Rama: Sistemi ynë gjyqësor ka favorizuar burrat para grave! Të korruptuarit me kravatë dhe kostum kanë shkelur të drejtat e njerëzve

28 Dhjetor 2019, 12:20| Përditesimi: 28 Dhjetor 2019, 19:24

  • Share

Kreu i qeverisë foli para grave të burgosura për draftin për aministinë e grave të burgosura, duke e lidhur dënimin e tyre me plagën e Reformës në Drejtësi, ku persona të korruptuar kanë favorizuar burrat në dhënien e vendimit.

"Është fatkeqësi e madhe që kur sheh gjithë historinë e sistemit tonë gjyqësor, sheh se në kapitullin e gjyqeve mes burrave dhe grave raporti i vendimeve që shkojnë në favor të burrave e atyre që shkojnë në favor të grave është skandaloz.Këtu kam parasysh gjyqe që të rrënqethin mishin kur lexon dosjet për gra të dhunuara, të përdhunuara, me protagonistë që shpëtojnë, ose si të pafajshëm fare, ose me dënime qesharake dhe edhe me përsëritës, pra, burra të dënuar për akte dhune ndaj grave që ribëjnë akte dhune pasi lirohen në sallën e gjyqit dhe dalin të lirë duke e bërë edhe shtetin bashkëpunëtor në krim në këtë rast.

Po ashtu, përtej shumë përmirësimeve që i janë bërë në vite legjislacionit kundër dhunës ndaj grave, në zbatim është shumë e qartë që përsëri gratë janë viktima në masën më të madhe, viktima jo më të fajit të tyre, por të një sistemi që gjithmonë priret prej vitesh që fajësinë ta lërë tek pjesa më e dobët, tek gratë, tek më të varfrit, tek ata që nuk kanë mundësi ta blejnë të drejtën, përkundër palësh përballë që janë më të fortë, janë më “të shkathët”, janë më të pasur.

Me reformën në drejtësi unë kam shumë besim që gjërat do të ndryshojnë. Natyrisht që është e vështirë për njerëzit e lodhur dhe të neveritur për shumë vite nga sistemi i drejtësisë që të kuptojnë që ky është një proces që kërkon një durim shumë të madh, sepse ndërton një shtëpi që është me duart e tua, me të ardhurat e tua, me tulla e me llaç dhe ajo kërkon një vit, dy vjet, jo më të ndërtosh një sistem ku ka kaq shumë ndërveprim, njerëz, duar, sy, mendje e kështu me radhë që kërkon kohën e vet. Ndërkohë që ajo që është bërë në këtë periudhë nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku në historinë e shtetit shqiptar në raport me kundërvënien e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë, ndaj atyre që do ta kishin merituar 1000 herë më shumë se sa dhe ajo që këtu ka bërë krimin më të rëndë, që të ishin ata në burg dhe që në fakt, me kostum e me kravatë kanë dhënë vendime që e kanë shkelur, rishkelur dhe stërshkelur të drejtën e njerëzve të zakonshëm.

Kundërvënia ndaj tyre, pastrimi i tyre nga sistemi i drejtësisë është një gur themelor që ndryshon rrugën e historisë, por natyrisht që kjo është një rrugë më e gjatë sesa durimi i njerëzve dhe është një rrugë që shtrohet në mundim të madh hap as hapi, vit pas viti dhe në fund të ditës ajo që është e rëndësishme është që të gjithë mendojmë se vajzat tuaja, djemtë tuaj, fëmijët tuaj nesër të jetojnë në një vend që ka një sistem drejtësie që nuk i bën më krimet e fajet e gabimet e bëra në gjithë këto 30 vjet", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Parlamenti miraton amnistinë për gratë e burgosura menjëherë pas vitit të ri! Ato që nuk lirohen përfitojnë lehtësi dënimi (VIDEO)


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?