Dash Shehi ka shpesh të drejtë. Është një nga ata gurë kilometrikë të politikës shqiptare që jo rrallë ka thënë gjënë e duhur, në momentin e duhur. Prej vitesh për shembull, ka folur me logjikë dhe maturi për pronat, politikat ekonomike, bashkëpunimin politik e luftën ndaj korrupsionit.
Shehi është i pari zyrtar i lartë i opozitës së djathtë që ka kërkuar largimin nga politika të Sali Berishës, që nga kohët kur ai ende s’e kishte lënë kryesinë e Partisë Demokratike. Aktualisht ai e sheh veten të rreshtuar fort në një kuadrat politik që po kërkon të rrëzojë kryeministrin Rama nga pushteti.
Është një zgjedhje, por që deri tani nuk ka prodhuar zgjidhje. Dhe Dashi është sërish i pari, ndër të gjithë kolegët e tij, krerë partish më të vogla, që ka nxjerrë një mësim nga 30 qershori.
Nga ajo datë që duket se e izoloi opozitën nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Sot Shehi ka thënë se Lulzim Basha bëri një gabim taktik kur premtoi se e ndalonte me forcë 30 qershorin. Sipas tij, zgjedhjet duheshin lënë të degradonin në votime, siç e quan ai 30 qershorin.
Sërish intuita e politikanit me përvojë ka domimuar mbi interesin politik të momentit. Dashamir Shehi ka të drejtë të jetë sot i mërzitur me kreun e opozitës zyrtare, i cili bëri një betejë të madhe publike për ndalimin e datës së zgjedhjeve. Sidomos pasi Meta shpalli anullimin e 30 qershorit si datë.
Angazhimi maksimal i opozitës për të sabotuar, prishur e dhunuar zgjedhjet e 30 qershorit, prodhoi vetëm zhgënjim dhe dështim në rradhët e opozitës, pasi zgjedhjet/votimet u mbajtën dhe e djathta humbi edhe bashkitë që qeveriste. Nëse do ishte dëgjuar ajo që Dashamir Shehi mendon për 30 qershorin, të paktën PD e LSI do të kishin një humbje më pak përballë Ramës./Javanews