PS mbledh tryezën: S’ka plan
zhvillimi, kriza drejt rëndimit

18 Prill 2012, 17:24| Përditesimi:

  • Share
TIRANE – Partia Socialiste mblodhi sot tryezën për zhvillimin kombëtar, gjatë të cilës Eduard Shalsi tha se “Shqipëria ka një territor të degraduar”. Sipas tij, “nuk ka ende një plan zhvillimi afatgjatë” në vendin tonë.

“Për t’u integruar në Europë kemi nevojë për plane”, tha Shalsi.

Ndërsa lideri socialist Edi Rama theksoi se prej disa muajsh tashmë parashikimet e FMN-së për rritjen ekonomike janë gjithmonë në rënie. “Shqipëria po hyn në projeksionin e parashikuar prej nesh më pak se dy vjet e gjysëm më parë, të një kurbe në rënie”, tha Rama.

Sipas tij, “kriza nuk u pa me sytë që duhej parë” nga qeveria dhe kjo “sot na ka vendosur në një pozicion shumë të dobët karshi krizës”.

Lideri socialist nuk u duk optimist: “Kriza ka gjasa të përkeqësohet falë politikave qorre të qeverisë. Sot ekonomia shqiptare ka ngecur se modeli i zgjedhur për ta zhvilluar atë nuk është largpamës”. Sipas Ramës, programi i qeverisë për zhvillim mund të përmblidhet në fjalinë: “Pas meje u bëftë qameti”.

“Është proverbiale ajo që ndodh me çdo lloj përpjekje për t’u futur në arenën e konkurencës përmes sipërmjarrjes së lirë në Shqipëri. Shqipëria sot nuk ka përgjigje të qarta për asnjë sipërmarrje serioze. Në asnjë fushë. Është fakt që ne dëgjojmë për zhvillim të madh turistik. Qeveria, shteti shqiptar, nuk është në gjendje t’i japi përgjigje asnjë grupi investitorësh për të zhvilluar një projekt serioz turizmi. Sepse dy gjërat e para që kërkohen janë pronësia dhe plani i zhvillimit në një sektor”, tha Rama.

Sipas tij, “e njëjta gjë ndodh me të gjithë fushat e tjera. Flitet për Shqipërinë superfuqi energjitike në Ballkan. Ku është plani i përgjithshëm i zhvillimit kombëtar? Nuk ekziston. Në asnjë ministri në Shqipëri nuk gjen dot një plan territorial si pjesë e një plani kombëtar”.

Si shembull ai solli rastin e Bashkisë së Përmetit që “po bën një përpjekje modeste për të marrë ndihmën e konsulecës ndërkombëtare që të diskutojë dhe projektojë zhvillimin e mundshëm të turizmit në atë zonë. Të gjitha diskutimet kthehen në pikën zero se asnjëri nuk e di se çfarë ka në kokë kryeministri apo qeveria”.

“Në zonën më të rëndësishëm të vendit tonë, që është zona Tiranë-Durrës, në vend që të shohim një zhvillim të qëndrueshëm bazuar mbi një plan largpamës” kemi “një zhvillim kaotik”.

KONTROLL KONCESIONEVE
Rama përgënjeshtroi zërat sipas të cilave “dashkemi të anulojmë 300 koncesione”. “Ne nuk kemi thënë do t’i anulojmë por do t’i kalojmë në një proces transparence të plotë”, tha kreu i PS, dhe kjo sepse “çdokush që merr një koncesion ka disa detyrime strikte ndaj publikut dhe vendit”.

Këto detyrime, sipas tij, “ne na rezulton se në masën 99.99% nuk zbatohen. Kjo është e vërtetë për fabrikat e çimentove. Në kontrata, po t’i kishin zbatuar, aty ku shikoni ato malet e rrjepura, duhej të kishte pyje të mbjellura”.

E njëjta gjë përsa i përket koncesioneve në energjetikë. “Ne themi se do t’i rishikojmë të tëra jo për t’i anuluar por për t’i rivendosur në marrëdhënie të sakta bazuar në terma kontraktuale”.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?