KOSOVË- Në festën e rëndësishme myslimane, Kurban Bajrami, mjekja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dafina Basholli tha se në urgjencë ka pasur fluks pacientësh me hiperglicemi dhe tension, për shkak se e kanë tepruar me ëmbëlsirat.
Duke folur për mediat kosovare, tha se njerëzit duhet të jetë shumë rë kujdesshëm me ushqimin që konsumojnë dhe mos ta teprojnë me ëmbëlsirat, sidomos personat të cilët vuajnë nga diabeti.
“Çdo ditë në qendrën emergjente kemi mjaft raste të atyre post-COVID, e sidomos sot që është festa e Kurban Bajramit kur njerëzit hanë ushqime me më shumë kalori, sidomos me bakllava dhe pacientët të cilët kanë diabet duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Sot kemi pasë shumë raste që është dashur t’i trajtojmë për shkak të hiperglikemisë dhe hipertensionit, si raste emergjente”.
Mjekja tha se megjithëse numri i saktë i pacientëve nuk dihet, ai është tepër i lartë.
“Numri i tyre mjaft i madh. E shihni që po hynë e dalin për këtë shkak”.
Basholli shtoi se për shkak të festës, ka pasur raste në urgjencë të cilat vinin pas një aksidenti.
Basholli tha se edhe numri i tyre ishte më i madh dhe se po trajtonin edhe ata që morën lëndime më të lehta, por edhe ata që u lënduan më shumë. Madje, ajo tha se iu kanë mbetur pak vende, por se po mundohen t’i menaxhojnë.