Mazhoranca e pret Partinë Demokratike për të kryer reformën zgjedhore, deri në 5 maj. Ky afat për punën e komisionit të posaçëm për këtë çështje do të miratohet nesër në Kuvend. Zyrtarisht Damian Gjiknuri do të marrë postin e bashkëkryetarit, në funksion të të cilit sot tha se nuk ka ndryshim të rregullave të lojës për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Socialistët kanë një ofertë për opozitën jashtë parlamentit. Sic shihet në dokument, vëzhguesin me të drejta të plota do ta ketë vetëm Partia Demokratike, dhe LSI-së i ngelet të përfaqësohet nga PD ose nga deputetët e rinj të saj.
Por për ta ulur PD-në në tryezën e diskutimit, Damian Gjiknuri e lë një derë të hapur.
"Tashmë jemi në fazën e implementimit të reformës për këto zgjedhje. Për arsye se PD ka dalë nga parlamenti dhe tashmë ka një grup tjetër deputetësh. Ne nesër do të bëjmë një amendim për t'i krijuar një mundësi Partisë Demokratike për të vëzhguar. Pavarësiht se janë jashtë kuvendit kanë një dritare të hapur, me të gjitha të drejtat që ka opozita në parim, me të drejtën e propozimit dhe kundërshtimit. Në cdo kohë që PD vendos të ulet në tavolinë për të kërkuar ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe PD e ka atë hapsirë ", u shpreh Gjiknuri.
Opozita e re parlamentare, sipas qëndrimit të deritanishëm, nuk do të përfillet në kërkesën e saj për ndryshime në sistemin zgjedhor.