Të jesh mirë me vetveten qënka një gjë e madhe. Të shijosh gjërat e vogla e të thjeshta, qënka një gjë akoma më e madhe. Duket sikur nisja e pushimeve për shqiptarët, tani që na afrojnë edhe më shumë rrjetet sociale, është fatkeqësia e vitit: Nuk u pëlqen plazhi ku shkojnë, nuk durojnë trafikun, nuk durojnë të rinjtë, nuk durojnë vonesat, nuk durojnë zhurmat, nuk durojnë ndryshimet, nuk durojnë më asgjë...
Njëra e do gjithë plazhin e Jugut për vete. Mban mend në rininë e saj se shkonte atje me çadër në qiell të hapur e tani bërtet se ka infrastrukturë, ka lokale, ka muzikë e ka njerëz në det. Jala, është e ngjashme si plazh me zonën e Amalfit, edhe Dhërmiu si Positano. Eshtë sikur një italian 50 apo 60 vjeçar të ankohet për këto plazhe që gëlojnë nga të rinjtë e të gjitha moshave. Në plazhe me gurë, shkëmbinj nuk shkojnë familje dhe mosha që kërkojnë qetësinë. Dorëzohuni. Janë plazhe që janë pushtuar nga të rinj e lokale nate, pikërisht për natyrën e tyre më të vështirë.Me kalimin e viteve zgjidhen plazhe më komode e më pak të frekuentuara, të përshtatshme me moshën.
Tjetri nuk duron trafikun, edhe pse nuk e ka vrarë fare mendjen e nuk ka bërë një strategji oraresh dhe lëvizjesh për vete dhe familjen. Në gjithë zonat bregdetare ( e këtë e kemi parë nga të huajt fillimisht) ka orare me kulme trafiku. Atëherë, ndrysho oraret e vajtjes dhe të kthimit e kështu mund të tregosh publikisht se je edhe më i/e zgjuar për të kapërcuer vështirësitë e fundjavës dhe individualisht ndihmon në uljen e trafikut.
Të tjerë ankohen për restorantin, vonesat, shijet, freskia, buzëqeshja, dashuria etj. etj. I dimë problemet tona dhe shërbimi, është një veprim reciprok në shoqëri: Nëse një mjek, infermiere, mësues, gazetar, politikan, nëpunës poste, etj. sillet keq me kamarierin, kuzhinierin, policin, banakierin kur ata kërkojnë një shërbim, e dimë, që çdo veprim i yni, ka të njëjtën përgjigje në hapsirë dhe në kohë: Të tjerët do të sillen me ne me të njëjtin përkushtim që ne kemi pasur me ta.
Vetë këtë fundjavë isha në Vlorë: Hëngra shumë shijshëm, fjeta në një hotel të mirë e të lirë, përshëndeta e më përshëndetën, pas orës 23 kisha për vete dhe familjen në dispozicion tërë qetësinë e bregdetit më të bukur, bisedova me pensionistë që peshkonin me durim e më treguan “të rejat” e fundit nga qyteti. U largova nga Vlora me dëshirën e madhe për t’u rikthyer. Me durim përballova trafikun e rënduar nga rruga e vjetër e Ndroqit, por nuk u mërzita. Biseda në makinë, muzikë. U lodha, po, por nuk u mërzita. Trafiku nuk ma hoqi shijen e mirë të gjërave të bukura që pashë e përjetova në Vlorë.
Atëherë. Nëse bashkë kërkojmë të përmirësojmë vendin ku jetojmë, të përpiqemi së pari të ndryshojmë e përmirësojmë veten: A buzëqeshim ne që pretendojmë buzëqeshje? A jemi të sjellshëm ne që pretendojmë mirësjellje? A jemi korrektë në punën tonë ne që pretendojmë korrektësi tek të tjerët? Nëse të gjithë i bëjmë mirë gjërat që i kemi për detyrë t’i bëjmë, atëherë, si me magji, do të na duan e respektojnë edhe të tjerët.
Shqiptarët kanë nisur në masë pushimet e verës: Dikush në qershor, dikush në korrik, të tjerë në gusht e shtator. Le të marrim më të mirën, nektarin e vendit dhe të njerëzve ku shkojmë. Vetëm kështu, si me magji, gjërat do të ndryshojnë.