TIRANË- Partia Demokratike ka publikuar listën me 600 kandidatë për Këshillin Kombëtar, të cilët do i dërgohen Kuvendit Kombëtar të PD-së për miratim në mbledhjen që do të mbahet të shtunën. Ajo që është interesante për t'u theksuar është se lista nuk ka sjellë shumë surpriza. Në këtë listë bën pjesë edhe Bujar Nishani, një nga kritikët më të fortë të Lulzim Bashës, por kjo jo për shkak të zemërgjerësisë së Bashës, por sepse sipas rregullores së brendshme të partisë, ish-presidentët nuk kalojnë për votim. Mes tyre bën pjesë dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Gjithashtu përjashtohen nga votimi në Kuvendin e partisë edhe deputetët, duke "shpëtuar" kështu edhe Agron Shehajn i cili sfidoi Lulzim Bashën në garën për kreun e PD-së, dhe përdori një gjuhë jo pak të ashpër kundër tij. Pjesë e listës është edhe ish-kryebashkiaku i PD-së në Pogradec, Eduart Kapri i hetuar nga SPAK, dosja e të cilit u dërgua për gjykim në GJKKO për 2 akuzat "Tentativa për pengimin e zgjedhjeve lokale të 2019" dhe "abuzimi me tenderin e druve". Në listë kandidatë për anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së janë disa emra të njohur si moderatorja Oriela Nebiaj, e cila nuk arriti që të hynte në parlament ndonëse mori më shumë vota se ish-kryeministri Sali Berisha, djali i Sokol Olldashit, Glauk Olldashi, regjisori Robert Budina, ish-lojtari i kombëtares Andi Lila, por edhe të rikthyerit Gazment Oketa dhe edhe deputetja Fatjona Dhimitri, një nga deputetet e opozitës së re.
Kjo listë është hartuar nga kryedemokrati Lulzim Basha, por do të jetë Kuvendi Kombëtar i PD-së që do të thotë fjalën e fundit të shtunën. Nga 600 emrat e propozuar do të zgjidhen 300 anëtarë të Këshillit Kombëtar. Siç thekson PD, nga 300 anëtarët, që do të zgjidhen, jo më pak se 30% femra dhe jo më pak se 15% të rinj deri në 35 vjeç.
Kjo listë mori pëlqimin nga Kryesia që u mblodh pasditen e të mërkurës në selinë blu. Kjo mbledhje u shoqërua me debate, kjo sepse drejtuesit politik, më specifikisht Edmond Spaho i Korçës dhe Edi Paloka i Durrësit nuk ishte dakord me analizën e bërë mbi motivet e humbjes në 25 prill. Ata kanë kërkuar që kjo analizë, ku shkruhet se Durrësi dhe Korça nuk kishin arritur projeksionin maksimal, të ndryshohet pasi nuk është aspak objektive. Megjithatë, përtej debateve analiza u votua dhe u çua për votim Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Pikat që u miratuan në mbledhje
1.Analiza e humbjes në 25 prill për fazën e parë të saj.
2.Propozimi i Lulzim Bashës pë ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike që do t'i propozohen për miratim Kuvendit Kombëtar të Partisë
3.Ngritja e Komisioneve të Votimit dhe Numërimit për zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në mbledhjen e datës 17 Korrik 2021 të Kuvendit Kombëtar.
4.Lista që do të propozojë Lulzim Basha për votim për kandidatët për anëtar të Këshillit Kombëtar.