Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë ka marrë vendimin për “Përcaktimin e përbërjes strukturore e të shpërblimit të anëtarëve të këshillit të lartë të sportit”. Kjo është bërë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, 19 të ligjit nr.79/2017, “Për Sportin”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Këshilli i Ministrave ka vendosur si më poshtë:
1. Përcaktimin e përbërjes strukturore të Këshillit të Lartë të Sportit, i cili kryesohet nga ministri përgjegjës për sportin dhe ka në përbërje të tij 12 anëtarë dhe 1 sekretar, si më poshtë vijon:
a) Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (anëtar);
b) Përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Futbollit (anëtar)
c) Përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Basketbollit (anëtar)
ç) Përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Volejbollit (anëtar)
d) Përfaqësuesi i lnstitutit të Kërkimit Shkencor të Sportit (anëtar)
dh) Dy përfaqësues nga biznesi (anëtar)
e) Tri personalitete të sportit (anëtar)
ë) Një jurist (anëtar)
f) Një gazetar sportiv (anëtar)
g) Një specialist nga MASR (sekretar)
2. Përbërja nominative e Këshillit të Lartë të Sportit përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për sportin.
3. Këshilli i Lartë i Sportit thirret si rregull nga ministri përgjegjës për sportin jo më pak se 3 herë në vit.
4. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë miraton rregulloren e organizimit dhe të funksionimit të Këshillit të Lartë të Sportit.
5. Anëtaret e Këshillit të Lartë të Sportit shpërblehen për pjesëmarrjen në mbledhje sipas përcaktimeve të kuadrit Iigjor në fuqi.
6. Vendimi nr.437, datë 2.7.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e përbërjes strukturore e të shpërblimit të Këshillit Kombëtar të Sportit”, shfuqizohet.
7. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e vendimit.