Vladimir Putin

Pse po ndërhyn Rusia në fushatën elektorale në Itali?

29 Gusht 2022, 10:59| Përditesimi: 29 Gusht 2022, 11:04

  • Share

Një mendim i shkëlqyer. Për Kremlinin krijimi në Itali i një qeverie më pak të ashpër ndaj Rusisë, është më shumë sesa thjesht një dëshirë. Ajo përfaqëson një objektiv strategjik për t’i dhënë fund izolimit të saj ndërkombëtar të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës.

Siç ka ndodhur prej muajsh, ish-presidenti dhe ish-kryeministri rus Dimitri Medvedev po u bën jehonë projekteve të skifterëve të politikës italiane. Mario Draghi rezultoi të ishte një surprizë e hidhur për Moskën, e cila i dha Italisë një shtysë të fortë atlantiste dhe u pozicionua në krahun e linjës së ashpër evropiane ndaj Moskë dhe në mbështetje të Kievit.

Ekzistenca në Romë e një qeverie shumë më pak armiqësore, mund t’i ofrojë Rusisë mundësinë për të krijuar një të çarë vdekjeprurëse tek kompaktësia aktuale e BE-së. Dhe nga këndvështrimi i Kremlinit, koalicioni i qendrës së djathtë ofron kredencialet perfekte.

Silvio Berluskoni mbetet i vetmi njeri në Itali që e cilëson Vladimir Putin një mik personal, një parakusht ky themelor për çdo marrëdhënie politike. Po ashtu, “Il Cavaliere” krenohet me marrëdhëniet e mira që ruan me SHBA-në, dhe në veçanti me figurat e vjetra republikane të epokës së Bush.

Por marrëdhënia me Carin e ri të Rusisë ka qenë gjithmonë e thellë, dhe përfshin festat private në vilat e tij luksoze dhe disa biznese mbi të cilat nuk ka shumë informacion. Pasi udhëheqësi i Forza Italia të rikthehet në qeveri, ai mund të jetë bashkëbiseduesi ideal për ambicien më të rëndësishme të Moskës: organizimin e një konference ku të ripërcaktohet ekuilibri i sigurisë në Evropë, duke e njohur rolin e Rusisë si një fuqi e madhe.

Me gjithë përpjekjet e tij, Mateo Salvini nuk arriti asnjëherë të ndërtojë një dialog të drejtpërdrejtë me Putinin. Megjithatë, dihet përkushtimi i tij ndaj kësaj kauze, nga binjakëzimi i Legës me partinë Rusia e Bashkuar, tek udhëtimi në Krimenë e pushtuar me bluzën famëkeqe me fytyrën e Putinit, dhe deri tek negociatat e errëta të Xhanluka Savoinit për të diskutuar financimin për hotelin Metropol.

Takimet e fundit me ambasadorin rus në Itali, Sergej Razov për të hyrë në një negociatë paqësore së bashku me avokatin Antonio Kapuano, nuk mund të konfirmojnë vetëm predispozitën “dashamirëse” të sekretarit të Legës së Veriut ndaj kërkesave ruse.

Moska e ka më të vështirë të deshifrojë Xhorxhia Melonin, vokacioni atlantik i së cilës duket i vërtetë dhe i rrënjosur, dhe pa asnjë tundim të mëparshëm drejt Lindjes. Por në Kremlin mbajnë shumë shpresa tek zgjedhjet parlamentare të vjeshtës në Itali, kur efekti i krizës ekonomike do ta bëjë më të vështirë ruajtjen e besimit me sanksionet, dhe kur çmimi i gazit do të ketë një ndikim vendimtar në ecurinë e qeverive evropiane.

Cilido që do të jetë drejtues në Palazzo Chigi, do të duhet të përballet me perspektivën e ngjallur nga Medvedev mbi “shtëpitë e ftohta dhe frigoriferët bosh”. Joshja nga energjia e lira, mund të pritet me një qasje të ndryshme nga një ekzekutiv populist.

Ajo çfarë shpresojnë rusët është që Meloni mund të imitojë nesër aleatin e tij, liderin hungarez Viktor Orban, të cilit vazhdojnë t’i japin furnizime gazi shtesë, dhe që ka treguar kokëfortësi në mos-bashkimin e vendit të tij me sanksionet e vendosura nga Brukseli përkundrejt Moskës.

Vëmendja ndaj Italisë nuk është e izoluar, por është një prioritet. Situata në fushën e betejës në Ukrainë e ka bindur Moskën se fitorja nuk mund të arrihet pa ngadalësuar dërgesat e armëve perëndimore në Kiev. Në një luftë rrënuese, suksesi vjen vetëm me rënien e kundërshtarit.

Por ky mbetet një synim i pamundur në rast se vazhdon dërgimi i sistemeve luftarake perëndimore me cilësi dhe sasi të paparë. Prandaj Moska po i përqendron manovrat e saj në Evropë, me mjete të mira dhe të këqij, duke përdorur furnizimet me gaz për të shantazhuar Gjermaninë. Duke hedhur në erë magazinat e kompanive bullgare që eksportojnë armë në Kiev. Duke nxitur të reagojnë aleatët e saj serbë në Bosnje dhe Kosovë.

Dëbon trupat evropiane nga Mali; vendos trupa në Sudan; vë në pikëpyetje prodhimin e naftës dhe kontrollin e emigracionit të paligjshëm nga Libia. Edhe operacionet e flotës ruse të vendosur në Mesdhe, të cilat shkuan deri në bllokimin e Adriatikut, synojnë të transmetojnë kërcënimin nga një pasiguri që po gjallon në kufijtë e Bashkimit Evropian.

Mjafton të shohësh një hartë për të kuptuar se si Italia është pika kryesore e këtij komploti. Pasja e një bashkëbiseduesi në Romë, mund t’i ofrojë Putinit çelësin për të përmbysur situatën në Ukrainë. Dhe duhet besuar se Kremlini nuk do t’i kursejë burime për të arritur rezultatin e dëshiruar. Loja sapo ka filluar, me siguri: ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 25 shtatorit në Itali është jetik për interesat e Rusisë./ “La Repubblica” – Bota.al

Komento

Komente

  • Turi: 29/08/2022 11:22

    Po i plas trapi Rusise se kush u zgjodh në Itali , Europianët do afrohen vetë si kurva se nuk kanë ku të shkojnë pa gas

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?