TIRANË- Përgjatë muajit Prill, Partia socialiste edhe ajo demokratike do të ndryshojnë të gjithë e kryetarët e degëve, duke iu nënshtruar një procesi të thellë zgjedhor.
Gjatë të mërkurës në orën 17:00, socialistët do të mbledhin online asamblenë kombëtare ku do të miratojnë vendimin për thirrjen e Kongresit të Partisë më 9 prill ku pritet miratimi i ndryshimeve në statutin e PS. Sipas draftit të siguruar nga Report Tv, kongresi i 9 prillit do të shkarkojë 61 krerët e degëve në rrethe, dhe do të hapë procesin zgjedhor në parti nga data 1 Maj deri në 15 Qershor. Sipas ndryshimeve në statut kryetari i ri i degës do të përzgjidhet mes kandidatëve të propozuar nga Asambleja, me miratim të kryesisë. Ai do të ketë mandate 4 vjeçar, që ndërpritet kur jep dorëheqjen, kur shkarkohet nga kryesia për punë të dobët, kur humbet besimin e anëtarëve dhe kur humb zgjedhjet. Në draftin për ndryshimet në statut parashikohet edhe shtimi i sekretariat ekzekutiv të secilës degë, i cili do të jetë përgjegjës për cdo aspekt administrativ të partisë në nivel bashkie.
Ndërkohë riorganizim në cdo qelizë ka nisur nën drejtimin e Komisionit të Rithemelimit edhe Partia Demokratike.
Më 20 prill, në 71 degët e PD do të zgjidhen kryetarët e rinj, duke zëvendësuar ata që njihen si mbështetësit më të fortë të lulzim Bashës, ndërsa më 30 prill Berisha do të mbledhë Kuvendin Kombëtar të riformatuar me 1100 delegatë, nga ku do të nisë procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese, e mandej pasuesi i Lulzim Bashës.