‘Qeni i Sharrit’, i Rusisë në Ballkan!

18 Janar 2019, 09:01| Përditesimi: 18 Janar 2019, 09:03

  • Share

Vladimir Putin ka marrë dhuratë një qen “Sharri” nga Presidenti serb Vuçiç. Sipas gjasave, Vuçiç ka dashur t’i tregojë Putinit, se qeni i “Sharrit” është simbol i forcës dhe aftësive për kafshim të Serbisë në rajon.

Shanset janë që të shpërthejë një debat dhe më i gjerë se aq dhe ta injorojnë simbolikën e Vuçiç. Në Ballkan nuk vritet njeri për atë që është, por për atë që duhet të jetë.

Shqiptarët prej kohësh janë angazhuar që “Qeni i Sharrit” të jetë simbol i tyre. Maqedonasit po ashtu. Biles ata kanë argumente se Aleksandri i Madh, të tillë qen i ka marr me vete në karvanë deri në Indi. Ne kemi dhe dokumentarë rreth “origjinës ilire” të tij. Maqedonasit kanë një skicë që këta qentë kanë shoqëruar Aleksandrin e Madh. Por me ata e kemi më lehtë, se e nxjerrim Aleksandrin gjysëm shqiptar. Pastaj rasti i Aleksandrit të Madh na ndihmon ne, pasi serbët që kanë ardhur në shekullin e gjashtë, e kanë gjetur “Qenin e Sharrit” këtu….!

Të tilla argumente mund të dëgjojmë pa fund këto ditë. Sidomos të mbushura me zemërim për vjedhjen e “Qenit të Sharrit”, pas vjedhjes së “Lahutës” nga serbët.

Ky detaj ilustron më së miri sa e ngulitur është në Ballkan origjina etnike, edhe kur bëhet fjala për kafshët.

Debati për “Qenin e Sharrit” po bëhet sikur edhe qentë edhe njerëzit janë e njëjta kategori, pra sikur janë të dy palët njerëz dhe flitet për origjinën e tyre etnike. Në fakt së paku qentë nuk kanë origjinë etnike. Ata natyrisht që kanë lidhje me gjeografinë dhe kushtet e vendit ku rriten, por nuk mund të themi se ka qenë shqiptar, serb, apo maqedonas, por qen që rriten në Shqipëri, Serbi apo Maqedoni.

Fjala vjen “qen serb” nuk ka kuptim pozitiv kurrë. Përdoret zakonisht kur dëshiron të fyesh e shash serbët. Ky është rasti i parë që një qen serb lakmohet nga të gjitha palët.

Dhe kjo tregon esencën e konfliktit në Ballkan, nevojën që edhe qentë t’i ndajmë sipas etnisë. Serbia këtu është vërtet shembull.

Por Vladimir Putini, nuk është në Serbi për të bërë debat mbi origjinën e “Qenit të Sharrit”. Ai në fakt është aty, për ti dhënë një dorë fuqisë së Rusisë në Ballkan, dhe t’i japë zemër klasës politike serbe, që të refuzojë Perëndimin duke e shkëmbyer me Rusinë.

Jozip Broz Tito në vitin 1948 u bë lideri i parë komunist që refuzoi Bashkimin Sovjetik, dhe krijoi një Jugosllavi të pavarur nga Moska, duke bashkëpunuar me Perëndimin. Ai ishte i pari që refuzoi Stalinin dhe diktatin e tij sovjetik mbi Ballkanin. Ne ishim të fundit që u ndamë nga Stalini, 40 vjet pasi kish vdekur.

Tashmë Aleksandër Vuçiç është Presidenti serb, që preferon të jetë “Qeni i Sharrit”, i Rusisë në Ballkan. Shqipëria është ndërkohë vendi më pro-amerikan dhe më  anti-rus në rajon. Diferenca është dramatike dhe bazë e një ndarje të madhe në Ballkan, që duket se nuk mbushet lehtë.

Por ujërat janë turbulluar pas zërave se pas planit amerikan për Marrëveshjen shqiptaro- serbe, bazuar tek ndryshimi i kufijve, ka dhe një dakordësi ruse.

Por për çudi për këtë nuk ka debat. Debati i vetëm është pse na ka vjedhur Serbia “Qenin e Sharrit” dhe ja ka bërë dhuratë Putinit, si qen me origjinë serbe.

Kjo ndoshta mund të detyrojë Hashim Thaçin që kur ta takojë Presidentit Trump për Marrëveshjen, t’i bëjë një dhuratë simbolike për ta eklipsuar vjedhjen e “Qenit të Sharrit”. T’i çojë p.sh., një kafaz bosh dhe t’i thotë “na e vodhi Putini qenin dhe tani s’ka kush na mbron”. Vetëm kështu Presidenti Trump mund të kthjellohet dhe të kuptojë se këtu lufta është gati dhe për një qen, e jo më për tokë./ TEMA

Komento

Komente

  • mazllem pepinua: 20/01/2019 03:12

    andej nga permeti mo xhan kam degjuar qe thone turku i qenit, ose te pret qeni i metes prape me te degjuar e kam tek ky lloj qeni perfshihen edhe gorot e peshtanit

    Përgjigju
  • E**A**: 18/01/2019 19:12

    Saktë. Për ata që kishin dyshime, tashmë kanë një kuriozitet më pak, vuçiç nuk është asgjë më shumë sesa një prostitutë pa buzëkuq

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?