Fermerët e bashkisë së Vaut të Dejës akuzojnë se janë përjashtuar pa të drejtë nga subvencionet e shtetit për naftën dhe se përfitues janë zgjedhur persona fiktivë që nuk kanë as toka bujqësore. Pasi nuk gjetën zgjidhje në 2 protesta para bashkisë, fermerët e Vaut të Dejës iu drejtuan rrugës ligjore përmes një kallëzimi në Prokurorinë e Shkodrës.
Përgjegjësinë e shohin tek kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës Mark Babani dhe Eneida Selmanaj, drejtuese në Drejtorinë rajonale të Bujqësisë në Shkodër pasi pretendojnë se ndarja e naftës ka qenë abuzive dhe kanë përfituar punonjës të administratës e familjarë të tyre.
“Në listën e përfituesve janë gjetur punonjës të administratës, të drejtorisë së bujqësisë dhe të Bashkisë, dhe nuk përfitojnë pasi nuk kanë tokë të punuar. Ka përfitues që jetojnë jo në këtë bashki apo edhe jashtë Shqipërisë. Ka përfitues të së njëjtës familje, dhe kanë marrë naftë dy herë për të njëjtën tokë. Ka dy përfitues për një tokë. Nuk është bërë kontroll faktik në terren për të verifikuar përputhshmërinë e vetëdeklarimit. Nuk është publikuar lista e subjekteve të skualifikuar”, thuhet në kallëzim.
Prokurorisë i kërkojnë të bëjë hetime të shpejta për të mos rrezikuar tu prishen të mbjellat sezonale, të cilat nuk mund t’i punojnë dot me çmimin në rritje të naftës.
“I bëjmë thirrje prokurorisë të kryej një hetim të gjithanshëm e të shpejt, për shkak të situatës pasi kulturat e mbjella janë sezonale. Kërkojmë regjistrim të procedimit penal”, pohojnë ata.
Fermerët paralajmërojnë dërgim të çështjes deri në SPAK nëse nuk do të ketë reagim të shpejtë nga Prokuroria.
“Nëse nuk do ketë asnjë reagim ne do i drejtohemi Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, vijojnë më tej fermerët.