qeverisë, duke thënë se masat e sigurisë nuk negociohen, madje ai saktëson se forcat e sigurisë shqiptare janë në kohezion me forcat e sigurisë së BE.
“Sa u përket masave të sigurisë, ato nuk negociohen me askënd. Ato vendosen bazuar te standardet dhe rregullat e vendosura nga Këshilli Evropian, që kudo ku bëjnë aktivitete, kanë masa standarde. Forcat tona të sigurisë bashkëpunojnë me forcat të BE. Këto nuk janë çështje opinionesh dhe mendimesh, këto janë masa shumë të rrepta sigurie, aq më tepër kur këto do vijnë të gjithë liderët europianë, siç nuk ka ndodhur ndonjëherë. Për to ka masa shumë të rrepta sigurie kudo që lëvizin”, thotë Kryeministri.
Pra, Kryeministri e qartëson se në rast se protesta merr trajta të dhunshme, përplasja nuk është vetëm me forcat tona të sigurisë, por edhe me ato të Bashkimit Evropianë, pra përplasja nuk është më vetëm brenda vendit, por përplasja e Berishës kalon kufijtë…
Në kuadër të kësaj panorame, e cila nuk favorizon në asnjë aspekt, në këndvështrimin tim opozitën e përfaqësuar nga Berisha, protesta e 6 dhjetorit është mjaft e rrezikshme për vendin tonë dhe për pro europianizmin e Shqipërisë. “Shqipëria pret me protesta liderët e BE në Tiranë”, këto me shumë siguri do të jenë dhe disa nga titujt e gazetave ndërkombëtare mëngjesin e 7 dhjetorit. Foto shoqëruese e artikullit, ajo e takimit të liderëve të BE që priten nga qeveria nga njëra anë dhe në krahun tjetër, një pjesë e opozitës në shesh duke protestuar. Kjo panoramë, s’do ishte aspak një marketing pozitivë për vendin tonë dhe ambiciet tona evropiane dhe akoma më shumë, për vetë Berishën do ishte një kthim pas, një gurë më shumë në duart e kundërshtarëve të tij politikë për të pasuruar artilerinë e akuzave të lidhjes së doktorit me Rusinë.