Ilir Meta ka zgjedhur të përcjellë sërish ditën e sotme mesazhe për mazhorancën, duke përdorur një foto të vjetër të tij me Ramën. Më tepër sesa mesazhi me shkrim që ai i bashkangjit, ku sulmon Taulant Ballën dhe Elisa Spiropalin, kreu i shtetit ka sjellë në vëmendje koalicionin e vitit 2013.
Prej ditësh Meta po përpiqet të japë sinjale për një marrëveshje me mazhorancën. Së pari duke e thënë publikisht se e pret ende Ramën për takim. Dhe së dyti, duke zbutur gjuhën ndaj kryeministrit dhe sulmet ndaj qeverisë ia ka besuar këshilltarëve të tij.
Të gjitha këto përpjekje vijnë në një klimë politike kur përflitet një marrëveshje e mundshme mes Ramës dhe Bashës. Dhe në të gjithë këtë histori, Presidenti po tenton të ndërhyjë si palë e tretë. Si një “ish” që nuk i është ndarë shpirti ende nga dashuria e vjetër. Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për pasione, por për të ruajtur pushtetin në rastin e Metës; dhe për të ndarë pushtet në rastin e Bashës. Në këto kushte, i vetmi që duket komod është Rama që ndodhet përpara disa opsioneve.
Tashmë që Lulzim Bashës i është çoroditur koalicioni me LSI, ai ka nxjerrë “të vegjlit” në media që bëjnë thirrje për tryezë me Ramën. Ndërsa LSI bën thirrje edhe për zgjedhje me Ramën kryeministër dhe ky është treguesi kryesor se aksioni i paralajmëruar opozitar mund të tkurret për shkak të përçarjeve.
Gjithsesi lajm kryesor mbeten qëndrimet e Presidentit që në ekran flet për flirte mes Ramës dhe Bashës. Në internet flirton vetë dhe pastaj turr zyrën e tij kundër mazhorancës. Këto tre realitete ku po jeton presidenti janë po aq shqetësuese për publikun, saç është heshtja e Ramës për Ilir Metën. Pasi përdori fotografinë treshe ku shfaqej ai me Ruçin dhe kryeministri në sfond, Presidenti sot e ngushtoi prezencën në foto duke publikuar pozën tek për tek me Ramën.
Me gjasë do të kemi një tjetër postim nga Presidenti: Një foto e Ramës, tek pullë!