Presidenti rus Vladimir Putin

Putin del hapur në nxitje të radikalëve prorusë në Europë e Ballkan

20 Qershor 2022, 22:59| Përditesimi: 20 Qershor 2022, 23:01

  • Share

Në fjalimin që e mbajti në fund të javës së shkuar në samitin ekonomik të Shën Peterburgut, lideri i Rusisë, Vladimir Putin, paralajmëroi se situata aktuale në Europë “do të çojë në ngritjen e një vale radikalizmi dhe në perspektivë, një ndryshim të elitave”.

Si për t’i bërë jehonë të menjëhershme kësaj “profecie” me tingëllimin e një thirrjeje për veprim drejtuar forcave radikale në kontinentin e vjetër, partia filoruse në Moldavi ka paralajmëruar nisjen menjëherë të protestave për të rrëzuar qeverinë pro orientimit perëndimor të vendit.

Do të ketë shembuj të tjerë me siguri.

Putin e mbështet profecinë e tij pikësëpari te lëvizjet apo partitë radikale brenda BE-së apo jashtë saj, që janë në sintoni me projektin rus në veprim prej vitesh për minimin e demokracisë. Nga këto lëvizje, mjaft prej të cilave janë të njohura edhe në Ballkan, si në Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut, në Bosnje Hercegovinë, në Serbi, Moska pret të korrë tani atë që ka mbjellë ndër vite.

Në ëndrrën për ta parë demokracinë të rrënuar dhe Europën në këmbët e veta, Putin mbështetet gjithashtu në radikalizimin që buron nga vetë natyra e shoqërisë së lirë perëndimore, ku sindikatat, grupet e interesit apo parti të ndryshme kontestojnë në rrugë estamblishmentin, përkeqësimin e gjendjes ekonomike, e tjerë. Këto lëvizje ndodh të ndryshojnë elitat, por jo sistemin demokratik. Në këtë pikë del në pah një formatim mendor i vjetër i zotit Putin, neobolshevik në thelbin e vet, shartuar me mite imperiale më të hershme se komunizmi, që konfondon rrotacionin e qeverive dhe qarkullimin e elitave si vlera të demokracisë me uzurpimin dhe mbajtjen e pushtetit me forcë, pa zgjedhje. Siç është pushteti i tij.

Qytetarët e Europës dhe vendeve të tjera demokratike të botës e konsiderojnë një arritje të madhe të drejtën dhe mundësinë për të ndryshuar elitat drejtuese me votë dhe me presion qytetar demokratik. Por vetëm naivëve, të keqkuptuarve apo armiqve të demokracisë mund t’u shkojnë në mendje se këta qytetarë do të përdorin një të drejtë të tyre të shenjtë për ta shkatërruar, për të mos e pasur më atë të drejtë. Pra do të presin degën ku rrinë!

Fjalimi i Putinit shpalosi rikthimin e Moskës në mentalitetin e ndarjes së zonave të influencës me forcë. Nga pozitat e agresorit të Ukrainës dhe kërcënuesit të Europës, ai shpalli disa sentenca të ligjërimit të vjetër sovjetik apo maocedunist kinez në lidhje me SHBA. Ai tha: “SHBA mendojnë se janë qendra e vetme e botës”. “Era e një bote të dominuar nga SHBA ka mbaruar përgjithmonë”. “Era e një bote njëpolare ka mbaruar”.!

Për qëllime propagandistike të brendshme, duke dashur të ngopë me lugën bosh të vetët dhe rusët në përgjithësi, cari i ri nuk mund të mos habiste duke shpallur mbarimin e diçkaje që nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston!

Bota nuk ka qenë njëpolare as gjatë komunizmit, as pas rënies së komunizmit në Europën Lindore. Nuk është as sot dhe vështirë se do të jetë ndonjëherë. Polariteti i botës ka lidhje pikësëpari me sistemet politike në lidhje të ngushtë me historinë, traditat dhe kulturën e vendeve. Rusia dhe Kina, për tu mjaftuar me këto dy emra vendesh të mëdha, janë poli politik i autokracisë dhe njëpartitizmit në botën e sotme. Një numër jo i vogël qeverish të ngjashme apo satelite gravidojnë rreth tyre.

Formatimi mendor autokratik konfodon sërish polaritetin me fuqinë ekonomike, për rrjedhim ushtarake, shkencore, e tjerë. SHBA, vendet e BE-së dhe demokracitë në Europë e në kontinente të tjera janë më të përparuara e më të zhvilluara. Arsyeja përmblidhet në dy fjalë që janë anë të së njëjtës medalje: Liria dhe Demokracia. Vendet autokratike, si Rusia mund të jenë fuqi të mëdha ushtarake me çmimin e një jetese modeste për popullsinë e thjeshtë, shumë larg standardeve të Perëndimit. Por ato nuk mund t’i konkurrojnë vendet demokratike në fushën e zhvillimit dhe mirëqenies. Italia, Franca, Britania Madhe, Gjermania, secila veç e veç e ka prodhimin e brendshëm bruto më të lartë se një vend i stërmadh në sipërfaqe dhe popullsi si Rusia. Pale gjithë BE-ja. Pale SHBA që zë vendin e parë në botë me një PBB gati dhjetë herë më të madhe se Rusia.

Urrejtja kundër Perëndimit, e shprehur në mënyrë të trashë e brutale nga kanakari i Putinit, Medvedev, zbulon frustrimin e klikës që sundon Rusinë e sotme përballë epërsisë së demokracisë. Këtu edhe agresioni i tyre barbar kundër Ukrainës fqinje. Këtu edhe investimi i tyre për të minuar demokracinë. Këtu edhe nxitja e trazirave, hedhja në sulm e “ radikalëve ” dhe “sovranistëve “ pro Moskës në vendet e Europës dhe Ballkanit.

Perëndimi as e ka sulmuar, as ka ndërmend të sulmojë Rusinë. Nuk ka nevojë. Po të jetë puna për ta lënë prapa, s’ka nevojë të shpenzohet. Mendon vetë Rusia me sistemin që ka zgjedhur.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbërori: 21/06/2022 15:38

    Po sigurisht sepse i ka të sigurt bythëlëpirsat e tij vucic,Edvin shkjau shqipfolës ,orban dhe kreu maqedon me ali ahmet udbasin

    Përgjigju
  • Lali: 21/06/2022 09:54

    Ky eshte president jo lepires si keta qe kemi ne kokrra barbonash

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?