Pse u pendua opozita pas pushimeve, për ndryshimet kushtetuese?

16 Shtator 2020, 07:51| Përditesimi: 16 Shtator 2020, 07:53

  • Share

Ilir Meta duket se ka marrë përsipër të udhëheqë opozitën drejt një beteje për të bllokuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që reflektojnë ndryshimet kushtetuese të bëra në fund të korrikut.

Në një deklaratë të tij disa orë më parë, Ilir Meta kërkon që të ruhen të reflektuara në Kod vetëm ndryshimet e bazuara në marrëveshjen e 5 qershorit, duke u përpjekur për të injoruar ndryshimet kushtetuese të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kjo strategji duket se është shfaqur dhe në deklaratat e para të disa zyrtarëve të PD, pas mbarimit të pushimeve të verës, gjatë së cilave me sa duket kanë reflektuar për problemet që mund t’u hapen.

Taktika që po ndjekin është shumë e lexueshme. Kanë propozuar një ekspertizë të ODIHR për këtë çështje, e cila kërkon së paku tre- katër muaj kohë të realizohet si procedurë, me qëllim që pastaj të thuhet tani është vonë dhe të mbeten në fuqi vetëm ndryshimet që janë bërë, ose të destabilizohen zgjedhjet, duke mos u mundësuar as fizikisht.

Në këtë kuptim, deklarata e Ilir Metës është paksa kontradiktore, pasi ndryshimet në Kod që reflektojnë marrëveshjen e 5 qershorit, janë bërë dhe nuk ka çfarë të bëhet më. I vetmi debat që duhet të bëjë Këshilli Politik, është të shkruajë në Kod propozimet e opozitës parlamentare, që krijojnë mundësi për koalicione parazgjedhore me një listë të përbashkët, dhe që kërkojnë hapjen e listave.

Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Presidenti dhe opozita i kundërshtuan dhe në korrik këto ndryshime, kur u bënë në Kushtetutë. Madje ata paralajmëruan gjakderdhje dhe protesta, nëse bëheshin.

Pastaj javën e fundit u pajtuan dhe filluan debat për hapjen e listave, duke i kërkuar Edi Ramës ta ndryshojë në Kushtetutë hapjen e listave, por ta bëjë atë 100 për qind. Dhe Edi Rama ua plotësoi dëshirën. Lejoi hapjen e listave me Kushtetutë dhe tani me Kod do vendosi sa përqind do t’i hapë. Ai nuk mund ta lërë rrugës këtë kërkesë themelore të Bashës.

Nga ana tjetër, është e qartë se në fund të korrikut, kur u bënë ndryshimet kushtetuese, palët i kuptuan mirë ato, pasi debatuan dhe kërcënuan për to. Pastaj bashkësia ndërkombëtare kërkoi konsensus, por mbajti qëndrimin që nuk mund të diktojë vullnetin e Parlamentit. Dhe ashtu bëri.

Ndryshimet në të cilat mori pjesë dhe opozita me vërejtjet e saj, u bënë në Kushtetutë. Tani do të bëhen dhe në Kod, dhe kaq. Ky është një proces që ka nisur dhe që duhet të përfundojë sa më shpejt, brenda muajit.

Nëse Partia Demokratike i qëndron idesë që duhet të vazhdojë luftën për hapjen e listave, duhet ta vazhdojë atë në Këshill. Nëse jo, le të vazhdojë të qëndojë në rrugë dhe të bëjë sondazhe.

Kërkesa për hapjen e listave ishte e opozitës parlamentare, të cilën e mbështeti PS dhe në fund dhe PD. Nëse pas pushimeve Basha ka konstatuar se hapja e listave, e fut në sherr me aleatët dhe i prish skemën, ky është vërtet një hall, por nuk është hall i shqiptarëve, është i tij.

Ai tani, pasi ka reflektuar tek vilat e reja në Hamallaj, ka konstatuar se ka hall si do t’i rregullojë pesë kryetarë partish për  t’i futur në listë. Po u hapën listat ata nuk fitojnë. Po qëndruan të mbyllura, i fut tek pjesa fituese e PD, siç u ka premtuar.

Pastaj ka dhe LSI. Po u bënë koalicionet me një listë, ai nuk e kënaq dot Monikën, se ajo do 34 deputetë. Aq ja ka vënë gjobën, së paku në publik. Po nuk u hoqën koalicionet me lista të përbëra, shpëton, se ka listën e saj.

Të gjitha këto janë halle reale dhe është lajm i mirë që Luli i ka menduar, se dhe mund të mos i mendonte. Por tani ndryshimet kanë ndodhur. Thjesht duhen shkruar dhe zbardhur në Kod.

Është mirë që Basha të mendojë skenarin B, pra si të shkojë në zgjedhje me Kodin e ri, se i iku jeta duke ëndërruar beteja elektorale, ku do të zgjedhë dhe rregullat vetë, dhe kundërshtarin vetë, dhe rezultatin në tavolinë.

Meqë këtë radhë e ka marrë me qejf 25 prillin, është mirë të bëhet gati për luftë, jo për pazar. Pazarin e ka marrë, se do bëjë tenderin e identifikimit. Mos ta çojë dëm dhe atë, se i thonë 15 milionë euro.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Hinglateri: 16/09/2020 16:21

    Shikoni kete foto nje tufe banditesh me ne krye Nard Noken

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?