Përdorimi i pesticideve/ Ekspertët qetësojnë qytetarët: Nuk ka rrezikshmëri

25 Prill 2019, 19:44| Përditesimi: 25 Prill 2019, 20:21

  • Share

Përdorimi i pesticideve në produktet bimore të prodhuara nga fermerët shqiptarë ka alarmuar gjithë konsumatorët duke i bërë edhe më shumë skeptikë për të gjitha produktet që konsumojnë në përditshmërinë e tyre. Por cfarë duhet të dijnë konsumatorët, në kushtet kur qarkullojnë informacione mbi abuzimin e përdorimit e pesticideve? 

Ekspertët bëjnë me dije se preparatet që përdoren rëndomtë nuk janë të rrezikshme për shëndetin nëse përdoren në masën e duhur. Drejtuesi i Shoqatës së Konsumatorëve Edi Fero njëkohësisht edhe agronom, në një intervistë për Report Tv thotë se ky fenomen informativ mbi përdorimin e pesticideve dhe rrezikshmërinë e tyre ndodh në një periudhë kur del edhe prodhimi vendas, e si pasojë koston më të madhe e paguajnë fermerët, të cilët përvecëse punojnë në një treg jo të organziuar, duhet të përballen dhe me goditje të tilla nga mediet, që sipas Feros, shpesh ekzagjerojnë informacionin që kanë. 

“Gjithë kjo situatë e paraqitur në media është në vetvete një lloj goditje për fermerët. Mjafton një rast si ai që pamë para disa ditëve dhe ai njollos të gjithë fermerët që punojnë me ndershmëri maksimale. Duket sikur sistemi i kontrollit shtetëror nuk funksionon, c’ka hap rrugën e abuzivitetit në raste të vogla, por që japin imazh shumë të keq për produktet shqiptare”, thotë Edi Fero. 

 Sipas ekspertit Edi Fero, rastet e përdorimit të pesticideve duhet të analizohen në të gjitha proceset.  Për të është e rëndësishme të funksionojnë të gjitha hallkat e kontrollit shtetëror, e në raste të tilla duhet një ndërhyrje e menjëhershme nga Ministria e Bujqësisë. 

“Ky abuzivitet ndodh pasi akoma nuk kemi një sistem shtetëror që të kontrollojë realisht ashtu si duhet gjithë procesin dhe gjithë zhvillimin e produktit vendas. Zgjidhja e parë është pasja e një protokolli prodhimi, ndërsa zgjidhja e dytë është detyrimi ligjor të kontrolluar si duhet dhe jo të bëhet sikur kontrollohen të gjitha produktet që shiten në konsumin e përditshëm”, shprehet specialisti.

Ndër të tjera, drejtuesi i shoqatës së konsumatorëve qetëson të gjithë konsumatorët shqiptarë duke theksuar se situata nuk është alarmante, dhe sugjeron të përdorin sa më shumë produktet e stinës, pasi ato nuk përmbajnë asnjë lloj pesticide të dëmshëm. 

“Nuk do ta konsideroja situatë alarmante për dy arsye. Arsyeja e parë është që fermerët shqiptarë akoma punojnë në mënyra primitive për shkak të mungesës së mbështetjes shtetërore. Duke punuar në mënyra primitive produkti është sa më organik. Të gjitha frutat dhe perimet që prodhohen në stinat e tyre nuk kanë asnjë lloj rrezikshmërie. Vetë konsumatorët duhet të kenë parasysh që të konsumojnë sa më shumë produkte stine”, thote specialisti Edi Fero.

Por teksa autoritetet japin siguri për produktet që shiten në treg, ekspertët dhe fermerët tregojnë nën zë se më shqetësues është përdorimi i ngjyrosësit, përdorimi i të cilit është kategorikisht i ndaluar tek domatja apo kastraveci. Ndërsa aplikimi i ngjyruesii tek shalqini është i pamundur, pasi dallohet edhe me sy të lirë. Sa i përket kimikateve të ndaluara që përdoren në disa ferma, ato kryesisht hyjnë kontrabandë nga Greqia dhe përdorimi i tyre bëhet në mënyrë të fshehtë me agronom të disa zonave dhe kryesisht tek produktet që tregtohen në vendin tonë. Kjo për faktin se shumë prodhime eksportohen në vende të Bashkimit Evropian apo shtete që kanë rregulla strikte të kontrollit të përdorimit të kimikateve.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?