E vlerësojmë punën e SPAK të bërë deri më tani. Duam të besojmë se është në rrugë të mbarë dhe investimi i partnerëve tanë ndërkombëtarë si dhe i shqiptarëve për drejtësinë e re do të jetë ‘rentabël’, në mënyrë që të marrë fund njëherë e mirë pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë të kapur në korrupsion në këtë vend.
Për fatin e mirë të drejtësisë dhe të shqiptarëve, qeveria e socialistëve dhe kryeministri Edi Rama jo vetëm që nuk kanë ndërhyrë në asnjë moment në punën e SPAK apo të Gjykatës Speciale, por e kanë mbështetur me tërë forcat. Dhe kur subjekt i SPAK kanë qënë ish zyrtarë, ish ministra e deri ish zv.kryeministër, përfaqësues të PS.
Prokurorët apo gjykatësit specialë, të cilët kanë hetuar korrupsionin e këtyre zyrtarëve si dhe kanë vendosur për hetimin e tyre nën arrest me burg, jo vetëm që nuk janë sulmuar dhe penguar në punën e tyre, por nuk u është përmendur emri asnjëherë nga përfaqësuesit e mazhorancës.
Madje duket sikur ‘zelli’ i SPAK për të hetuar si dhe për të burgosur ish zyrtarë e deri ish zv.kryeministra të PS ka qënë dyfish. Sikur e kanë bërë punën e tyre hetimore me shumë ‘inat’. Dhe ua shtoftë Zoti ‘inatin’ për ta bërë punën siç duhet dhe brenda të gjitha parametrave dhe kornizave ligjore. Zotin t’i luajnë, kusur të mos lënë ndaj të korruptuarve në këtë vend.
Kush është përlyer në korrupsion duke shfrytëzuar postin zyrtar, duhet të paguajë, madje shumë shtrenjtë. Dhe për më tepër ato të shkreta para duhet të kthehen në arkën e shtetit, se aty është tërë puna. Sepse gjithkush bën burg për 5 apo 10 milionë euro, pastaj del dhe i gëzon familjarisht ato para, të vëna pa djersë dhe mund. Fundja ‘relaks është; deri në 5 vjet në burg bën gjithkush, duke pasur parasysh se jashtë e presin miliona euro të vjedhura, për t’i gëzuar gjithë jetën.
Nuk është e vështirë të identifikohen pasuritë e të korruptuarve. Mjafton të zbresësh në resortet turitike në bregdetin Adriatik e Jon, që nga Shiroka, Rana e Hedhun, Gjiri i Lalzit e deri në Himarë e Sarandë, si dhe në të gjitha rezidencat lukoze në Tiranë e zonat e tjera më të shtrenjta dhe i merr vesh me detaje se të kujt janë, në emër të kujt janë. Ta tregojnë me shumë dëshirë ata që banojnë rreth e rrotull. Pikërisht nga këto pasuri duhet të fillohet sekuestrimi nga drejtësia. Pastaj të ‘ngjiten’ tek transaksionet, që nxirren lehtë, shumë lehtë, nëse ke dëshirë dhe vullnet.
Por duke mos dashur të hyjmë në punët e drejtësisë, SPAK dhe Gjykata Speciale dinë çfarë bëjnë, madje paguhen rëndë për të ditur se çfarë bëjnë, ajo që duam të nxjerrim në pah është një dukuri që ka kohë që po shfaqet në marrëdhëniet mes drejtësisë së re dhe dhe publikut shqiptar.
E kemi fjalën për ‘rrjedhjen’ e informacioneve dhe të tërë dosjes hetimore në ngarkim të të akuzuarve, përmes mediave, te publiku shqiptar. Që nga akuza, që nga deklarimet e të marrurve të pandehur, kryesisht ish zyrtarë dhe deri ish zv.kryeministra, të familjarëve të tyre, e deri tek komunikimet telefonike apo me ‘asete’ të tjera të teknologjisë më të lartë, kanë zënë vend në mënyrë të plotë në të gjitha faqet e mediave shqiptare. Madje dhe përbërja familjare e këtyre të akuzuarve deri tek brezi i tretë, lidhjet e krushqisë dhe elementë të tjerë të hollësishëm, kanë ‘rrjedhur’ nga dosja hetimore e SPAK përmes mediave tek publiku.
Nga ana gazetareske, si përfaqësues i medias mund të them thjeshtë vetëm një gjë: Ju lumtë gazetarëve që kanë arritur të kapin lajmin, të zbardhin dosjen dhe të furnizojnë publikun deri në detaje me informacione nga dosjet hetimore për të akuzuarit nga SPAK për korrupsion dhe elementë të tjerë të shkeljes së ligjit, për lidhjet korruptive në të gjitha shkallët. Gazetarët po kryejnë detyrën e tyre për informimin e publikut me përpikmëri. Për atë punë paguhen.
Por ajo që ‘kërcet’ në këtë drejtim është fakti se po shkelet ruajtja e sekretit hetimor nga prokurorët e posaçëm. Të cilët, përpara se të deklarojnë se po ushtrohet presion ndaj tyre apo po kërcënohen e gjëra të tjera të këtij lloji, që gjithsesi janë të papranueshme dhe i dënojmë, duhet që të ‘shtrëngojnë’ fort dosjet e hetimit dhe të bllokojnë ‘rrjedhjen’ e informacioneve apo gjithë dosjes tek publiku. E kanë detyrim ligjor një gjë të tillë, por dhe detyrim njerëzor. Pasi në vend që të bëhet hetim dhe gjykim nga organet kompetente të drejtësisë që paguhet për këtë punë, të akuzuarit po i nënshtrohen ‘gjyqit popullor’, sikurse ka ndodhur . Janë kthyer ‘telenovelë’.
Dhe ne shqiptarët jemi të aftë ta bëjmë këtë gjë dhe kur s’kemi asgjë në dorë. Duke penguar punën e vetë drejtësisë, por dhe larg qoftë, duke ndikuar të vendimmarrjen e kësaj drejtësie, e cila e ka për detyrë të punojë e qetë dhe të merret vetëm me provat dhe faktet dhe jo të shërbejë, në raste të caktuara si ‘gazetar investigativ’ për dosje të caktuara në ngarkim të të akuzuarve, dhe duke ngatërruar si pa dashje hetimin gjyqësor me shou-n mediatik.
Nuk di nëse parashikon sanksione të rënda ligji, për ‘rrjedhjen’ i informacioneve të dosjes hetimore, është shumë e lehtë të gjendet se nga doli dosja e plotë për të shkuar në duart e mediave dhe për pasojë në dispozicion të publikut, por ajo që dimë në parim është se duhet ‘mbajtur dora’ një çikë, pasi po dëmtohen hetimet në tërësi, por dhe për jepen ‘pretenca’ të padëgjuara nga politika dhe publiku për të akuzuarit, të cilët përderisa ende nuk janë dënuar, parimisht janë të pafajshëm.
Po nëse dalin dhe me vendim gjykate të pafajshëm të akuzuarit respektivë të “linçuar” kush mban përgjegjësi për gjithë linçimin që i është bërë në publik nga politika dhe rrjetet sociale, mbështetur mbi informacionet e rrjedhura nga SPAK, për tërë dosjen e hetimit. Besojmë se duhet ndalur kjo sa të mundet. Ose na bën të mendojmë se ka futur dorën politika në këtë mes.
Elementi i dytë që na bën përshtypje, por dhe që na e konfirmon shqetësimin se ‘rrjedhja’ e informacioneve nga dosjet hetimore në ngarkim të ish zyrtarëve të lartë është e ‘orientuar’, është se nga cila kategori dosjesh dhe emrash të akuzuar kanë rrjedhur informacionet hetimore nga SPAK përmes mediave tek publiku, për të qënë pjesë e ‘gjyqit popullor’ ndaj të të akuzuarve.
Kemi vënë re gjatë gjithë kësaj kohe se kanë rrjedhur në masën 100 përqind informacionet nga dosja hetimore e ish ministrave, e ish zyrtarëve të lartë, ish kryebashkiakëve dhe njerëzve të lidhur me to, të cilët kanë përfaqësuar mazhorancën socialiste në qeverisjen e vendit. E themi me bindje të plotë. Ka rrjedhur dosja hetimore në ngarkim të ish ministrit Lefter Koka, ish ministrit Saimir Tahiri, ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, ish deputetit Alqi Bllako dhe e zyrtarëve të tjerë socialistë të cilët kanë qënë dhe janë nën hetim nga SPAK.
Ka ‘rrjedhur’ e tërë dosja në ngarkim të këtyre zyrtarëve, në media. Madje dhe kujt i kanë thënë mirëmëngjes, kë ka kushuri të tretë, çfarë ka thënë për familjen, për shokët, kushurinjtë, sa herë ka ngrënë drekë, sa herë ka fshirë djersët kur ka dhënë deklaratën e parë para prokurorit special, e detaje të tjera nga më ordineret. E mbi të gjitha ka prekur thelbin e hetimit, i cili gjithsesi ka dhe ca sekrete, me sa dimë ne grupi që e kemi me të parë e lexuar dhe jo me të mësuar drejtësinë.
Duhet të kuptohemi nuk po i mbrojmë aspak këta ish zyrtarë, qofshin dhe socialistë. Drejtësia të bëjë detyrën, t’i hetojë, t’i gjykojë dhe të japë dënimin maksimal për ta nëse kanë shkelur ligjin. Të kthejnë dhe paratë në arkën e shtetit nëse kanë vjedhur. Lek për lek.
Por i ritheksuam këto detaje, pasi na ka bërë përshtypje, dhe është diçka që ‘kërcet’ dhe nuk e nderon drejtësinë shqiptare, fakti që asnjë dosje në ngarkim të Sali Berishës, familjarëve dhe ortakëve të tij, nuk ka ‘rrjedhur’ për mediat. Eshtë ruajtur me fanatizëm sekreti hetimor nga prokurorët specialë, si “top sekret’. Dhe mirë kanë bërë, pasi hetojnë të qetë, pa shqetësime. Por teksa shohim se dosjet e ish zyrtarëve të majtë kanë rrjedhur të gjitha në masën 100% tek publiku përmes mediave, dhënë kuptohet nga ndonjë prokuror special i papërgjegjshëm, si ka mundësi që në rastin e Berishës dhe ish zyrtarëve të lartë të PD të lidhur me të, nuk del asnjë informacion. Pasi të njejtët gazetarë janë në ‘treg’, ata që kanë marrë dosjet e ish zyrtarëve të majtë.
Këtu mendojmë se ekzistojnë dy gjëra të ‘vogla’ në dukje. E para është se SPAK e ka aq frikë Berishën, sa nuk lejon asnjë informacion të ‘rrjedhë’ në mediat, dhe i tmerron mendimi se mund të gjendet fare lehtë dhe burimi i informacionit nga ka dalë dhe kanë frikë se do kenë telashe. Dhe frika nga një prokuror është fatkeqësi për SPAK, për vendin, por dhe para e shkuar dëm nga ana e ndërkombëtarëve dhe e shtetit shqiptar. Pasi nuk mund paguajmë prokurorë që ka frikë të akuzuarit për korrupsion, që duhej t’i kishte hetuar dhe dërguar për gjykim me kohë e vakt.
E dyta, ‘mbyllja e rubinetit’ për informacione nga dosja hetimore në ngarkim të Sali Berishës, familjarëve apo ortakëve të tij, mund të na tregojë më të keqen e mundshme: Ndoshta nuk ka asnjë hetim ndaj tij, pavarësisht deklaratave që SPAK hedh herë pas here se ka hetim për aferën e CEZ-DIA, apo hetim për aferën e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”, apo letër-porosi të dërguara anembanë botës që dhe erërat musonike do t’i kishin sjellë deri më tani, jo më posta, e hetime të tjera të këtij lloji. Pra s’ka hetime të thelluara, që të ketë ‘rrjedhje’ informacioni. Dhe për ata të akuzuar nga kontigjenti i djathtë i politikës, të cilët janë deklaruar para prokurorit, deklaratat e tyre janë ruajtur me fanatizëm nga prokurorët specialë. Ky është standard i dyfishtë.
Dhe kjo lojë me ‘rrjedhje’ informacionesh në mënyrë të orientuar e dëmton rëndë drejtësinë. E dëmton sepse prish dhe ekuilibrin, duke dëmtuar rëndë reputacionin e drejtësisë së re. Nuk themi që të ketë numër të barabartë në ekzekutim hetimesh si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta, por themi që ato dosje që janë në dorë të SPAK, duhet të ketë njëfarë pariteti hetimi dhe ecurie.
Eshtë si ajo ngarkesa e kafshës së barrës, (kali, mushka apo gomari), të cilës po t’i ngarkosh 50 kg në anën e majtë, e 15 kg në anën e djathtë, do humbë ekuilibrin, jo vetëm do i bien barrët me gjithë samar, por do rrëzohet dhe vetë mbajtësi i tyre. Në mos ‘do këputet në shpinë’ siç thonë andej nga fshati, nga vijmë dhe ne pjesa në mazhorancë e 70 përqind e popullsisë shqiptare. Këtë e ka mësuar dhe “Beni ecën vetë” i filmit të famshëm të asaj kohe, kur shkonte në fshat.
Nuk do të dëshironim që drejtësia e re të humbiste ekuilibrin, dhe për më tepër të rrëzohej apo larg qoftë të ‘këputej në mes’. Do ishte një dëm shumë i madh për Shqipërinë, shqiptarët dhe një rikthim në dëshpërimin e hershëm që drejtësia në Shqipëri bën drejtësi në mënyrë parciale. Nuk duam ta besojmë, por kemi dyshimet tona. Drejtësia e re duhet të na i shuajë këto dyshime, me punën e saj, me zbatimin e ligjit njëlloj për të gjithë. Ndaj është ngritur kjo drejtësi nga themeli. Të shpresojmë!
sh i drejte shkrimi, pse nuk zbulojne dot gazetaret per cfare eshte thirrur ne SPAK dhendrri dhe bla bla bla....si per cdo njeri qe shkon aty apo Meta
PërgjigjuO lodheni kot! Sali non grata eshte mazhorance ne drejtesi! Ato punojne smbas orientimit te tij,prandaj rrjedhin informacionet e te majteve.
Përgjigju