Edi Rama jo vetëm që nuk iku, siç premtuan kur Berisha dhe Basha ishin bashkë, por si kryetar i maxhorancës qeverisëse dhe kryetar i PS-së që mbeti tani që ata janë ndarë, duhet të zgjedhë kundërshtarin, me të cilin do të bashkëpunojë më tej për realizimin e reformave. Do të zgjedhë atë që do të kryesojë një parti më të ‘bashkuar dhe më të fortë’, megjithëse ka parashikuar që ai do të jetë, Lulzim Basha.
Paralelisht edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka preferuar ashtu si Rama, para dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit, se do të jetë e hapur për të biseduar vetëm me Bashën.
Deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare Basha duhet të ketë pas vetes të paktën 30 deputetë, shifër e konsiderueshme kjo për të miratuar ligje me shumicë të cilësuar në Kuvend, edhe pse Rama mund të luajë politikisht me kundërshtarin nëse thotë: zgjodha ‘opozitën që duam’.
Megjithatë më 11 dhjetor Sali Berisha do të mbledhë Kuvendin e tij Kombëtar të PD-së dhe pritet të shkarkojë Lulzim Bashën dhe bashkë me kryetarin, edhe tërë mbështetësit e tij nga të gjitha postet drejtuese.
Më 18 dhjetor Lulzim Basha do të mbledhë Kuvendin e tij Kombëtar dhe pritet të përjashtojë Sali Berishën bashkë me mbështetësit e tij deputetë nga Partia Demokratike.
Lulzim Basha nuk do t’i njohë strukturat paralele, siç premtoi, pas zgjedhjeve të reja që do të organizohen më 11 dhjetor, prandaj edhe Berisha paralajmëron se do ta rimarrë PD-në përmes një revolucioni paqësor, revolucion që, sipas tij, ka nisur para dy muajsh dhe nën lidershipin e tij do të vazhdojë derisa të çlirohet partia nga ‘pengmarrësit’ e Ramës.
Revolucioni i Berishës nga paqësor a mund të bëhet i dhunshëm nëse nuk përmbushet objektivi paqësisht? Berisha dhe përkrahësit e tij mund të pushtojnë ‘paqësisht’ selinë pas 11 dhjetorit, duke thyer ndonjë derë, nëse Basha siç shprehet, nuk e dorëzon paqësisht çelësin e zyrës dhe vulën e kryetarit të partisë.
Por më tepër se Basha, është Berisha më i interesuar që të shmangë përplasjet e mundshme fizike, për godinën e selisë.
Nuk pritet të ketë përleshje të mundshme fizike mes mbështetësve të Bashës me ata të Berishës. Basha jo më kot ka refuzuar deri tani ftesën e vazhdueshme për sherr, kur i thonë që të dalë me një Foltore tjetër dhe të ballafaqohet me bazën, në një kohë kur ai pretendon se është rizgjedhur prej tyre me mbi 80 për qind të votave, shto edhe pëlqimin e liderit historik.
Nëse e merr me dhunë selinë, Berisha në fakt nuk i druhet aspak pengesës së përkahësve të Bashës, madje as ndërhyrjes së mundshme të policisë, por faktorit ndërkombëtar. Duhet pranuar që përkrahësit e Berishës në PD janë të konsiderueshëm, sepse kjo parti është ngritur për 30 vite mbi frymën e “Njëshit”.
Militantët e Berishës dallojnë nga militantët e liderve të tjerë, madje ata janë edhe më të flaktë se ultrasit e një ekipi futbolli, që shohim në ndeshjet e mëdha derbi. Ultrasit fiton apo nuk fiton ekipi i tyre i zemrës, parapëlqejnë të jenë të zhurmshëm, të dhunshëm, mundësisht të rrihen në çdo kohë fizikisht me kundërshtarët e tyre. Prandaj krijojnë përshtypjen se janë gjithmonë më të shumtë në numër, edhe kur nuk janë, krahasur me ata që i shmanget sherrit, por sesa janë realisht kjo mbetet për t’u parë kur të zhvillohen zgjedhjet.
Madje për rikthimin e Berishës ata janë gati të flenë në oborrin e selisë, derisa Basha të mos ketë më punë aty. Megjithëse, në një rast të tillë drejtuesit e ‘revolucionit paqësor’ mund të akuzohen për zaptim të paligjshëm të pronës shtetërore, nëse do të denoncohen nga kryesia aktuale e PD-së, të cilën e kontrollon Basha.
Pothuajse të gjithë precedentët e mëparshëm të pushtimit të institicioneve kushtetuese me dhunë i ka organizuar Berisha, por në të gjitha rastet është dënuar politikisht nga faktori ndërkombëtar. Kujtojmë se kohët e fundit edhe përkrahësit e Trump pushtuan Shtëpinë e Bardhë, por që prej asaj dite ish-presidenti u zhduk ‘dhunshëm’ nga skena publike.
Në Shqipëri mungojnë organe ligjzbatuese si në SHBA, që të veprojnë në rrugë të pavarur me të njëjtën forcë që të ruajnë ekuilibrat. Politika amerikane ndoshta pret ndonjë gabim të ngjashëm, për të vënë në lëvizje autoritet ligjzbatuese shqiptare, në goditjen e personazheve të padëshiruara prej saj.
Për këtë arsye Basha duket së është më komod pavarësisht se sa mbështetje i ka mbetur në bazë, fakt ky që i kujtohet shpesh.
Duke u kujdesur që të shmangë përleshjet fizike, Basha është njohur pavarësisht zhvillimeve të mëtejshme kryetar legjitim nga SHBA. Me shumë mundësi do të njihet edhe nga Partitë Popullore Europiane pas ‘shkarkimit’.
Çështja mund të zgjidhet edhe në gjykatë, por Berisha me përkrahësit e tij do të paragjykojnë vendimin nëse një i tillë do të jetë në favor të Bashës. Vetëm nëse rizgjedhjen e Berishës do ta njohin partitë e djathta europiane, kjo mund të jetë fitorja e tij e vetme dhe në këtë rast çështja e kryetarit mund të komplikohet.
Duke qenë se beteja aktuale është problem i brendshëm i PD-së, Berisha e sigurtë është që në rast se e merr me forcë selinë, apo nëse organizon protesta të dhunshme, do të bojkotojet nga partitë e djathta europiane.
Berisha nga përvoja e gjatë politike i di pasojat e ndonjë radikalizimi të mundshëm në rast se do të ketë akte të dhunshme në PD, prandaj edhe do të përpiqet të gjejë një zgjidhje paqësore politike me Bashën pas festave dhe ‘revolucionit’.
Një zgjidhje e mundshme paqësore është që Basha (duke qenë se ka shumicën e deputetëve) të mbajë selinë dhe të krijojë një parti tjetër, me logo tjetër pas Vitit të Ri, për të themeluar një të djathtë të re, sipas modelit të tij, për t’u çliruar përfundimisht nga e kaluara që thotë se po mban peng PD-në, para se të pretendojë rikthimin e opozitës në pushtet.
Pjesa më e madhe opozitarizmit mund të jetë edhe pjesa më e madhe e elektoratit, e cila ndodhet aktualisht e demoralizuar dhe në zonë neutrale, që mund ta fitojë Basha me kalimin e kohës duke marrë në konsideratë mbështetjen dhe ndihmën ndërkombëtare. Mund ta ndihmojë edhe Rama deri në atë masë sa Basha të fitojë betejën e opozitës ndaj Berishës, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit kur PS+PD bashkuan forcat atje ku duhej dhe goditën rëndë LSI.
Ndërsa Berisha dhe përkrahësit e tij mund të rikthehen me logon e vjetër te selia e vjetër.
Para se të premtojë rikthimin e mundshëm të opozitës shqiptare në pushtet, edhe nëse do t’i bashkohet LSI me Metën, Berishës do t’i duhet të presë rikthimin e mundshëm të Donald Trump nën udhëheqjen e SHBA-ve, që të pastrohet politikisht nga akuzat e DASH (nëse ato janë vërtet politike dhe jo penale siç pretendohet prej tij) edhe pse ky skenar ngjan si të mbahesh me shpresë, pasi mbasadorja aktuale e SHBA-ve, Yuri Kim, erdhi dy vite më parë në Tiranë me propozim të Republikanëve.
Por nëse akuzat e DASH përmbajnë elementë të veprës penale, Berishës, por jo vetëm, edhe të tjerëve që janë paralajmëruar nga SHBA, do t’iu duhet të përballen me drejtësinë e re, e cila sipas buxhetit të vitit që vjen do të përfitojë dyfishin e fondeve që të ngrihet dhe të jetë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.
Muaji dhjetor i 2021 do të jetë muaj i zhvillimeve dramatike në PD. Viti 2022 pritet të jetë viti i një opozitarizmi tjetër. Konflikti Berisha-Basha nëse zgjat aq sa të bëhet i lodhshëm dhe i mërzitshëm për elektorarin, do të lindë edhe më shpejt nevojën e krijimit të një rrymë të re opozitarizmi në vend.
Arianit, te mbaj mend si nje te apasionuar dhe analist futbolli por qe shoh qe je sofistikuar ne mendime dhe pene :) Ben shkrime me mendime te shtjelluara mire dhe me ide provokuese. Shpresoj te lexoj me shume nga shkrimet e tua.
Përgjigju