Diku nga fundi i vitit 2015, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për dekriminalizimin. Kjo i njihet si e vetmja meritë në gjashtë vite Lulzim Bashës, i cili loboi deri aq sa Brukseli e futi zbatimin e ligjit në kushtet ndaj vendit tonë për çeljen e negociatave. Edi Rama, si ‘dhëndër i ri’ në qeverisje e nisi zbatimin e tij deri në dalldi, duke e tejkaluar ligjin përmes telefonatave që bënte personalisht në zyrat e shtetit pas çdo denoncimi nga selia blu.
Rama kërkonte dorëheqjen vullnetare qoftë edhe të një shefi sektori të pastrim-gjelbërimit në bashkinë më anonime të Shqipërisë edhe pse s’e kapte ligji në fjalë. Vetëm e vetëm për t’i mbyllur gojën BE-së dhe Bashës që denonconte edhe ata që kishin plagosur dikë në aksident pa dashje 20 vite më parë.
Për ata që s’e mbajnë mend, situata u bë aq banale, saqë socialistët e thjeshtë konstatonin se ishte ende Partia Demokratike ajo që vendoste se kush do të rrinte në punë e kush jo.
Kështu, kryeministri u bë shkelës i çdo të drejte të njeriut duke larguar nga administrata punonjës të cilëve certifikata e gjendjes gjyqësore u dilte ‘e bardhë’ për shkak të zhdukjes së ‘njollës’ sipas afateve që thotë ligji. E gjitha kjo për egon e tij dhe tekat e Partisë Demokratike.
Paralelisht në të njëjtën kohë, mazhoranca mbrojti përmes ligjit të Nëpunësit Civil treçerekun e të punësuarve nga Sali Berisha, duke u siguruar vijimin në administratë nën petkun e ligjit.
Ky shpjegim në vija të trasha vlen për t’u përmendur pikërisht sot, kur Lulzim Basha ka një bilanc ‘kokash të prera’ dhe këmbëngul se mazhoranca nuk vuri mend gjashtë vite. Pavarësisht se zbatimi i dekrimanilizimit i ka dhënë atij pikë të pamerituara falë formës se si e zbatoi shumica.
Këtë fillim jave, Lulzim Basha e ka ngritur zërin në Roskovec. Kreu i PD ka nisur akuzat ndaj kryebashkiakëve të rinj si persona me të shkuar kriminale. Pasi u ka dhuruar shqiptarëve një shfaqje absurdi me djegie mandatesh e pjekje bashkish, ai tashmë kërkon të gjejë precedentë tek individë të veçantë.
Dhe çuditërisht, Basha e ka nisur dhe e ka mbyllur listën me kryebashkiakët e ish-bastioneve të djathta. Lidhja që selia blu i bën emrave është po aq nonsense sa e gjithë komedia që kemi parë prej muajit shkurt. Basha e ka vënë theksin tek emrat e Valdrin Pejtrit, Rakip Sulit dhe Agim Kajmakut. Sa i përket akuzave ndaj Artur Bushit e Tërmet Peçit, ato janë të përsëritura dhe të verifikuara një herë nga dekriminalizimi i Bashës…
Por për t’u rikthyer tek kryebashkiakët e rinj në Shkodër, Kamëz e Vorë; Basha i ka quajtur bandë kriminale dhe ka bërë një qark të shkurtër. Meqenëse Valdrin Pejtri dhe Agim Kajmaku kanë disa vite pa shkuar në Itali dhe Greqi siç mund të shkojë Gazment Bardhi për pushime herë pas here, ata detyrimisht duhet të kenë qenë të dënuar.
Për ta shuar këtë dilemë, Gazment Bardhi i është drejtuar Prokurorisë me shkresë zyrtare që t’i verifikojë arsyet pse nuk u shkohet më këtyre të dyve në Itali dhe Greqi. Dhe në të njëjtën kohë Partia Demokratike thotë se kjo Prokuroria ku kërkon përgjigje është e kapur nga Rama….
Dy pyetjet që shtrohen nga sot e në vijim janë: Deri kur do të vijojë në krye të opozitës ky lloj kryetari që çfarë thotë në drekë, nuk e thotë në darkë?
Dhe: Pse Rama do të kandidonte emra me precedentë penalë në një palë zgjedhje pa kundërshtarë?
Basha zgjodhi të bëjë prokurorin në Roksovec. Atje ku në kohën e Berishës u vra Fatmir Xhindi. Ndërsa Rama u mahnit e zbuloi Toskanën…
Ndërkohë që për fatin e saj të keq, askush në Partinë Demokratike s’po e bën prokurorin ndaj Lulzim Bashës së paku për retorikën diletante me të cilën po shfaqet përditë e më shumë.
Birisha i nep drejtim puneve
PërgjigjuBravo! I ke vene pike muhabetit se na e neveriten te gjithe
Përgjigju