Protesta në selinë blu, më 8 Janar

Pse në PD e kanë mendjen gjithmonë tek dhuna?

12 Janar 2022, 14:29| Përditesimi: 12 Janar 2022, 16:11

  • Share

Si ka mundësi,që kur flitet gjithmonë për Partinë Demokratike, do të gjesh dhunën, të përmendet dhuna, nxirret si opsion dhuna, dhe gjithçka duhet të përfundojë me dhunë ? Padyshim, një parti politike në një rend demokratik, dhunën duhet ta ketë “non-grata”, as nuk diskutohet kjo gjë edhe në statutet  apo zgjidhjet alternative të tyre, pasi zgjidhja e vetme është vota. Dhuna si nocion, ekziston vetëm në programet e partive komuniste, ekstremisht të majta, të atyre partive që janë të vetme në një sistem diktatorial. Në demokraci, gjithçka zgjidhet me votë ose vendim drejtësie.

Ajo që ka ndodhur në 30 vjet demokracie në Shqipëri me Partinë Demokratike, duhet marrë në analizë të gjërë nga studiues të fenomeneve dhe ndryshimeve historike dhe politike. Partia Demokratike, u krijua si nevojë e ndryshimeve politike, pas protestave të studentëve në Dhjetorin e 1990, dhe nuk lindi në “zjarrin e luftës partizane”. Shumë shpejt, pak vite pas krijimit të saj, ajo parti mori fizionominë e shefit të saj, u ngjyrua me filozofinë e tij, dhe jetoi gjatë, madje deri në 8 Janarin e 2022, me mentalitetin e tij.Dhunë, bllokime,molotov, shkopinj gome dhe bejsbolli, tritol, varre, leva dhe çekiçë për çarje dyersh, gaz lotsjellës, përleshje me uniformat e shteti, thyerje xhamash e dyersh, zjarr ndaj godina qeveritare dhe partiake. Kjo ka qenë dhe  fatkeqsisht është tablloja që ka shoqëruar dhe shoqëron edhe sot Partinë Demokratike.

Atë parti, të cilën nuk e kemi parë kurrë, në një krizë si sot, nuk e kemi parë më të çoroditur se sot, dhe pa asnjë shpresë për riorganizim, ringritje dhe riardhje në pushtet. Ajo që ka ndodhur, është pasqyrimi i asaj që ka patur dhe ka akoma edhe sot ajo parti brënda saj, filozofinë e mbajtjes dhe marrjes me dhunë të çdo pushteti. Por të rikthehemi paksa në kohë. Në 1996, populli u ngrit në protesta të ligjshme ndaj sistemit piramidal, që u mori paratë, dhe ajo parti që qeveriste i shtypi me dhunë jo me dialog. Në Marsin e 1997, depot, burgjet, komisariatet, doganat, repartet dhe institucionet e shtetit, u morën, vodhën dhe dogjën me dhunë, dhe kjo ndodhi si fillim nga falangat e pushteti, pastaj u pasua nga masa e madhe e popullit.

Të gjithë i mbajmë mënd xhupzinjtë e SHIK-ut, dhe ishin të pajisur me pranga, shkopinj goma, “TT”, dhe thika gardistësh në brez. Gjithë ai armatim u duhej, për tu përdorur sapo të merrnin urdhërin e sulmit ndaj ndonjë kundërshtari, gazetari, qytetari etj. Në 14 Shtator 1998, arkivoli i Azem Hajdarit u tentua të futej në Kryeministri, dhe qysh aty nisi dhuna. Ajo ishte skenë e pergatitur nga “gjeneralët” e Partisë Demokratike.U dhunua shteti,Radio Televizioni Shtetëror, institucionet, u tmerrua nga dhuna e turmave të dirigjuara nga Partia Demokratike, gjithë Tirana e Shqipëria. Kudo ndjehej era e barutit dhe kallashit. Por nuk u ndalën këtu. Pasi mashtroi me premtime boshe njerëzit, fatkeqsisht ajo parti erdhi sërish në pushtet në 2005, ashtu siç iku pastaj me votën e mbi 1 milion shqiptarëve.Sa ishte në qeverisje, vrau 26 persona në Gërdec, 4 persona në 21 Janar, dhe dhuna nuk ndalej.

Por edhe pasi iku nga pushteti, dhuna nuk u ndal sërish. Mjafton të kujtojmë protestat e 2 viteve më parë, se si tmerrohej Tirana dhe gjithë Shqipëria nga sulmet barbare ndaj komisariateve, ndaj Parlamentit, kryeministrisë  dhe ministrive me molotovë dhe armë të tjera piroteknike, për tu bindur sa dhunë prodhohej nga një “Parti Demokratike”. Nga një forcë politike, e njollosur dhe e akuzuar nga shumica e shqiptarëve, si vrastare e shpresës dhe të ardhmes së tyre. Ngjarjet e fundit, vendimi i DASH, apo dhe i Partisë Demokratike për ta larguar pas 9 Shtatorit 2021 Sali Berishën nga grupi saj parlamentar,sërish paralajmëroi dhunë.

Ajo ç’ka ndodhi në 8 Janar, ishte spektakli i forcës mes dy “kryetarëve”, ishte beteja e parë dhe jo e fundit, mes atij që e krijoi dhunën si koncept dhe filozifi brënda saj partie, dhe atij që e kopjoi dhe po e vazhdon denjësisht rrugën e  paraardhësit. Një parti e vërtetë demokratike, nuk mbrohet me dyer hekuri dhe fikëse zjarri, ashtu siç nuk merret me çekiçë dhe varre hekuri.

Që në momentin kur “ndeshja” nis në këto kushte, nuk mund të kemi më demokraci,por thjesht një skenë të shëmtuar krimi, një kacafytje brutale, që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë si filozofi dhe praktikë. Berisha e ka “mbjellë farën e keqe” në atë parti, dhe do të duhen edhe 30 vite të tjera që ajo të mos ketë më dobi,por gjer atëhere, patjetër Basha do ta ketë gjetur  pasardhësin e tij…

J.GJ.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • rezi: 12/01/2022 14:48

    Asnjë pikë e presje nuk i hiqet këtij shkrimi. Berisha ka mbjellë farën e keqe dhe kur sheh edhe të rinj 30 vjeçarë që i shkojnë pas, është kjo fara që ai ka mbjellë. Dhe barku që e polli Berishën nuk është shterpëzuar. Do vite të kuptohet dëmin e madh që i ka sjellë Shqipërisë. Por ai po damkoset si damkosi e vrau me mijëra shqiptarë. Turpi do e mbulojë këtë kërmë që vetëm të këqija i ka sjellë vëndit.

    Përgjigju
    • Bureto: 12/01/2022 19:17

      Dhuna për shkak të psikozës së Berishës sigurisht që është e manifestuar më shumë nga PD, e cila quhej ndryshe deri para 4 muajve si partia e Berishës, por ajo është përdorur dhe ushtruar edhe nga LSI, sidomos pas daljes nga parlamenti në shkurt 2019. Por gjithashtu nuk duhen harruar oponionistët dhe analistët ku më tepër kanë spikatur Lubonja dhe Bushati, të cilët kanë qysh në 2013 që i mëshojnë revolucionit permanent kundër Ramës, i cili është dhe objektivi apo obsesioni kryesor i tyre. Ata vetë nuk mund ta realizojnë dot synimin e tyre obsesional, ndaj përdorin fjalën sa në shtypin e shkruar aq dhe në panelet e ndryshme televizive ku i gjen të ftuar pothuajse çdo atë. Shprehja "gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen!" duket se është mjeti i tyre për të nxitur dhunë orfanizuar kjo nga partite që duhet thënë se u pëlqen dhe atyre kur është puna për të fituar pushtetin dhe kur e shohin se me votë këtë e shohin të vështirë për ta arritur. Pra kemi një simbiozë midis të dy këtyre faktorëve që ushqejnë psikozën permanente të dhunës.

    • Emira: 12/01/2022 15:15

      Sakte

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?