Në ambientet e Katedrales Ortodokse u mblodh asambleja e Partisë Socialiste për Tiranën. Në takimin që zgjati për 1 orë e 40 minuta i pranishëm ishte edhe kryesocialisti Edi Rama. Tashmë prej ditësh drejtuesit politikë të PS në qarqe kanë nisur prezantimin me strukturat e partisë që pas zyrtarizimit të listës së drejtuesve politikë.
Kryesocialisti Edi Rama ka ndarë detyra dhe u ka dhënë porosi të tijëve. Në këtë takim me dyer të mbyllura është kërkuar angazhim maksimal nga anëtarët e Asamblesë, kryesisht të fokusuar në përgatitjet për zgjedhjet. Gjithashtu çdolloj koordinimi që do të kenë qoftë anëtarët e Asamblesë apo strukturat e tjera të PS-së, do e bashkëndajnë me drejtuesit e qarqeve.
Drejtuesit e qarkut të Tiranës i kanë ndarë detyrat e tyre, si më poshtë:
Elisa Spiropali do të ketë komunikim me bashkitë e Tiranës si Vora, Kamza, Rrogozhina dhe Kavaja, përsa i përket përgatitjes së fushatës për zgjedhjet e ardhshme.
Ogerta Manastirliu do të ketë në përgjegjësi koordinimin me strukturat e PS-së në Tiranë.
Erion Veliaj do të jetë përgjegjësi kryesor përsa i përket fushatës dhe përgatitjes së skuadrave së PS-së në Tiranë.
Mësohet se nr.1 i qeverisë u ka kërkuar anëtarëve të Asamblesë, sidomos të rinjëve, një angazhim më të madh në terren, koordinim me strukturat, përdorimin më shumë të rrjeteve sociale, sidomos TikTok-ut, si dhe afrimin e prurjeve të reja në PS.
Ndërkohë dje kryeministri Edi Rama i mblodhi të tijtë në Elbasan, ku grupi parlamentar u porosit të fuqizojë debatin publik e transparencën, më shumë aktivitet në rrjetet sociale, ndërsa objektiv shihet afrimi i elektoratit gri i cili është konsideruar më i rritur.
Deputetëve u kërkohet të jenë aktivë dhe të eksperimentojnë platformat më të suksesshme të momentit, përfshirë edhe Tik-Tokun. Fokus të madh është kërkuar t’i kushtohet votës së diasporës.