Në foto: Mure të bendshme të ndërtesës së Teatrit Kombëtar sot

Periferi

Pse disa shqiptarë të 2018 janë më pas se ata të 1940?

4 Korrik 2018, 18:06| Përditesimi: 4 Korrik 2018, 18:08

  • Share

Kushedi si do të reagonte sot inxhinieri dhe arkitekti italian Giulio Berte' për godinën e Teatrit Kombëtar... sa keq që nuk e kishte menduar të tillë, ta bënte më të bukur, më të fortë, më sharmante siç bëri vilën e Mbretit Zog, sot Pallati Brigadave apo vilën e kryebashkiakut Nepravishta.  Berte', pasi kishte sistemuar lulishten në qendër të Tiranës, në korrikun e nxehtë të 1935, 83 vite më parë, nisi  projektimin dhe realizimin e Vilës Nepravishta, të zotit Abedin Nepravishta, kryebashkiak i kryeqytetit shqiptar nga viti 1934 deri në 1939.

Kryebashkiaku i atëhershëm, në kontakt me arkitektët italianë që i ndryshuan fytyrën kryeqytetit (nga një pamje thellësisht orientale), kishte vendosur t'ia besonte ndërtimin e vilës së tij pikërisht Bertesë edhe pse nuk ishte ndër më të famshmit e më të rëndësishmit arkitektë italianë në vend.

Armando Brasini, Florestano di Fausto, Gherardo Bosio, janë tre emrat që i ndryshuan fytyrën Tiranës, e qyteteve kryesore shqiptare. Janë të tyret planet rregulluese, institucionet kryesore, ministritë, institute.

Giulio Berte', i cili ishte mik i Florestano de Faustos, bëri planin rregullues të Burrelit, qytetit të Mbretit Zog, pastaj vilën e këtij të fundit në kryeqytet, atë që ne sot quajmë Pallati i Brigadave. Berte' njihej si arkitekti i vilave të të pasurve shqiptarë të kohës, por si mik i Florestano de Faustos, bëri dhe ndonjë punë të vogël si sistemimin e lulishtes në sheshin kryesor para bashkisë dhe Vilën private të Mbretit Zog, si dhe kapanonin e dopolavoros, sot Teatri ynë kombëtar.

Po si do të ndihej sot, në këtë korrik të nxehtë të 2018, arkitekti elegant italian, ndërsa dëgjon të përmendet e të përmendet?  Si i sheh disa individë që kanë mbërthyer duart në kashtën e mureve që ai bëri për atë dopolavoro? Me siguri, nëse shpirti nuk vdes, siç thonë, ai do t'i ketë ndjekur debatet e Shqipërisë moderne, do t'i ketë parë të njëjtët individë që u kapën te pemët e Këndit të Lodrave, të njëjtët që gjerbnin kafenë kioskave të Parkut Rinia apo restoranteve buzë Lanës, që nuk ua kanë vrarë asnjëherë sytë as ndërtesat e tmerrshme në hyrje, në qendër e në periferi të kryeqytetit e madje janë banorë të trishtë të tyre, të kenë mbërthyer me thonj godinën e tij, të ngritur nxitimthi në atë kohë të largët.

Së pari, do ta trembë agresiviteti i tyre, forma e përmbajtja e seicilit, por ajo që mund ta trishtojë më shumë është se do të donte ta kishte bërë atë godinë ndryshe. Kush parashikoi rrjedhën e ngjarjeve në Shqipëri, që arkitekti fin italian të parashikonte se ç'jetë e vlerë do të merrte në kokën e disave ajo dopolavoro?

Por më shumë, kush mund të parashikonte se individë të caktuar, për inate e pazhvillime personale, do të ngjiteshin në kryeqytetin që më në fund po merr frymë zhvillimi e qytetërimi, si tartabiqet?

Sheh Giulio Berte' planin urbanistik të Stefano Boerit dhe percepton të ecë përpara puna e miqve të tijë arkitektë, sidomos puna e mikut Florestano de Fausto, arkitekti që bëri Bashkinë e të gjitha ministritë më të rëndësishme. Apo, që arkitekti me famë botërore Bjarke Ingels të realizojë sot një teatër të bukur, modern, të fortë e të përshtatshëm, si ai që Vëllezërit artëdashës Qosja i kishin porositur arkitektit Ivo Lambertini në vitin 1942, një Teatër e Kinema fantastikë në rrugën e Kavajës: Salla me siguri gjermane, akustikë të mirë, shikueshmëri perfekte, skena e gjatë 17 metra dhe e gjërë 22 metra, krahasohej me skenat më të mëdha të qyteteve europiane të epokës. Projekti u bë, por nuk u realizua. Mbeti një ëndërr.

Kështu ëndërronin shqiptarët dhe biznesmenët e Shqipërisë në vitet para diktaturës. Arkitekti Giulio Berte' punoi e realizoi me shqiptarët e asaj kohe dhe bëri bashkë me ta gjërat më të bukura. Veç dopolavoros.

Komento

Komente

  • AGRON: 05/07/2018 18:13

    ESHTE QARTESISHT NJE GRABITJE E PRONES PUBLIKE

    Përgjigju
  • Anonim: 05/07/2018 16:07

    Hajduteri e paskrupull. Shkaterrimi i vlerave historike vazhdon.

    Përgjigju
  • Nfndnddndn: 04/07/2018 18:21

    Gjithcka per te justifikuar nje vjedhje te permasave te medha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?