Ekonomia po ecën në të njëjtën ‘rrugë’ të vitit të kaluar, me udhëheqës turizmin dhe ndërtimin. Këto do të jenë dy sektorët që do të gjenerojnë më shumë përfitime për ekonominë edhe gjatë këtij viti. Ky është parashikimi i bërë nga BERZH në raportin e fundit për perspektivat rajonale, ku rritja ekonomike për Shqipërisë është vlerësuar në 3.7% këtë vit, nga 3.9% gjatë 2024-ës.
Edhe pse në një territor pozitiv, ekonomia e Shqipërisë thotë BERZH mund të cenohet nga pasiguria e shtuar në tregjet evropiane, sidomos pas tarifave të paralajmëruara nga presidenti i SHBA, Donald Trump. Edhe në këtë raport është evidentuar fakti që edhe klima është rrezik i shtuar për Shqipërinë përsa kohë prodhimin e energjisë ende e ka të bazuar në burimet hidrike.
“Kushtet e pafavorshme klimatike (kryesisht thatësirat e mundshme) mund të ndikojnë negativisht në prodhimin e energjisë dhe të çojnë në importe më të larta të energjisë elektrike, megjithëse rritja e kapacitetit të prodhimit diellor e zbut pjesërisht këtë rrezik”, thuhet në raport.
Varësi tashmë ekonomia duket se po krijon edhe ndaj turizmit, e që mundet gjithashtu të sjellë dëme në ekonomi nëse ekonomitë e eurozonës bien.
“Kjo rritje është përballë rreziqeve negative që rrjedhin nga dobësimi i kërkesës në eurozonë, një rënie e remitancave nga jashtë dhe një sezon turistik më i dobët se vitin e kaluar”, vijon raporti.
Pozitiv thotë BERZH është procesi i integrimit të vendit në BE, që mund të shoqërohet me përfitime financiare të shumta.
Komente
