Që një çështje civile të gjykohet në Gjykatën e Apelit në Tiranë duhen më shumë se sa 16 vite, për shkak të ‘malit të dosjeve’ dhe numrit të pakët të gjyqtarëve, më pak se gjysma e numrit të parashikuar. Ky është konkluzioni i Këshillit të Lartë Gjyqësor, reflektuar në raportin e punës për vitin 2022. “Koha mesatare e nevojshme për shqyrtimin e çështjet ndryshon në varësi të gjykatës. Në dy gjykata të apelit, në Gjirokastër dhe Shkodër çështjet civile gjykohen brenda afatit të arsyeshëm, ndërsa në 4 gjykatat e tjera shqyrtimi civil i kalon afatet e arsyeshme për dhënien e vendimit. Problematike paraqitet gjendja në Gjykatën e Apelit Tiranë ku treguesi DT shënon vlerën 5995.3 ditë ose 16.4 vjet”, thuhet në raport.
Ndërkaq, Gjykata e Lartë e ka filluar vitin 2022 me një total prej 36.066 çështjesh në pritje të gjykimit. Por, sipas raportit të KLGJ-së, për herë të parë, ka nisur trendi i uljes së ‘malit të dosjeve’, ku gjatë vitit 2022, numri total i dosjeve ka rënë me 985. Në raport thuhet se me këtë ritëm, në vitin 2026, në Gjykatën e Lartë, nuk do të ketë më çështje të mbartura. “Në pritje të gjykimit në fund të vitit raportues mbeten ende 31,826 çështje. Nga raportimet statistikore të mbledhura rezulton se, që prej vitit 2019 pranë Gjykatës së Lartë regjistrohen mesatarisht 3587.5 çështje të reja në vit. Nëse do të merreshin këto ndryshore, së bashku me hipotezën se 19 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do të ruanin rendimentin e gjyqtarëve gjatë vitit 2022 me 864.3 çështje të gjykuara në vit për gjyqtar, stoku total i Gjykatës së Lartë do të ezaurohej plotësisht gjatë vitit 2026”, thuhet ën raport.
Në sistemin e drejtësisë mungojnë 226 prokurorë dhe gjyqtarë. Në të gjithë sistemin e prokurorisë në Shqipëri, rezultojnë 53 vakanca, të krijuara për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, ku prokurorët janë shkarkuar apo kanë dhënë dorëheqjen. Në të gjitha shkallët e gjykatave mungojnë 173 gjyqtarë, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Në gjykatat e apelit mungojnë 55 % të gjyqtarëve, pra më shumë se sa gjysma. Ndërsa, në gjykatat e shkallës së parë mungojnë 103 gjyqtarë, nga 235 gjyqtarë që duhet të ishin.
Gjatë vitit 2022 janë marrë në mbrojtje nga policia një gjyqtar dhe 8 prokurorë, për shkak të rrethanave serioze për jetën e tyre. Në mbrojtje janë marrë edhe familjarë të 9 magjistratëve. Rreziku për jetën e 9 prokurorëve dhe gjyqtarëve është vlerësuar se ka ardhur për shkak të detyrës, konkretisht të dosjeve të krimit dhe korrupsionit. Vendimet për të marrë në mbrojtje magjistratët janë marrë respektivisht nga Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve pranë KLP-së si dhe nga Komisioni për Mbrojtjen e Gjyqtarëve pranë KLGJ-së. Vendimet që u janë dërguar për zbatim strukturave të Policisë së Shtetit reflektohen në raportet për veprimtarinë vjetore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Raport i 2022-16 vite per nje ceshtje ne Apelin e Tiranes.Tani qe i qethen e i rruan gjykatat e prokurorite dhe u katandisen vetem me nje apel,kohezgjatja do te shkoje ndoshta ne 32 vjet! Perspektive interesante per ata qe presin zgjidhje!
Përgjigju