Drejt Punës

Shkollë shqipe për shqiptarët e Amerikës, Qemal e Kozeta Zylo: Ka staf të kualifikuar! Fëmijët kanë programe specifike që bëhen në fundvit

8 Shtator 2022, 07:23| Përditesimi: 8 Shtator 2022, 15:27

  • Share

Bashkëshortët Qemal Zylo dhe Kozeta Zylo edhe pse emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të detyruar nga viti i vështirë 1997, kur Shqipëria rrezikohej nga një luftë civile, nuk e harruan vendin e tyre.

Ata morën një ndër iniciativat më të rëndësishme, hapjen e shkollës shqipe Alba Life në Nju Jork, e cila sot është një nga shkollat më të mira për shqiptarët e Amerikës. Themeluesit, i takojmë në festën e 70-vjetorit të lindjes së presidentit të shkollës shqipe të Amerikës, Qemal Zylo, të cilët në një intervistë ekskluzivisht për Report TV na rrëfyen sesi mbërritën tek ëndrra më e bukur e jetës së tyre, një shkollë, ku flitet shqip në mes të Amerikës.

Janë miliona shqiptarë që kanë shkuar të jetojnë në Amerikë dhe fëmijët e tyre lindin atje. Në vrapin për t’u integruar në vendin ku jetojnë, por edhe për shkak të martesave me amerikanë, fëmijët takohen gjithnjë e më rrallë me gjuhën shqipe. 

Për Qemal Zylon dhe bashkëshorten e tij, Kozeta Zylo, ta ruash e ta ndjesh historinë, kulturën, artin e kombit tënd, nuk mund të ndodh pa ditur gjuhën shqipe. Ata morën një ndër iniciativat më të rëndësishme, hapjen e shkollës shqipe Alba Life në Nju Jork. Themeluesit, i takojmë në festën e 70-vjetorit të lindjes së presidentit të shkollës shqipe të Amerikës, Qemal Zylo. 

Jo rastësisht organizohet një përvjetor i tillë në Shqipëri. Ata do të na tregojnë motivet e këtij manifestimi gjatë intervistave. E pyetur sesi e nisën çeljen e shkollës shqipe, bashkëthemeluesja Kozeta Zylo tha:

“Ju falënderojmë për intervistën dhe falënderojmë gjithashtu Report TV, që ne e ndjekim me aq dëshirë në diasporë. Ne në Amerike nuk shkuam për një copë bukë, ikëm në acarin e shkurtit të ‘97-s . U përpoqëm të punojmë atje. Sot jemi krenarë se është e vetmja shkollë që ka marrë titullin Ambasador i Kombit në diasporë.  Ne u detyruam të iknim, pasi Qemali punonte në Ambasadën Amerikane dhe ne e kishim vizën në xhep. Nëse duhej të qëndronin që të mbronim kombin, ne do qëndronim, por kur lufta nisi vëlla me vëlla, ne zgjodhëm të mos marrim pjesë në këtë luftë. E nisëm projektin me zemër, pasi ne dhe dy vajzat Valbona e Klodiana pëbënim gati një këshill pedagogjik.

Falë kësaj pune u përhap shkolla shqipe si një pluhur kozmik, dhe nga një shkollë e vetme që e hapëm 15 vjet më parë në Staten Island, arritëm të bëjmë shkolla në të gjithë Nju Jorkun. Sigurisht që puna e stafit dhe e mësueseve të shkollës sonë, nuk ka qenë e lehtë, pasi aktualisht gjuha shqipe nuk është pjesë e programeve amerikane të nxënësve si gjuhë e dytë, prandaj ne jemi ndeshur edhe me vështirësi për regjistrimin e nxënësve, por me përkushtim kemi munduar të zgjidhim edhe vështirësitë e shtrirjes së madhe që ka Nju Jorku duke hapur degë në çdo lagje te tij.”

Presidenti i shkollës Alba Life, Qemal Zylo, rrëfen se:

“Të lësh vendin tënd e të ikësh, pavarësisht sesi erdhën rrethanat në atë kohë është e dhimbshme. Të ndahesh nga njerëzit me të cilët ke kaluar një jetë të tërë e të kalosh në një botë tjetër, nuk është e lehtë; të paeksperimentuar dhe të paditur, jo s’e ishin ne të paditur, por shkuam një mjedis që kërkonte punë dhe sakrifica.

Kështu që përveç situatës që u krijua, siç e tha Kozeta, ne kishim edhe një arsye tjetër për të shkuar për të vizituar vajzat në Amerikë, por kjo ishte dytësore. Kryesorja që qëndruam në Amerikë ishte se ne sa vajtëm atje (në fakt unë ika me leje), të gjithë ikëm me synimin, pse jo dhe të ktheheshim, por kur e pamë që çdo gjë ndryshoi në Shqipëri, dhe ishte ashtu siç pak a shumë e  parashikoi dhe Ambasada Amerikane (se unë kam punuar në atë ambasadë në Korpusin e Paqes), situata po vështirësohej. Kur pamë shqiptarët në majë të tankut, e nisi një anarki, me thënë të drejtën na dhimbsej shumë sesi po perceptonte situata, por u bë edhe i pamundur kthimi në Shqipëri. Kështu që me sfida të tjera, vështirësi të mëdha rregulluam edhe statusin, sepse lejen për kohën e qëndrimit e kishim për gjashtë muaj. Pra të gjitha këto janë një sfidë më vete. Por kur kthej kokën pas tani pas 25 vjetësh, themi që i kemi kaluar me sukses.”   

Nuk do të mjaftonte vetëm një shkollë shqipe. Ngjitjet drejt suksesit do të pasoheshin me hapjen e televizionit shqiptar “Alba Life”. Dhe nuk ishte e lehtë që ata të merrnin një licencë për hapjen e një televizioni në Nju Jork. Kozeta Zylo rrëfen sfidat për ngritjen e televizionit.  

“Unë artin e kam dashur, dhe jo vetëm të shkruaj, por edhe atë që vjen përmes kamerës, megjithatë pikënisja e televizionit është kontributi i inxhinier Qemal Zylos, se unë nuk di nga ana teknike, di vetëm të shkruaj. Qemali ka qenë pranë meje, një krah shumë i fuqishëm, shumë i fortë për të realizuar këto ëndrra që ne i kemi arritur me shumë sakrifica.”-thotë Kozeta Zylo.   

I pyetur me çfarë kostosh mbahet televizioni, Qemal Zylo thotë se çdo gjë kushton kushton, por ne nuk kemi ngritur një televizion për qëllime fitimi, sepse televizioni dhe shkolla shqipe Alba Life është një institucion  jofitimprurës, ka shpenzime të mëdha, por kur shtrohet problemi për ta bërë, duhet ta zgjidhim ne si themelues dhe si udhëheqës. “Por, pa hyrë në debate për anën ekonomike, kryesorja është që gjatë këtyre 15 vjetëve që e kemi themeluar zyrtarisht kemi bërë një punë mjaft të madhe me të gjithë kolegët tanë. Sepse nuk jemi vetëm ne si familje, ne kemi një staf, shumë herë më të madh. Kemi bashkëpunëtorët tanë të televizionit. Drejtori i telvizionit për shembull është Amir Suka që ka katër çmime Emmy dhe punon në Nju Jork. Është afruar vullnetarisht. Kemi gazetarë të tjerë për shembull, Valon Kërbeshin nga Kosova , operator dhe shef të televizionit, si dhe Bujar Sadikaj që vijojnë të kontribuojnë, largohen e kthehen përsëri, por janë pjesë e stafit të televizionit.” -thotë Qemal Zylo.   

“Si shkollë shqipe, kemi një staf edhe më të madh. Aktualisht kemi 13 klasa që funksionojnë çdo fundjavë dhe shumë mësues që japin kontributin e tyre kombëtar për shkollën shqipe në diasporë. Eshtë një detyrë kombëtare dhe ne do ta vazhdojmë deri në frymën e fundit. Jo vetëm ne, por gjithë bashkatdhetarët tanë që këtë predispozicion kanë. Përgjatë 15 vjetëve nga themelimi i shkollës janë qindra nxënës që mësojnë gjuhën shqipe, dhe është kënaqësi që ata arrijnë të studiojnë gjuhen shqipe në Nju Jork.”- thotë Kozeta Zylo. 

Puna në televizion bëhej emocionuese për poeten dhe gazetaren Kozeta Zylo, që e filloi me intervistat e personaliteteve shqiptare që kanë bërë emër në Hollivud, me kryeministrat, ministrat shqiptarë që kanë vizituar Amerikën dhe dhjetëra histori suksesi të shqiptarëve që na kanë bërë krenarë në gjithë botën. Një media që lidh diasporën shqiptare të Amerikës me shqiptarët, Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. 

Kozeta dhe Qemal Zylo; ajo mësuese e letërsisë në gjimnazet e kryeqytetit, ai profesor i lëndëve inxhinierike, ish shef i katedrës në Akademinë Ushtarake, mblodhën gjithë përvojën e tyre për të kryer një mision që kapërcen mbi interesat personale, duke u mishëruar në një vepër të mirëfilltë humanitare e kombëtare.  Fillimisht shkollën shqipe e çelën në State Island, pastaj në Bruklin dhe për herë të parë në historinë e diasporës u hap shkolla shqipe edhe në Manhatan. 

Dhe sado e mundimshme të jetë rruga për të mbërritur deri këtu, çfarëdo kosto të ketë pasur, sot mirënjohja e shqiptarëve atje dhe lumturia e themeluesve Qemal e Kozeta Zylo, nuk ka të paguar. 

 “Fëmijët jo vetëm që mësojnë gjuhën shqipe, por ne kemi edhe tre programe specifike që bëhen  në fundvit; programin e festës së mësuesit, e festës së 7 marsit dhe të festës së abetares dhe këto tre shfaqje u japin mundësinë fëmijëve që të jenë konfidentë në skenë. Është një punë që e bëj me kënaqësi, do shumë durim, por themeli janë çifti Zylo, Qemali e Kozeta. Ata janë shtylla. Gjithmonë ne u themi ata janë motori, ne jemi vagonët.  Qemali ka gjithmonë vizione. Zëre se 90 për qind e veprimtarive, e shfaqjeve vijnë nga vizion i tij dhe kemi një një staf të kualifikuar, me mbi dhjetë mësues, me 200 nxënës, dhe nuk është e lehtë t’i drejtosh, por e bëjë këtë punë me shumë dashuri dhe me shumë përkushtim.”-  thotë Valbona Zylo Watkins.

Tashmë në Amerikë është një Shqipëri më vete, sepse vetëm në Nju Jork ka më shumë se 250 mijë shqiptarë. Alba Life është shkolla më e suksesshme shqipe në Amerikë, por jo e vetmja. Ndaj, Qemal e Kozeta Zylo, drejtuesit e shkollës Alba Life, tashmë organizojnë edhe “Festivalin e Shkollave Shqipe” duke e kthyer mësimin e gjuhës shqipe në Amerikë në një mision që nuk kthehet më mbrapsht. Historia e çiftit Qemal e Kozeta Zylo nis me një histori të rrallë dashurie. 

“Ne akoma jemi të dashuruar, në thonjëza të pamartuar se pas shtatë vjetësh dashurie, nuk patëm mundësi të bënim dasmën se na lindi më e dashura fëmija e parë Valbona, por sfidat e jetës me shumë dashuri i përballuam dhe arritëm deri këtu.”-thotë Qemal Zylo.  

 “Tani e tregoj me shumë krenari, që unë jam lidhur që në vitin e parë të shkollës së mesme pedagogjike, por fëmijëve nuk ua tregonim historinë tonë sa u rritën. Nuk donim që të përballeshin me ata me sfidat dhe sakrificat që u përballëm ne, nëse ndiqnin shembullin tonë. Ishte kjo dashuri që bëri që në këtë 70-vjetor të ditëlindjes së Qemalit të vijmë të realizuar me vajzat tona të mrekullueshme, me nipërit dhe mbesat. Këtë dashuri të ëmbël, me sfidat që herë na ngrinin e herë na ulnin, e kemi kurorëzuar me shumë sukses.”-thotë Kozeta Zylo.  

Në çdo gjurmë të jetës së tyre është pasioni që u jep krah. Vetë jeta e këtij çifti është as më shumë e as më pak një histori pasionesh, që marrin krahë falë lidhjes së fortë që kanë me njëri-tjetrin.  Fëmijët e çiftit Zylo, Valbona dhe Klodiana, u rritën bashkë me prindërit. Dhe kontributi i tyre ka një vlerë të jashtëzakonshme në shkollën shqipe “Alba Life”, përfshi edhe mbështetjen e familjeve të tyre amerikane.  

“Jemi shumë krenar me mamin dhe babin. Një punë me sakrifica, sepse sakrifikojnë dhe familjen e tyre, dhe shkollën vënë gjithnjë të parën. Na bëhet zemra mal që po shkon me kaq sukses dhe fëmijët vijnë me dëshirë. Gocat e motrës kanë mësuar shqip vetëm tek shkolla, pasi në shtëpi, motra dhe burri flasin anglisht. Pra kanë mësuar shqip në atë shkollë, si shumë fëmijë të tjerë që flasin shqip në Amerikë. 

Aty çdo festë shqiptare e bëjnë bashkë, dhe ato familjare dhe festën e flamurit< festimet bëhen në bazë të traditave shqiptare me komunitetin dhe përpiqemi ta lëmë edhe fëmijëve.  

Mami dhe babai na kanë lidhur shumë me komunitetin shqiptar dhe na kanë bashkuar me shqiptarët që janë me breza në Amerikë dhe të tjerë që vijnë. Unë fëmijëve u kam vënë emrat Saranda  dhe Jon, që të jenë të lidhur me Shqipërinë edhe nëpërmjet emrave të tyre.” – thotë Klodiana Zylo Halsted. Todd Watkins, bashkëshorti amerikan i Valbonës është i lumtur për lidhjen që ka me familjen shqiptare.

“Që herën e parë që i takova, m’u dukën njerëz shumë të mirë. E dua gjithë familjen Zylo, dhe tre mbesat dhe nipin. Unë jam shumë i nderuar të ndodhem këtu. Jam me fat që e njoha këtë vend. Kam qenë në Shqipëri për herë të parë para 14 vjetësh dhe përgjatë 14 vjetëve janë bërë shumë ndryshime. I dua shumë shqiptarët!”-thotë Todd Watkins.

E në fund të ditës, motoja e themeluesve të shkollës shqiptare “Alba Life” në Amerikë, Qemal e Kozeta Zylo është: të mos ndalesh kurrë, duke arritur e bërë më të mirën për kombin shqiptar. 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • artur: 08/09/2022 16:35

    bravo, do te doja qe iniciativa te tilla te beheshin dhe ne itali.

    Përgjigju
  • Petan: 08/09/2022 11:12

    Me Qemalin kemi qene komshinj. Me behet qejfi per punet e tij te mira. I uroj suksese.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?