Berisha dhe Yuri Kim

Pse Berishës iu rikthye makthi se, SHBA po kërkon arrestimin e tij

10 Prill 2023, 18:54| Përditesimi: 10 Prill 2023, 18:55

  • Share

Sali Berisha ka kohë që jeton me makthin, sipas të cilit SHBA përmes ambasadorëve të saj në Tiranë po kërkon tek prokurorët dhe gjyqtarët që ta arrestojnë dhe ta fusin në burg.

Eshtë një paranojë, e cila jo vetëm nuk e lë të flejë rehat, por e ka ngritur në këmbë në pleqërinë e tij të thellë, duke e detyruar që të endet rrugëve në krye të një grupimi brenda PD, për të treguar forcë dhe ‘muskuj’ para ithtarëve të vet por dhe para drejtësisë së re shqiptare. Ku për hir të së vërtetës deri më tani ia ka dalë, pasi drejtësia është e tulatur dhe nuk i përmend as emrin, jo më të zërë me dorë ndonjë dosje të rëndë të tij.

Makthi i Berishës ka filluar që herët, që në atë kohë të vështirë teka ish kreu i Prokurorisë shqiptare Adriatik Llalla, për të shpëtuar veten nga shkarkimi por dhe nga akuzat për pastrim parash dhe abuzim me detyrën, kërkoi që të tërhiqte në konflikt dhe dy nga mbështetësit e tij më të fortë, Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Meqë jemi tek Berisha, Llalla në atë kohë deklaroi se ambasadori i atëhershëm amerikan në Tiranë Donald Lu i kishte kërkuar as më pak dhe as më shumë por arrestimin e Sali Berishës, për abuzimet e shumta që ka mbi kurriz, por dhe si faktor destabilizues në vend. E bëri publike akuzën e tij Llalla, madje e zyrtarizoi dhe me një letër të hapur dërguar DASH në atë kohë ku ankohej për ish ambasadorin Donald Lu.

Ish kryeprokurori, që sot gjendet në arrati pasi është dënuar nga gjykatata shqiptare me 2 vite burg për një sërë akuzash, ishte shpallur familjarisht nga SHBA person ‘non grata’, me argumentin se kishte ndihmuar abuzuesit me pushtetin, që të mos përballeshin me drejtësinë. Asokohe Llalla akuzoi ish ambasadorin Donald Lu për korrupsion, dhe lobim në favor të një kompanie amerikane në Shqipëri.

Në atë kohë Berisha vërtetë u tremb, doli në mbrojtje të Llallës duke sulmuar ish ambasadorin amerikan në Tiranë me të njejtat argumente që kishte përdorur ish Prokurori i Përgjithshëm ‘beniamin’ i tij, si dhe nisi përgatitjen e terrenit për të dëbuar Lulzim Bashën nga drejtimi i PD. Pasi kishte parandjerë shpalljen ‘non grata’ në SHBA dhe përballjen me drejtësinë, ndaj i duhej Partia Demokratike si një mburojë politike për hallet e tij personale.

Ishte një përpjekje e fortë e Berishës për t’u rikthyer në politikën aktive, një rast i pangjashëm sëpaku në rajon dhe Europë, çka rezultoi me ndarjen e PD në disa pjesë, ndërkohë që vetë përmes “Rithemelimit”, duam apo s’duam ne, arriti që të marrë nën ‘komandë’ shumicën e anëtarësisë së demokratëve. Ku PD-në zyrtare e çoi drejt shuarjes, ndërkohë që pjesën më të madhe të anëtarësisë e çoi si ‘pajë’ tek Partia e Lirisë, për të kurorëzuar ‘martesën’ e dytë politike me Ilir Metën. Me të cilin tashmë ka nisur të dalin dyshe dhe në fushatën elektorale të 14 majit, në takimet për mbështetjen e kandidatëve të ‘primareve’ që janë të “Rithemelimit” të tij, por dhe për të treguar se janë bashkë, dhe janë opozita më e fortë në vend.

Dhe kur mendohej se makthi ndaj SHBA se po kërkon arrestimin e tij kishte nisur të fashitej, Berisha me një deklaratë të fortë ditën e sotme tregoi se ky makth është rikthyer sërish dhe nuk po e lë të qetë. Mbetet mister të dimë se çfarë ka dëgjuar Berisha këto ditë që është trembur kaq shumë, pasi ka mbi një javë që nuk pushon sulmet ndaj ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim, ku përpos akuzave si “Guvernatore në Shqipëri”, “Mcgonigal me fustan” dhe epitete të tjera që Berisha nuk vuan t’i gjejë, sidomos kur ia fut kot dhe është në hall në madh, tashmë ka hedhur në tregun politik dhe akuzën për korrupsion të ambasadores dhe ka rikthyer sërish frikën që ka pasur që herët se mos Yuri Kim po kërkon nga prokurorët arrestimin e tij dhe futjen në burg.

Njëlloj siç veproi me Donald Lu bashkë me Adriatik Llallën. Për të qënë korrekt mbi sjelljen e Berishës dhe makthin që e ka kapur se mos prokurorët shqiptarë do ta arrestojnë, për shkak se e kërkon Yuri Kim, po citojmë në mënyrë lineare deklaratën e kreut të “Rithemelimit”, që është botuar në mediat që e mbështet më fort dhe që shumëkush e quan median e familjes së tij.

“Unë kam respekt të madh për zotin Menendez, udhëheqës i Komisionit për Politikën e Jashtme të Senatit të SHBA. Ambasadorja, të cilën unë e quaj guvernatore, ka tejkaluar çdo lloj limiti të mandatit të saj, të normave, të respektit, të sovranitetit të një vendi. Për shkak të mashtrimeve që ajo i ka bërë qeverisë së saj, ajo ka ndërmarrë akte të dënueshme ndaj drejtësisë shqiptare.

Mjafton të kujtoj këtu se prokurorët që ajo ka kapur vazhdimisht me kërkesën staliniste se pse nuk e arrestoni Sali Berishën. Disa prej tyre do kishin dashur t’ia plotësonin atë dëshirë, por kanë marrë përgjigje se nuk rezulton asnjë fakt, asnjë dokument”, deklaron mes të tjerave Berisha.

Eshtë një deklaratë që tregon më së miri se Berisha është frikësuar, i është rikthyer makthi i arrestimit dhe futjes së tij në qeli dhe se po kërkon ta bëjë publike një gjë të tillë. Në pamje të parë kjo shihet, por ndjehet dhe fakti se Berisha është koshient për zullumet që ka bërë në këto 32 vite në kupolën më të lartë politike të vendit, herë president, herë kryeministër dhe gjithëherë kryetar i PD. Eshtë i bindur dhe vetë se e meriton me të vërtetë burgun.

Po pse e përmend tani, kur ka pak më shumë se një muaj nga 14 maji, dita kur zhvillohen zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri?

Në krye të herës Berisha e di si dreqi se humbjen e ka të sigurtë përballë mazhorancës së drejtuar nga Rama, dhe sikur të marrë 5 bashki në të gjithë vendin, nga 61 bashki që janë gjithsej, është më i lumturi i botës. Për të ka rëndësi më shumë pjesëmarrja me kandidatët e “Rithemelimit” se sa fitorja në zgjedhje. Por akoma më shumë rëndësi për Berishën ka zhvendoja në vend të tretë në renditjen e partive politike në vend, të PD-së zyrtare të drejtuar nga Alibeaj, për të treguar se asaj nuk i vlen vula që mori nga Apeli. Por dhe për të treguar se është forca e dytë politike në vend, bashkë me Metën, dhe se me të duhet të negociohet. Anipse nuk e takon askush, pasi është një ‘non grata’ funksional jo vetëm në SHBA e Britani, por dhe në vendet anëtare të BE e rajonit. Ndonëse nuk e kanë shpallur ende si të tillë.

Berisha e përmend makthin se SHBA e kërkon nën arrest e në burg, për të krijuar alibinë tashmë të njohur se këtë rezultat më 14 maj, ndonëse humbës, e ka arritur “në një luftë të fortë me qeverinë e Edi Ramës, dhe sidomos me SHBA”, e cila përmes përfaqësuesve të saj, jo vetëm që nuk do fare në politikë, por e do dhe në qeli. Pra kërkon të zgjojë te mbështetësit e tij sentimentin e shprehjes së kahershme të Enver Hoxhës, që “po punojmë dhe luftojnë si në rrethim, për shkak të imperializmit amerikan dhe revizionizmit që i kanë halë në sy”. Nuk është se nuk ngjit tek të gjithë ndjekësit e Berishës, të cilëve u ka bërë lavazh truri, pavarësisht në të vërtetë këshilla amerikane ka qënë vetëm zgjedhja drejt orientimit perëndimor dhe demokracive të konsoliduara për të gjithë shqiptarët. Pra dhe për demokratët është një zgjedhje e tillë.

Por Berisha përmend burgun që kërkojnë amerikanët për të, dhe për shkak të frikës që ka ndaj hapjes së mundshme të dosjeve të tij që janë në SPAK. Janë dosje të rënda këto, që kanë të bëjnë me abuzimin me pushtetin në shuma të mëdha miliona eurosh dhe mbi të gjitha janë shoqëruar dhe me humbje jete nga qytetarë të pafajshëm, si ai i Gërdecit, biznesit të djalit të tij Shkelzen, afera e CEZ-DIA, e privatizimit të ish kompleksit “Partizani” dhe vrasja nga Garda e Republikës e protestuesve të opozitës më 21 janar 2011. Janë dosje të rënda këto që nëse hapen dhe drejtësia vendos siç duhet, përgjegjësit e kanë të vështirë të dalin gjallë nga burgu.

Por ajo që e tremb aq shumë Berishën është dhe zbardhja e fakteve, zyrtarisht themi, se ai është financuar me gjysmë milioni dollarë nga Kremlini për të destabilizuar vendin e më gjërë rajonin. Kjo është një akuzë e fortë dhe në një vend me drejtësi normale, duhej të ishte thirrur me kohë dhe me vakt për të dëshmuar mbi këtë maskarallëk në kurriz të sigurisë kombëtare të Shqipërisë, rajonit por dhe aleatëve tanë të NATO-s të kryesuar nga SHBA.

Berisha ndjehet i trembur shumë nga zbardhja e këtyre fakteve, ndaj ka kërkuar t’i dalë të ‘keqes’ përpara, duke përzgjedhur si ‘armik në dizpozicion’ ambasadoren amerikane Yuri Kim, të cilën e akuzon për korrupsion dhe se po kap prokurorët që ta arrestojnë ish kryeministrin që kryeson dhe grupimin më të madh në PD. I volit ta kthejë këtë çështje në politike, anipse nëse drejtësia merret me këtë dosjen e financimit rus, është çështje thellësisht kriminale dhe një ‘thikë pas shpine’ ndaj Shqipërisë, shqiptarëve por dhe aleatëve.

Ndaj Berishës i është rikthyer makthi i arrestimit sipas tij, të kërkuar dhe nga ambasadorja Yuri Kim. Këtu ndoshta ndikon dhe fakti që vetë e di se e ka tejkaluar zullumin, ndonëse e di se drejtësia shqiptare është aq e pavarur, sa në përballjen me të, është e ‘pavarur’ dhe nga profesioni dhe betimi për drejtësi, sa nuk i zë asnjë dosje me dorë madje nuk i përmend as emrin. Ndoshta kanë ndikuar dhe opinionistët, mes të cilëve Ngjela që i ka futur ‘xixat’ Berishës me deklarata për arrestime, FBI, CIA dhe e është katandisur në këtë gjendje të pushtuar nga paranoja.

si Berisha po bën gjithçka për ta paraqitur humbjen e tij në zgjedhjet e 14 majit dhe shkatërrimin e PD nga themelet, si pasojë e përballjes më shumë se sa me Edi Ramën, të përballjes me SHBA-të, ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim. Madje dhe duke futur frikën e arrestimit të kërkuar nga ambasadorja, si për të thënë se nuk ka dalë keq në zgjedhje grupimi i udhëhequr prej, pasi kishte presion të fortë. Por dhe frikë ka Berisha.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lami: 11/04/2023 01:07

    Le per te deshiruar po e po por edhe komplet anadollake ne njohje te ligjit. Si duket veti tipike duke filluar nga Rama e poshte ne servilet e tij skllever. Si keta ne media. Ne SHBA arrestimi kryhet per krime ne nivel shtetesh ose federal, sipas juridiksionit, dhe me vendim te gjykates perkatese. Deklarata ose jo e nje ambasadori "pse nuk arrestoni" kete apo ate, ne minimum eshte nje skandal me vete diplomatik, por ta lexosh ate si "arrest nga Amerika" me fal por eshte e llojit "Trashesi ku ke rrenjet e tua"!!! Cti besh thuaj. Kur faji eshte bere qyrk dhe ca capacule mediatik i bejne temena nate e dite per dite....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?