Kabuli ra në duart e talebanëve. Ngjarje e madhe. Analistë kundër SHBA nxituan të ngjyejnë penën në mellanin e ngjarjes. Disa nxituan të çfaqin talentin letrar në përshkrimin e ngjarjeve, disa të bëjnë analiza globale gjeopolitike për dështimin e SHBA dhe Perëndimit, disa të shfryjnë dufin “antikomunist” duke hequr paralele sipas vizores e shkallës së sojit të tyre, disa gjejnë rast të shprehin shqetësimin për mungesën e transparencës së veprimeve të Qeverisë sonë, disa lotojnë për cënimin e sigurisë kombëtare etj.
Shkurt një garë e lodhshme mes opinionistësh, në të vërtetë jo për të tërhequr syrin dhe vëmendjen e publikut drejt vlerave të tyre. Të bie në sy që, për së shumti, radhiten në një vijë starti kur përpiqen të zhvlerësojnë vendimin e Kryeministrit Rama për të pranuar afganët në Shqipëri. Në këtë plan diskursi mendja dhe pena e tyre virtuozohet, ushqehet nga mllefi e nga e keqdashja dhe shkarkon dufin mbi Kryeministrin sikur Ky të ketë bërë ndonjë mëkat! Ndjesitë e tyre ndaj Ramës janë të njohura.
Pavarësisht natyrës së vendimit të Edi Ramës; në optikën e tyre vlerësimi do të ishte negative, ai standart si përherë. Shumë djallëzisht e me mllef rrëfejnë: se Rama iu është ofruar SHBA për t’iu servilosur që të fitojë mbështetjen amerikane, apo që vendimi i Ramës nuk lidhet me arsye humanitare por vetëm politike, se të gjithëve na dhemb për afganët por vallë a kemi kapacietete!.., shkojnë deri atje sa ti cilësojnë afganët si një ogur i zi për demokracinë në Shqipëri! Nuk gjejnë dot një fjalë të mirë apo thjesht një gërmë solidarizimi në adresë të vendimit të Kryeministrit. Paturpësisht ata janë dakord që afganët të vijnë në Shqipëri por jo sipas mënyrës së Edi Ramës!
Po si? Hajde gjeje po je i zoti?! E banalizojnë fuqinë e fjalës dhe mbulojnë thelbin e së vërtetës!.. Pa dyshim se këta e dinë që në një aleancë solidariteti dhe serioziteti në përmbushjen e detyrimeve janë domosdoshmëri e egzistencës së vetë aleancës; e dinë dhe e citojnë sa herë t’iu hyjë në punë. Duket se nuk i ha meraku për ato që i tjerrin gjatë për të shpenzuar kohën. Lepuri i tyre flen tjetër kund. Duke përdredhur shtatin, buzët e duart e sjellin diskursin në hullinë e tyre dhe me gojën plot thonë: “Amerikanët kanë shkuar atje për interesat e tyre dhe
kanë mbështetur elita të korruptuara dhe vjen një ditë që populli i nëpërkëmbur, mbështet talebanët, rrëzon elitat dhe amerikanët i nxjerr jashtë!”. Meraku i tyre nuk është fati i afganënve por të heqin një paralele mes Shqipërisë dhe Afganistanit…duke pritur ditën kur të rrëzohet Edi Rama dhe SHBA të dalij jashtë Shqipërisë! Për ata, Edi Rama është tabela e qitjes kurse figura në tabelë është SHBA. Me një të shtënë duan ti marrin të dyja!..Kjo dëshirë, prej Tyre, nuk shprehet për herë të herë. U gjet rasti dhe u përsërit. Rënia e Kabulit është sebepi.