Ish lideri i PS, Fatos Nano dhe kryministri Edi Rama

PS në 27 vjet, nga prangat e Nanos tek timoni i rilindjes së Ramës

12 Qershor 2018, 17:15| Përditesimi: 12 Qershor 2018, 17:40

  • Share

Si sot 27 vjet më parë, në 12 qershor 1991, Partia e Punës e Shqipërisë u transformua në një parti të re, me në krye Fatos Nanon. Ishte Partia Socialiste e Shqipërisë e cila u përball me partinë e parë opozitare, Partinë Demokratike si një format e filozofi e re, e largët me Partinë e Punës. 

Por fytyra e re ideologjike nuk mjaftoi për ta mbajtur gjatë në pushtet, pasi në vitin 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe Sali Berisha u bë President i Republikës. 

Fatos Nano e udhëhoqi Partinë Socialiste në një reformë të brendshme organizative e strukturore, por nuk do ta kishte aq të thjeshtë.  Në vitin 1993 Fatos Nano u arrestua me vendim të Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas ai u dënua me 12 vjet heqje lirie për shpërdorim detyre. 

Në Shqipërinë e demokracisë së brishtë, që po mësonte të ecte në një sistem të paprovuar më parë pas 45 vjetësh diktaturë, Fatos Nano ja doli edhe duke qëndruar në burg.  Ai e drejtoi Partinë Socialiste përmes letrave nga Burgu i Bënçës në Tepelenë, duke e orientuar PS-në drejt fitores elektorale në referendumin kushtetues të vitit 1994. 

Teksa Nano vijonte të ishte në burg, arrestim të cilin e quajti politik, PS nuk mori pjesë në zgjedhjet e vitit 1996. Situata politike në vend ishte tejet e tensionuar, dhuna u përdor ndaj opozitës deri në gjakosje gjatë protestave, ndërsa era e detrave ndërkombëtarë frynte në favor të socialistëve. 

Trazirat e shkurtit 1997 me Berishën në qeveri, mundësuan që në 12 mars kur burgjet u shpartalluan, Fatos Nano të fitonte lirinë. Një javë më pas Sali Berisha firmosi faljen e kundërshtarit të tij politik, i cili pak muaj më pas do t’i merrte pushtetin. Fatos Nano fitoi zgjedhjet në krye të një koalicioni të madh në Qershor 1997 dhe u bë Kryeministër në korrik.

Një grusht shteti në vitin 98 bëri që Nano të zhdukej nga skena politike e vendit, për tu rikthyer në vitin 2001 me procesin që ai e pagëzoi si katarsis apo vetëpastrim i PS-së. Koha e paqes brenda PS-së zgjati pak. Nano i cili kishte zgjedhur të promovonte herë Ilir Metën e herë Pandeli Majkon si kryeministër, nuk do ta kishte të lehtë të menaxhonte ambiciet politike të njerëzve të tij. 

Kështu Ilir Meta në vitin 2004, bashkë me një grup socialistësh të tjerë të niveleve të larta u shkëputën nga PS për të krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo përçarje ishte një nga arsyet kryesore pse në vitin 2005 PS humb zgjedhjet dhe del në opozitë, duke larguar Fatos Nanon përfundimisht nga drejtimi i Partisë Socialiste. 

Po në këtë vit, Edi Rama, asokohe kryebashkiak i Tiranës mori në dorë timonin e Partisë Socialiste. Me një lidership pikant, të ndryshëm nga ai i Nanos dhe i pakursyer, duke drejtuar partinë në opozitë, Rama fitoi një mandat të dytë në krye të bashkisë Tiranë edhe në vitin 2007. 

Katër vjet më pas, në vitin 2011, pas 12 vjetësh si kryebashkiak i Tiranës, për vetëm 10 vota më shumë, Edi Rama ja liroi karrigen Lulzim Bashës. U rikthye 100 % në funksion të Partisë Socialiste e cila ishte në opozitë, dhe brenda dy vjetësh, futi brenga gardhit të koalicionit të tij, LSI-në dhe dërgoi Sali Berishën në opozitë pasi kishte shijuar për 8 vjet karrigen e kryeministrit. 

Viti 2013 solli tjetërsimin e ngjyrave të partisë, flamujve të saj e u kristalizua teza politike e “Rilindjes”. Por Ilir Meta nuk rilindi.  Sikundërse me Nanon, edhe për Edi Ramën, Ilir Meta nuk qe në garanci qetësie dhe dashurie. Rama qeverisi vendin për 4 vjet, me gjakun e ngrirë se aleati i tij, mund të kthehej në varrmihësin e qeverisë së tij. 

Duel i madh u zhvillua edhe mes të vetëve. Shumë nuk ishin të kënaqur me ndarjen e tepsisë me LSI-në, e të tjerë nuk binin dakord me mënyrën se si Rama po drejtonte partinë. Ben Blushi ishte njëri prej tyre. 

Reforma në drejtësi ishte test i madh, por Rama e kaloi, dhe nuk u la kurrë vetëm nga ambasadorët e fuqishëm në vend.  Në vitin 2017, duke hequr qafe aleatët, pasi kishte provuar edhe të bashkëqeveriste teknikisht me Lulzim Bashën, e me një listë kandidatësh që linte jashtë thuajse të gjithë “dëshmitarët” e socialistëve të vjetër (Leskaj, Dokle, Dade e kundërshtarin Blushi), Edi Rama e mori të gjithë tepsinë e pushtetit për vete, ashtu siç e kishte dëshiruar. 

Në këtë ditëlindje të 27-të të Partisë Socialiste, e cila që prej viti qeveris e vetme, përballet me akuza të rënda nga opozita, por asnjë prej kauzave të kundërshtarëve nuk e ka lëkundur karrigen nga ku Edi Rama vendos për vendin, duke pritur notën e provimit të 28 qershorit nga Këshilli Evropian për hapjen ose jo të negociatave.

Komento

Komente

  • Kafsha: 13/06/2018 08:31

    Bajgëri e gjallë!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?