Deklarata e sotme e Ambasadës së SHBA pas dhënies së vulës së PD-së, Sali Berishës, ishte mëse e pritshme. Por që në realitet nuk se mund të imponojë ndryshim çdo vendim procedurial apo edhe ligjor në Tiranë në politikën e një superfuqie siç është SHBA.
Zërat folklorik të njerëzve të Berishës që përmendin “mbështetjen popullore”, si shkak të kësaj rezistence, jo vetëm që nuk ndikojnë, por thjesht acarojnë dhe gërryejnë realitetin politik brenda opozitës.
Pasi nuk ka asnjë sens që të mos kemi një reflektim politik të një fuqie politike të një vendi të vogël si Shqipëria, ndaj një qëndrimi gjithashtu politik të një superfuqie si SHBA. E cila është aleate e ngushtë jo vetëm në NATO, por në të gjithë hapësirën e marrëdhënieve. Edhe vende të mëdha si për shembull Gjermania apo Italia për shembull, në vite kanë mbajtur shënimet dhe reflektimet e veta pas qëndirmeve të aleatit të madh në vite, e këtu nuk ka asnjë gjë të keqe.
Rezistenca pa sens nuk është gjë tjetër veçse një qëndrim i qartë politik antiamerikan. E këtë e kupton edhe një student i shkencave politike apo ndjekës i zhvillimeve, e jo më zyrtarët e një vendi që politikën e ka shkencë që çon përpara vendin.
Ajo që është e rëndësishme të kujtohet sot, nuk është përsëritja e qëndrimit amerikan për Sali Berishën, pasi kjo është rutinë, por shtyrja nga SHBA, e një aksioni politik të rëndësishëm dy vjet më parë, që mund t’i kishte dhënë opozitës shqiptare një fuqi edhe freski më të madhe.
Dy vjet më parë, në mbështetjen për Lulzim Bashën dhe ekipin e tij, SHBA tentoi njësoj sin ë vitin 1990 të përkrahte një forcë të re politike opozitare, e cila synon të sjellë ndryshimin.
Dështimi i këtij misioni nuk ndodhi fare për shkak të SHBA. Pasi në të gjitha rekordet elektorale dhe sondazhet, është e qartë se në shoqëri, përkatësisht në elektoratin opozitar ka një lokomotivë të qartë që është anti-berishiste. Pra kërkon një projekt politik krejt të kundërt me modelin berishjan të së djathtës shqiptare.
Ky projekt dështoi sepse nga njëra anë Lulzim Basha ka treguar mungesë të qartë lidershipi, kurse grupi rreth tij, ka treguar se nuk ka as vizion, e as qëllim. Por thjesht objektiv për t’ju ngjitur më të fortit për të marrë një mandat deputeti.
Ai aksion politik i SHBA, është nga ato rastet kur nuk të vjen shpesh në jetë. Siç erdhi në 1990 apo 1999. Kush nuk e kap këtë rast, thjesht nuk ka lidhje me intuitën dhe një mendimi politik.
Ne sot është e qartë se do shkojmë në zgjedhje me një parti, përkatësisht dy parti të njollosura nga Perëndimi, e që në qëndrime politike janë e kanë qenë kundër Perëndimit, po ky nuk është as faji i SHBA e as fati i saj.
Është faji i klasës politike që ka prodhuar opozita shqiptare, e cila për një vend deputeti ka vendosur që të bëjë gavetën poshtë ballkonit.
E cila natyrisht nuk do të jetë gjithmonë aty, pasi mund të kemi zhvillime edhe me vibruese. Por logjika e mos kapjes së momentit të artë që Perëndimi i dha PD-së, është një dëshmi se kemi të bëjmë me një shkretëtirë politike në opozitën shqiptare.
Por kjo nuk do të thotë se në këtë shoqëri opozitare nuk do të lindi një forcë e re anti-Berishë. Vetëm se tashmë nuk do të dalë nga zyrat e SHQUP, e më mirë që të jetë kështu…/ Tema