Rama në podcast me 'kryebashkiaken e tërmetit', Sako: Prioriteti im, pastrimi dhe ndriçimi! Ikjet masive në Durrës lanë shenjë tek unë, pse u ktheva në Shqipëri

22 Prill 2023, 08:07| Përditesimi: 22 Prill 2023, 10:36

  • Share

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ishte e ftuara e radhës në podcastin e Kryeministrit Rama. Sako, të cilës Rama i referohet si 'kryebashkiakja e tërmetit' ka rrëfyer vështirësitë e drejtimit të bashkisë së Durrësit duke theksuar se pavarësisht tyre, nuk ka menduar asnjëherë të tërhiqet.

Sako, e cila do të rikandidojë për bashkinë Durrës nën siglën e PS në zgjedhjet e 14 majit thotë se prioritet i saj mbeten pastrimi, ndricimi dhe gjelbërimi. Kryebashkiakja e Durrësit shprehet se Durrësi është qytet më i pastër por ka vend për përmirësim.

“Sot, patjetër që Durrësi është një qytet më i pastër, këtë e thonë të gjithë banorët e tij. Nuk mund të them që jam e kënaqur nga puna; nga puna ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar dhe për të bërë më shumë, por edhe me projektet madhore që ne kemi së bashku, mendojmë që do t’i japim një vend të ri të qytetit tonë, jo vetëm në rolin që ka në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar”, tha Sako.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit e la Shqipërinë për të bërë specializim për degën e arkitekturës në Itali, por zgjodhi të kthehej ndonëse arriti të gjente një pozicion pune. Para Ramës shprehet se u kthye në Shqipëri se konkurrenca ishte shumë e madhe ndërsa në atdhe e konsideron më të lehtë gjetjen e hapësirave për të ushtruar profesionin.

“Punoja gjithë ditën pa asnjë ditë pushimi për të bërë të njëjtën rrugë në kthim dhe sigurisht në Romë konkurrenca është shumë e madhe.  Kishte shumë arkitektë, të cilët punonin kamariera në qendër historike dhe ku fitonin shumë herë më tepër sesa të ushtronin profesionin dhe kjo më bëri që të mendoj që në Shqipëri kisha më shumë hapësira për të ushtruar profesionin tim dhe patjetër kisha më shumë hapësira për të punuar”, tha Sako.

Sako u kthye pas në kohë duke kujtuar edhe vitet e emigrimit masiv të qytetarëve nga Shqipëria duke thënë se kanë lënë shenjë në kujtesën e saj. Edhe familja e saj e përjetoi pasi babai i Sakos tentoi të emigronte drejt Italisë, por ishte gjyshja që u alarmua dhe e ndali.

Ndërkohë, Sako ka zbuluar bisedën e parë me kreun e qeverisë kur mori postin në kohë pandemie dhe nuk mund të bënin aktivitete në terren por komunikonin përmes aplikacionit ‘Zoom’.

“Po. S’besoj se do e harroj ndonjëherë. Fjalia me të cilën ne jemi takuar, kemi qenë në një mbledhje zoom sepse në kohën kur unë mora detyrën e këshillit bashkiak nuk ishte e mundur që të bënim aktivitete në terren prej pandemisë, pra dy sfida të mbivendosura tërmeti dhe pandemia dhe fjalia që ju më keni thënë është: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”, që ishte për një person që sapo kishte marrë një detyrë, çfarë detyre në një moment shumë të vështirë të qytetit të Durrësit, ku përveç tërmetit ishte dhe pandemia. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Unë nuk kisha patur mundësi që të takohesha me ju më herët. Ndodhi në këtë mënyrë”, tha Sako.

Ora 08:52
Rama: Sa herë ke menduar ta lësh punën? Sako: Asnjëherë! Nëna më pyeste pse më sulmojnë, tani bën fushatë për mua

 

Në podcast-in me Edi Ramën, Emiriana Sako thotë se nuk ka menduar asnjëherë që të lërë punën pasi këtë e ka diskutuar më parë me familjen. Edhe diskutimet që kishte në fillim me nënën e saj nuk janë më pasi tanimë nuk e kanë më fokusin që t’i përgjigjen sulmeve.

Edi Rama: Sa herë gjatë gjithë kësaj periudhe tre vjeçare, sa herë ke menduar që çfarë merrem me këtë punë, më mirë ta lë fare?

Emiriana Sako: Asnjëherë!

Edi Rama: Nuk e ke pasur kurrë këtë...

Emiriana Sako: Jo, asnjëherë!

Edi Rama: Në momentin që të ka ardhur në majë të hundës nga ndonjë situatë mbingarkese.

Emiriana Sako: Ka pasur lodhje shumë domethënë. Unë e kam marrë detyrën në 23 prill të 2020 dhe e diela e parë që kam qëndruar paradite, pra që nuk kam shkuar në bashki fizikisht, ka qenë mbase gushti i 2021. Pra kjo ka qenë një kohë shumë intensive pune por unë e kam parë si një mundësi që...

Edi Rama: Po sa herë të ka thënë burri ca merresh me këtë punë, lëre fare.

Emiriana Sako: I kam thënë që para se të thoja po, i kam thënë, po të pyes që mos më thuash pastaj pse s’na pyete, më le mua me kalamajtë apo i le kalamajtë rrugëve.  E kur më thotë kështu, i them që të pyeta.

Edi Rama: Po prindërit? Sa herë i gjen me çehre të vrarë, me ilaçe për t’u qetësuar nga çfarë dëgjojnë kur të sulmojnë.

Emiriana Sako: Po, ime më më tepër domethënë se im atë është më indiferent si natyrë, më i ftohtë, por ajo është, edhe në zgjedhjet e marsit ishte, domethënë nuk guxoja të shkoja në shtëpi atje se fillonte me pyetjet, po ky tha kështu, po pse e tha ai atë? Tani është më e preokupuar që të takojë njerëzit e të bëjë fushatë për mua.

Ora 08:38
Sako: Durrësi është qytet më i pastër, ka ende vend për përmirësime! Prioritetet e mia, pastrimi dhe gjelbërimi

 

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako thotë se prioritetet e saj mbeten pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi për ta bërë qytetin bregdetar më të pastër, megjithëse thekson se ka vend për përmirësime.

“Durrësi ka pësuar një transformim të vazhdueshëm në këtë 20 vjeçar, është një qytet, i cili është bërë më modern, më i hapur, ka një rritje të madhe të numrit të turistëve, shkon çdo vit në rritje dhe kjo patjetër ndikon tek shërbimet, tek cilësia e shërbimeve që jep sektori i biznesit, por unë gjatë punës time jam përpjekur të merrem me, ato punët e shtëpisë siç quhen; pra, pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi, pra i kam dhënë një prioritet shumë të madh.

Sot, patjetër që Durrësi është një qytet më i pastër, këtë e thonë të gjithë banorët e tij. Nuk mund të them që jam e kënaqur nga puna; nga puna ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar dhe për të bërë më shumë, por edhe me projektet madhore që ne kemi së bashku, mendojmë që do t’i japim një vend të ri të qytetit tonë, jo vetëm në rolin që ka në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar.

Kam shumë durim, jam karakterizuar gjithmonë, por në mënyrë të veçantë kjo është një punë që kërkon durim dhe kërkon t’i shkosh deri në fund gjërave, kërkon që pra unë mund të kem, t’i dëgjosh njerëzit me kujdes, pra unë mund të kemi 1000 probleme në kokë, ama kur dëgjoj një pensionist apo një qytetar, i cili kërkon banesë sociale, i ngri këto 1000 problemet e mia e të fokusohem tek problemi i tij. Plus përpiqem që të mos neglizhoj asnjë gjë nga kërkesat, nga gjërat që shoh, edhe kur takoj njerëz në rrugë që më thonë është prishur ai stoli atje, përpiqem që këtë gjë ta  mbaj shënim e ta ndjek personalisht deri sa të bëhet, pra unë përpiqem që edhe të flas me stafin, të komunikoj pra njësoj si në familje, pra ta shpjegoj këtë gjë që është shumë e rëndësishme, koherenca”, tha Sako.

Ora 08:35
Kryebashkiakja e Durrësit kujton Komisionin Hetimor për Inceneratorët: Më dukej i padrejtë! Po të më shpoje s’më dilte një pikë gjak në atë debat

 

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka kujtuar Komisionin Hetmor për Inceneratorët ku pati tenosione dhe debate të ashpra. Ajo thotë se i dukej i padrejtë se ishte në fushatë zgjedhore, megjithatë u përpoq që të ruante qetësinë.

“Doja të bëja një refleksion të asaj që kam ndier unë të paktën në këtë tre vjeçar për të qenurit pjesë ne politikë. Në përgjithësi, edhe nga të rinjtë që janë pritet mbase një lloj agresiviteti për t’u bërë i barabartë me atë medium që është në Shqipëri që të jesh politikan duhet të bësh debat, duhet të jesh i sherrosur gjithë kohës e të tjera me radhë dhe unë kam qenë e kundërta e kësaj sepse këtë formim kam edhe këtë natyrë kam. Në përgjithësi jam e fokusuar te puna dhe te raporti me njerëzit. Ajo është më e rëndësishmja për mua, por kur kam qenë në Komision Hetimor patëm një farë përplasje me grupin e komisionit dhe në fakt, unë isha... po të më shpoje nuk me dilte një pikë gjak në atë debat që patëm aty sepse më dukej i padrejtë. Më dukej i kërkuar sepse unë isha në një fushatë zgjedhore. Pra, më dukej si një mizanskenë tamam kështu më dukej. Ndërkohë, njerëzit më falenderonin, më thonin bravo për sjelljen, për qëndrimin, për përballjen që kisha bërë dhe nuk arrija t’i besoja syve se mua më dukej një gjë negative ajo që kishte ndodhur atje, ndërsa njerëzit e kërkonin këtë gjë mesa duket dhe kjo unë mendoj se duhet të ndryshojë sepse politika nuk bëhet vetëm nëpërmjet këtij debati kaq të fortë dhe shpesh herë shterpë, por bëhet nëpërmjet fakteve, qëndrimeve, nëpërmjet punës, e të tjera me rradhë siç bëhet në çdo profesion tjetër”, tha Sako.

Ora 08:32
Rama: Politikën e mendojnë si punë të poshtër që s’duhet t’i afrohesh! Ka të bëjë se në duart e kujt bie dhe mënyra si përdoret

 

Kreu i qeverisë, në podcast-in me kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako tha se politikën shumë njerëz e konsiderojnë si punë të poshtër që s’duhet t’i afrohesh por në fakt duhet parë se në duart e kujt bie.

“Fatkeqësisht shumëkush e mendon politikën si një punë të poshtër siç thashë dhe si një pisllëk, si një gjë, të cilës as nuk duhet t’i afrohesh, s’duhet t’i dëgjosh erën, s’duhet t’ia dëgjosh zërin, por ata që e mendojnë kështu, dhe janë shumica, e harrojnë që pa politikën s’do bëheshin kurrë gjërat që i kanë ndodhur njerëzimit dhe politika mund të jetë shumë e mirë, mund të jetë dhe shumë e keqe në varësi nga duart në të cilat bie dhe nga mënyra si përdoret, por mbi të gjitha sa më shumë njerëz të merren me të, aq më pak politika mund të merret me njerëzit në mënyrë të gabuar”, tha Rama.

Ora 08:19
Kreu studimet në Itali, Sako zbulon pse u kthye në Shqipëri: Atje kishte arkitektë që punonin kamarierë, kishte shumë konkurrencë

 

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka zbuluar se idenë e arkitekturës si formim e nisi që prej gjimnazit dhe vijoi më tej. Ajo shkoi për specializim në Itali, ku nisi edhe eksperiencë në një studio projektimi atje dhe ishte e dyzuar nëse duhet të kthehej apo të qëndronte.

Në përfundim vendosi të kthehej në Shqipëri dhe zbulon arsyet përse e bëri këtë zgjedhje.

“Atje duhet të merrja tre mjete që të shkoja në punë duhet të mbaja një laptop nja një orë në kurriz, domethënë do ndërroja dy autobusë dhe një metro që të arrija në këtë studio. Punoja gjithë ditën pa asnjë ditë pushimi për të bërë të njëjtën rrugë në kthim dhe sigurisht në Romë konkurrenca është shumë e madhe, është një qytet, i cili dhe studentët i vendos përpara një blloku sepse ka bukuri të rëndësishmë e të tjera me radhë. Ka shumë studio arkitekture. Ka një konkurencë të madhe. Kishte shumë arkitektë, të cilët punonin kamariera në qendër historike dhe ku fitonin shumë herë më tepër sesa të ushtronin profesionin dhe kjo më bëri që të mendoj që në Shqipëri kisha më shumë hapësira për të ushtruar profesionin tim dhe patjetër kisha më shumë hapësira për të punuar”, tha Sako.

Komento

Komente

  • jona: 22/04/2023 14:32

    nje podkast mjaft interesant qe duhet ta degjojne te gjithe

    Përgjigju
  • Erina: 22/04/2023 12:55

    Ja vlen qe kjo ti fitoje zgjedhjet kete here ne durres

    Përgjigju
  • Ani: 22/04/2023 12:46

    Nje kryebashkiake e mirefilt e cila ka punuar shume per kete qytet

    Përgjigju
  • Arbëri: 22/04/2023 12:34

    Durrsin is premtove Serbis fashist o tradhtar i pështir, por shqiptari i fundit Avniu ende është gjallë …!!!

    Përgjigju
  • Bim: 22/04/2023 10:29

    Ne Itali arkitetet kur nuk bejn kameriera marrin 700-800 euro ne muaj kur jane me fat

    Përgjigju
  • Ari: 22/04/2023 10:18

    Ehh me pahir sbehet

    Përgjigju
  • XHEI: 22/04/2023 10:12

    E SA GJERA NUK TREGOHEN

    Përgjigju
  • Lavdija: 22/04/2023 10:01

    Si mund te genjehet kaq paturpesisht? Sigurisht qe me te lumturit jeni ju qe keni cdo gje, po pse shtireni sikur I doni njerezit. Po te kishit dashuri per njerezit, do benit dicka per ta. Ju doni vetem pasurine, ajo eshte Zoti juaj. I keni shitur shpirtrat te djalli

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?