Politikë

Qeveria mbi 20 mln dollarë në buxhetin e ri për Emergjencat Civile, Ministri i Mbrojtjes: Koordinim më i mirë mes bashkive për përballimin e përmbytjeve

3 Nëntor 2021, 09:35| Përditesimi: 3 Nëntor 2021, 09:49

  • Share

Bashkitë e vendit do të kenë mbështetje mbi 20 milionë dollarë në buxhetin e ri për Emergjencat Civile, para që do të përdorues specifikisht vetëm për emergjenca. Ministri i Mbrojtjes, Nilko Peleshi, gjatë takimit me kryebashkiakët e vendit si dhe me prefektët e 12 qarqeve, u shpreh se buxheti për emergjencat civile nuk është asnjëherë i mjaftueshme, por mund të përballohen më mirë.

“Ne kemi këtë vit rreth 2,1 miliardë pra më shumë se 20 milionë dollarë buxhet për Emergjencat Civile, e cila do të ndahet pak a shumë në mes, pra 1,1 miliardë do të thotë 11 mln dollarë do të jetë si transfertë e kushtëzuar për bashkitë, 600 mln do të transferohen në buxhetet tuaja nga Ministria e Financave përmes Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Peleshi.

Peleshi bëri të ditur se edhe fondi prej 800 milionë lekësh për investimet në fushën e mbrojtjes dhe parandalimit të Emergjencave civile, i cili do të transferohet tek bashkitë për projekte, të cilat do të seleksionohen nga një komitet që do të ngrihet dhe do të bëjë përzgjedhjen e propozimeve nga njësitë vendore.

Në takim u fol për përballimin e përmbytjeve gjatë sezonit të dimrit, ku ministri kërkoi një bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes bashkive dhe institucioneve qendrore.

“Ne tani jemi në sezon dhe do përqendrohemi më tepër te menaxhimi i pasojave, sepse nuk është se kemi kohë sot të flasim për shkakun, për parandalimin e përmbytjeve, por gjithsesi investimet edhe puna e përbashkët për të reduktuar riskun më afatgjatë përmes investimeve dhe punës së koordinuar duhet të jetë një paralele që duhet të na shoqërojë vazhdimisht. Sistemi i ringritur ose i rishikuar sot për sot është një Agjenci Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila funksionon nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes që është autoriteti që koordinon të gjitha forcat, të gjitha institucionet që kanë një rol për të luajtur në përballimin e emergjencave. Ajo që nuk duhet të ndodhë në të ardhmen është që një bashki e caktuar duke menduar që sado të agravohet një emergjencë do të vinë ata të emergjencës së Tiranës, do futet ushtria e do ta zgjidhë punën dhe të flejë gjumë, kjo nuk na bën mirë as juve jo e jo që jeni përgjegjës për të kontrolluar dhe mbrojtur komunitetet tuaja, por edhe ne pastaj na bëhet shumë e vështirë të neutralizojmë një emergjencë. Duhet të kemi një reagim të hershëm, duke vënë funksion edhe komunitetin, i cili duhet të ndërgjegjësohet për të lajmëruar në mënyrë që të parandalojmë sa më shpejt emergjencën, në rast se kjo nuk ndodh pastaj përmasa mund të jetë aq e madhe saqë edhe gjithe FA, të gjitha mjetet tona apo të institucioneve të tjera mund të mos mjaftojnë”, tha Peleshi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?