Asambleja e djeshme e Partisë Socialiste, si rëndom në fakt, thelbin e saj, më shumë sesa një mbledhje pune, e kishte tek fjalimi i Edi Ramës.
Anëtarët e Asamblesë, më shumë ishin koreografia në distancim të lehtë social në një ambient komod si amfiteatri i Liqenit Artificial.
Gjithsesi, fjala e Ramës, e cila ishte 2 orë pa 10 minuta fiks, përbënte bazën e fjalorit elektoral të Partisë Socialiste në fushatën e mandatit të tretë.
Mbrojtje me shifra e manifeste me ngjyra demonstrimesh, hapje krahu të premtimeve zgjedhore për rrugë, aeroporte e investime milionash, por thelbi i gjuhës së manifestit zgjedhor të PS-së, shpallur me gojën e Edi Ramës, ka një rezultante dhe shënjestër të kolauduar në snajperin elektoral të mazhorancës; ajo është LSI-ja.
Një lëvizje politike që deri tani ka dalë andej- këndej nëpër prezantime e fjalime, por që tashmë e thënë nga Rama nga Asamble u bë e ditur si një “bukë” për fushatën elektorale të mazhorancës.
Sipas asaj që u pa nga fjalimi i Edi Ramës, nuk do të ketë hallakatje në fushatën e PS-së në territor, por vetëm që të shenjëstrojnë e godasin LSI-në kudo.
Kjo, jo vetëm për të amortizuar goditjet që ka dhënë dhe pritet të japë edhe më të forta Ilir Meta ndaj Ramës e PS-së, por edhe për arsye pragmatiste politike.
Kjo, pasi nuk është komode të bësh luftë me të gjitha palët; mjafton të godasësh e të asgjësosh njërin prej aleatëve. Siç ndodh edhe në shah, kur për të synuar mbretin, kërkohet të hash figurat e tjera që e mbrojnë.
Sipas asaj që tha Edi Rama, e sipas gjasave që panorama e tij mund të sjellë në bazë, nuk do të jetë PD-ja e Lulzim Basha, tabela ku mazhoranca do të shkrepë bataretë politike; por vetëm Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në fjalimin e tij, Edi Rama nuk e ka sulmuar fare Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike. Përkundrazi, ka deklaruar se “duhet të shpëtojmë ushtarin e mirë Luli” nga Iliri dhe Monika.
Dhe këtu bëri diversion, duke ju drejtuar demokratëve, me të cilët dialogoi, tentoi t’i prekë në pikën e dobët për disa kur kujtojnë koalicionin qeverisës me LSI-në, me një batutë “llastoi” militantët më të egër të PD-së që do t’i sillte me avion nga Londra falas, etj etj.
Kjo është hera e parë politikisht që në një palë zgjedhje Edi Rama i zhvillon duke pasur “armik fatal” LSI-në e Ilir Metën.
Sapo mori kreun e PS-së, Edi Rama, erdhi më flamurin e bashkimit të së majtës dhe u bashkua me Ilir Metën në zgjedhjet lokale të 2007-s, gjë që i dha shumicën e bashkive në vend.
Në 2008-n, me paktin e bërë me Sali Berishën për kodin elektoral sipas modelit spanjoll, tentoi të ç’faktorizojë LSI-në, por i “dhuroi” 35% të pushtetit me Sali Berishën në 2009-n.
Edhe pse në 2011-n e kishte shënjestruar egërsisht për ta bërë këtë në prag të zgjedhjeve vendore të atij viti, fakt është se në Tiranë, ku Rama garoi për mandatin e katërt LSI u rrit dhe ishte jetikë për mandatin e Lulzim Bashës-kryebashkiak.
Ndaj në 2013-n, Rama nuk riskoi dhe e bëri sërish aleat Ilir Metën, me të cilin mori 84 mandate, ku kishte dorë të lirë për të bërë shumëçka.
Katër vjet më vonë u prish me të por e bëri president.
Lulzim Basha, përkundrazi në 2017-n, tentoi për herë të parë të bëjë armik LSI-në, që të rikthente votat e marra nga Meta në hambarin e PD-së në 2013-n, por dështoi.
Mori 250 mijë vota më pak, të cilat i mori as më pak e as më shumë LSI, që siguroi 18 mandate.
Pra deri më sot, kush ka bërë armik LSI-në e Ilir Metës, e kanë pësuar, pasi ai ka qenë realisht “çelësi” i qeverisjeve në vend.
Duke përmendur natyrisht edhe 2005-n, ku LSI ishte vitale për humbjen e Fatos Nanos e riardhjen e Sali Berishës.
Kjo strategji e Edi Ramës, është pak më ndryshe, pasi e ka përqendruar të gjithë arsenalin politik vetëm kundër LSI-së, por megjithatë ka dhe anën tjetër të medaljes.
Pasi nëse dështon të fundosë fuqinë politike të Ilir Metës, e bën atë edhe më të fortë në lojën e ardhshme politike.
Por, duhet thënë, se LSI-ja këtë herë nuk është si në vitin 2009, kur mund t’i mjaftonin edhe 4 mandate “të arta” për tu faktorizuar. Potencialisht i duhen shumë më shumë.
LSI ka 4 vjet që nuk ka asnjë lloj pushteti për të faktorizuar anëtarësinë, siç ka ndodhur që nga 2009-a deri në 2017-n.
Dhe këtë Ilir Meta e di shumë mirë, por presidenti aktual i Republikës, ka krijuar një profil që në situata të jashtëzakonshme apo lufte, forcohet.
Është bërë kryeministër, kryetar Parlamenti, kryetar shteti, ka marrë pjesë të madhe të tortave të pushtetit.
Këtë herë, Meta, nuk luan për ndonjë post më të madh, pasi nuk ka të shkojë më, por luan për mbijetesën, ndaj edhe mund të bëjë “kamikazin” për të shkatërruar Edi Ramën.
Por edhe kryeministri, e ka ndarë qartë këtë politikisht, siç dhe e bëri të ditur në fjalimin para Asamblesë.
Një mandat i tretë, që natyrisht është “beteja e jetës” politike e Edi Ramës, nuk mund të bëhet me Ilir Metën, ndaj dhe duket se do të kemi betejën më fatale ndërmjet dy politikanëve që kanë qenë protagonistë absolutë të politikës shqiptare që nga viti 2000.
Betejë që do të jetë natyrisht “Stalingradi” i zgjedhjeve shqiptare në shumë vite, me shumë “viktima”.
PD përballë kësaj lufte ka edhe shans, por edhe disfavore; po fitoj Rama mund të mos vijë në pushtet, por po triumfoi Ilir Meta në këtë luftë, fitorja e Bashës, mund të jetë më keq se ajo e Pirros.
Meta ka nje shans tekape ket temin si hudher e fitoren ne xhep
PërgjigjuO HENRI SUMA A E DI TI QË NË KTË KORE TOKE SKA NJERI MË TË KORUPTUAR E MË HAJDUT SE ILIR META ME BLLOK NË DOR. PRANDAJ O HERI SHKO TE DOKTORI SE SQEKE MIR.
PërgjigjuLikja ka Me shume shance Per te fituar arsyja Rames e ka nivelin e korrupsionit Me te larte se Likja
Përgjigju